Muzetë e kryeqytetit shtojnë numrin e vizitorëve

  • 28 June 2017 - 09:35
Muzetë e kryeqytetit shtojnë numrin e vizitorëve

Muzeun e Kosovës deri tash e kanë vizituar 7 mijë veta

Vizitueshmëria në Muzeun e Kosovës, e në dy muzetë tjera në kryeqytet, Etnologjikun dhe në Shtëpinë e Pavarësisë, vazhdon të rritet nga viti në vit. Më të interesuarit për të vizituar pasuritë muzeore në vend, pa dyshim se është diaspora jonë, por edhe vizitori i rastit, i cili sipas drejtuesve të muzeut, vazhdon të jetë në rritje. Ndërsa, Muzeu i Kosovës, gjithnjë e më shpesh po vizitohet nga grupe turistësh nga përtej Atlantikut dhe Lindja e Largët. Kjo në fakt tregon edhe rëndësinë që kanë muzetë për prezantim dhe ruajtje të trashëgimisë së një kombi. Nisur nga kërkesat edhe gjatë kësaj vere dyert e Muzeve në Prishtinë do të jenë të hapura për vizitorët. Kurse Muzeu Etnologjik, edhe pse ka nevojë për ndërhyrje, për shkak të interesimit, do të vazhdojë të jetë i hapur, shkruan gazeta Kosova Sot

Mijëra vizitorë gjatë këtij viti

Në një prononcim për "Kosova Sot", drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, ka thënë se gjatë muajve të verës muzetë në kryeqytet do të jenë të hapura për vizitorë, duke pasur parasysh edhe kërkesat që tashmë disa vite janë evidente gjatë këtyre muajve, sidomos nga ana e diasporës sonë. Ai ka thënë se Kosova po bëhet dita -ditës një destinacion kulturor, dhe për disa vite, korriku dhe gushti po bëhen top-muajt e vizitushmërisë, kurse më së shumti vizitorë ka nga diaspora, por një rritje vërehet edhe nga turistët e rastit. Pavarësisht se Muzeu i Kosovës nuk aplikon sistemin e biletarisë, gjatë këtij viti, deri në këtë periudhë, numri i vizitorëve që kanë parë objektet muzeore në Muzeun e Kosovës ka arritur në 7 mijë veta. Më tej drejtori Boshtrakaj ka thënë se gjatë muajve të verës Muzeu do të hapë një ekspozitë me temën e Neolitit, ku do të prezantohet një koleksion, që nuk është prezantuar deri më tash. Kurse ka bërë të ditur se gjatë këtyre muajve i hapur për publikun do të jetë edhe Muzeu Etnologjik. Duke bërë kështu që deridiku të zbutet 'varfëria' kulturore gjatë verës në kryeqytet. Ai ka thënë se viteve të fundit është shtuar edhe interesimin i vizitave grupore nga përtej Atlantikut dhe Lindja e Largët. "Është një trend në rritje dhe ne ende nuk kemi vendosur një sistem të biletarisë dhe këta turistë janë të mirëseardhur, por përpos një imazhi dhe shije kulturore, që mund të merret nga ata për Kosovën, Muzeu i Kosovës nuk përfiton nga këto vizita në rritje", ka thënë ai, duke vënë në pah edhe rëndësinë që kanë muzetë për prezantim të trashëgimisë së një populli.

Misioni i muzeve

Në anën tjetër, për ekspertë të muzeologjisë dhe të trashëgimisë, muzetë kanë një vend të veçantë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore të një kombi. Besnik Rraci, njohësi i fushës së muzeologjisë, ka thënë për "Kosova Sot" se muzetë janë të rëndësishëm, sepse e ruajnë edhe e prezantojnë trashëgiminë historike e kulturore të një populli. "Roli i tyre është fundamental në ruajtjen dhe prezantimin e eksponateve me karakter arkeologjik, historik edhe etnografik për arsye se përmes ruajtjes së koleksioneve arkeologjike, historike dhe etnologjike pasqyron të kaluarën tonë të trashëgimisë historike dhe kulturore të popullit tonë", ka thënë Rraci. Edhe Bashkim Lajçi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka pohuar se muzetë janë institucione kulturore me interes të veçantë, të cilët si fushëveprim parësor kanë mbledhjen, ruajtjen, studimin dhe prezantimin e objekteve me rëndësi shkencore, estetike e historike. 

Vendi i muzave

Vetë fjala muze, ka thënë ai, që vjen nga fjala e vjetër greke musío, do të thotë vendi i muzave. Pra, sipas Lajçit, me këtë fjalë kuptojmë institucionin dhe objektin, në të cilin ruhen, hulumtohen dhe prezantohen, në mënyrë kronologjike dhe tematike, koleksione të vjetra dhe artistike, natyrore, teknike etj. "Derisa në botën e zhvilluar veprimtaria muzeore ka një histori të gjatë të zhvillimit të saj, në Kosovë, kjo fushë në mënyrë institucionale, fillon t'i hedhë hapat e parë të zhvillimit vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht pas vitit 1951, me nismën e punës së Muzeut të Kosovës. Më vonë u themeluan edhe muze të tjerë, nëpër qendra të ndryshme të Kosovës, si në Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjakove, Vushtrri etj.", ka thënë ai, duke shtuar se edhe përkundër disa hapave të bërë në drejtim të zhvillimit të muzeve ndër ne, akoma nuk mund të jemi të kënaqur me gjendjen dhe trajtimin që po i bëhet muzeologjisë nga shoqëria jonë.

(Kosova Sot)