Në krahët e poetikës dhe filozofisë së imagjinatës

  • 15 July 2017 - 13:58
Në krahët e poetikës dhe filozofisë së imagjinatës

Shkruan: Prend Buzhala

Gjon Gjergja:"Fluturat e bardha",roman për fëmijë dhe "U shtua edhe një rreze", poezi për fëmijë.

"Fluturat e bardha" mund të karakterizohet si roman me ngjyra të larmishme, imazhe të pasura e subjekte dinamike përrallore. Te ky roman ka një ndërthurje të përrallës me realitetin, ku realiteti i ligjëron përrallës e përralla realitetit, pleksen bukur.

Gjon Gjergjaj ka nisur të botojë shkrime letrare, fillimisht poezi për fëmijë, që në vitet '60 të shekullit që e lamë pas, në revistën "Pionieri" e në "Rilindja për fëmijë", kurse më vonë në gjithë shtypin e kohës. Letërsia e Gjon Gjergjajt, e shkruar, e krijuar dhe e botuar gjatë viteve 90, i ka ato shpërthime e të njëjtat shtrirje artistike, si e gjithë letërsia shqipe e dekadës së fundit të shekullit XX. Gjon Gjergjajn publiku artdashës e njeh për më shumë se një gjysmëshekulli, jo vetëm nëpërmes shkrimit. E njeh nëpërmes roleve të luajtura teatrore nëpër skenat e Kosovës e jashtë Kosovës, që kur ishte gjimnazist, te drama "Plaku i maleve" e vitit 1969, që la mbresa për shumë vite. E mban mend nëpërmes një serie rolesh që i luajti në kuadër të Teatrit Amator "Jehona e Dukagjinit". Gjatë atyre viteve ai ishte pothuajse ndër të rrallët që drejtoi Klubin letrar "Jehona e Dukagjinit", i themeluar që më 1969, klub që nxori revistën po me emrin "Jehona e Dukagjinit". Kurse dekadave të fundit është drejtues i Klubit të Shkrimtarëve "Vorea Ujko" të Klinës. 

1. Roman me ngjyra të larmishme, imazhe të pasura e subjekte dinamike përrallore

Krijimtaria e Gjon Gjergjajt deri më tash përbëhet nga vëllime të tëra të letërsisë për fëmijë (poezi, drama, romane), nga dramaturgjia (ka botuar disa vëllime), nga poezia për të rritur (libri i parë i tij, "Lista e Nakllit", 1989, i redaktuar nga Ali Podrimja e i botuar te shtëpia botuese "Rilindja"), i satirës, i letërsisë gojore, si dhe, kohëve të fundit, edhe i prozës për të rritur. Vitet '90 shënojnë vrullin e krijimtarisë së tij. Shumë dorëshkrime, që gjatë viteve {70 e '80, nisin të shohin dritën e botimit. Gjatë dekadë së fundit që shekullit që e lamë pas, krijimtaria e Gjon Gjergjajt pasurohet edhe botime të tjera. Kështu, depërtimin e parë në skenën e letërsisë për fëmijë, e bëri me librin poetik "Bukuroshja e detit", i botuar po ashtu te "Rilindja". Me tre librat poetikë për fëmijë ("Lulja që i priu detit", "Ninullë e blertë" dhe "Përralla ka atdhe" në vitet '90), Gjon Gjergjaj dëshmon emrin e tij prej një krijuesi të mirëfilltë e të talentuar në fushën e letërsisë për fëmijë. Këto shpërthime krijuese vazhdojnë edhe pas vitit 1999, kur Kosova fiton lirinë që i takonte. Kohëve të fundit ai botoi edhe dy romane për fëmijë e të rinj: "Me falë asht trimni" dhe "Fluturat e bardha", 2017. Derisa te romani i parë "Me falë asht trimni", duke e marrë si moto dhe titull thënien e Anton Çettës, "Me falë asht trimni", ky roman trajton temën e madhe të pajtimit të gjaqeve gjatë viteve '90, deri te lufta çlirimtare e liria e Kosovës; romani tjetër, "Fluturat e bardha", mund të karakterizohet si roman me ngjyra të larmishme, imazhe të pasura e subjekte dinamike përrallore. Te ky roman ka një ndërthurje të përrallës me realitetin, ku realiteti i ligjëron përrallës e përralla realitetit, pleksen bukur. Në roman defilojnë personazhe metaforikë, personazhe nga legjendat e përrallat, personazhe nga bota e malë- sorëve dhe ata nga ambienti urban e mbretëror. Edhe toponimia romanore e subjektit (Vendi i Shqiponjave,Trojet e Shqipeve, Fshati i Vjetër i Urimeve, fshati Gurra e Dritës, Fshati i Uratës, qyteti Fatin Nuk e Shes Për Shumë Pare), edhe protagonistët-flutura (Fluturat e Bardha, Flutura Pikaloshe, Flutura me Pika të Kaltra, Flutura me Pika të Kuqe,Flutura me Pika të Zeza, Flutura me Pika të Verdha), emrat metaforikë të vashave-legjenda (mbretëreshat-motra Mirusha, Nica dhe Drinia), edhe mbreti e mbretëresha me Ekipin e Hulumtuesve, i japin gjallëri e dinamizëm subjektit përrallor në kërkim të një thesari. Ndeshesh në ngjyra të larmishme, në imazhe të pasura, në subjekte dinamike përrallore. Aty parakalojnë dhe personazhe të tjerë, si Lejleku me Pupla të Përhitura, Shqiponja Me Sy të Kaltër, pastaj malë- sorë si Blerim e Lekë Dardhishta apo Atdhe Kaçinari. Simpatik e mendjemprehtë shfaqet personazhi që mban një emërtim shenjues-metaforik: Plaku që di me dredhë e me zhdredhë. Përrallën e rrëfen Flutura e Bardhë: "Plaku,gjyshi i Fluturës së Bardhë, ua paska lënë amanet që ta kërkojnë e ta gjejnë arin që e ruan nëntoka e jonë shumë e lashtë." Një ndër to është edhe përralla me flutura, që e kishin vërshuar këtë tokë të bekuar. Aty parakalojnë burra të urtë e trima, njerëz të shkolluar dhe të dijes. Zhdrivillohet rrëfimi i pleksur për tri motrat e mbretërisë (Mirusha, Nica dhe Drinia). Mirusha kishte ushtrinë e vet, tokat e veta, malet e veta dhe çdo gjë që duhet t'i kishte një mbretëri. Ngarkohet për hulumtime Ekipi Hulumtues që kalon nëpër një varg sfidash e pengesash ("Ju thashë duhet të jeni i aftë të kaloni nëpër tel" apo shterja e lumit me shoshë etj), si në përralla a në zgjidhje situatash enigmatike. Sinonim i kësaj gjeturie, është personazhi Plaku që Di Me Dredhë e Me Zhdredhë. Ia mësyjnë Kepit të Shpresës së Diellit, vend i panjohur, sepse thesaret s'i ka ditur gjithkush. Personazhet-flutura, ishin personazhe magjike, që me një Qiribu Qiriba bënin mrekullira (dhurata, kapërcime vështirë- sish etj): "Papagalli Gojë Artë thuhet se e ruan thesarin, Mbreti Që Qet Rruaza në Pe, thuhet se atë papagall e ka ble shumë shtrenjtë prej një varfanjaku,që e ka pasur shtëpinë me basa të dheut dhe sot me ato pare që e ka shitë papagallin, ka ble buzë detit apartament të madh e ku tani jeton mirë." Aventurat nga bjeshka në liqe e gjithandej nëpër ambiente përrallore, nuk pushojnë. Kur themi që realiteti fantastik-përrallor ndërthuren me situatat reale, kjo do të thotë se shpesh autori i përzien me qëllim asociacionet e alegoritë përrallore me situata të njohura nga historia jonë e hershme e deri te ditët e sotme e që bartin shtresën njohëse të romanit, gjithnjë të veshur me petk narrativ, dokumentar, legjendar e mitik që ndërthuren natyrshëm. Ndryshe, romani përçon një thesar të pasur porosish, një bagazh po ashtu të pasur të edukimit atdhetar, familjar, të dashurisë ndaj dijes, të gjeturisë në jetë, të kalitjes nëpër situata të vështira e deri te solidarësia që jepet me shembuj e situata të shumta e të pëlqyeshme. Janë loja argëtuese, situatat përplot urti e gjeturi, situatat që zbërthejnë me mjeshtri ato të gjëegjëzave shqiptare që i japin bukuri e përjetim veprës. Gjithçka përfundon me shpresën për një jetë më të mirë, mbas përpjekjesh të shumta.

2. Poezia: imazhe, figura, aventura të mendjes e të jetës

Do theksuar se Gjon Gjergjaj pas luftës ka vazhduar me përkushtim të botojë vepra të letërsisë për fëmijë, sidomos në zhanrin e poezisë. Madje, do të thoshim, se edhe për këto dy dekada, hetohen tri faza krijuese unike: e para me veprat Përralla ka grevë urie, (poezi për fëmijë) 2000, Rrugën e diellit, dallëndyshe, e more, (drama dhe pjesë teatrale për fëmijë) 2002 dhe Lepurushi i gjyshit, poezi për fëmijë 2005 e që e konsolidojnë Gjon Gjergjaj si shkrimtar i mirëfilltë për fëmijë. Një fazë tjetër e një ngritje cilësore tjetër, do ta shënojnë përmbledhjet poetike Vjersha me mjaltë, poezi e poema për fëmijë, 2008, Një motër e vogël, poezi për fëmijë 2012 dhe Ëndrra e dritës, dramë për fëmijë, 2013, me larushinë tematike, me hopet metaforike të ligjërimit artistik, me përkushtimin për ta gdhendur vargun, motivin, e sidomos me përkushtimin për gjetjet e befasishme artistike. Por tashmë do thënë se prej vëllimit "Vjersha me mjaltë" kemi dhe përpjekjen e autorit që veprat ta kapërcejnë një përmbledhje të rëndomtë poetike, si për nga sasia, ashtu edhe për nga larushia stilistike, motivore e artistike. Ndërkaq, janë nja dy vëllime të tjera të Gjon Gjergjajt, Fshija lotin rrushit, poezi për fëmijë dhe të rinj, 2012 dhe Lëngu i fikut, poezi për fëmijë dhe të rinj, 2013, që paraqesin një tërësi të bukur unike poetike e tematike në letërsinë tonë për fëmijë, për shkak se i thyen tabutë tematike. Ai dëshiron ta edukojë si fëmijën, ashtu edhe të riun, me të bukurën edhe në dashuri, për të cilën ligjëron me lojën e bukur të imagjinatës. Poeti përdor modelet karakteristike të shprehjes te shumë poezi, në të cilat shfaqen aq shumë figura mbi dashurinë, si ndjesi që krijon drejtpeshimin e qenies. Në fund, vijmë te një fazë më e re krijuese, e që shënjojnë vëllimet "Dashuria e ka rrugën me dritë, poezi për fëmijë, 2014, Bëhu diell si unë, poezi për fëmijë e të rinj, 2016 dhe U shtua edhe një rreze, poezi për fëmijë, 2017. Të 102 poezitë e vëllimit më të ri për fëmijë "U shtua edhe një rreze", jo vetëm që përshkohen nga karakteristikat poetike që i theksuam më lart, por ato pasurohen edhe me gjetje e kundrime të reja estetike. Poeti nuk ndien nevojë ta ndajë librin në cikle. 

(Kosova Sot)