< Sezoni kur rrallë dëgjohet për libra, filma, shfaqje teatrore, ekspozita - Kulturë - Kosova Sot
Sezoni kur rrallė dėgjohet pėr libra, filma, shfaqje teatrore, ekspozita

Sezoni kur rrallė dėgjohet pėr libra, filma, shfaqje teatrore, ekspozita

Shumë këngëtarë po fitojnë milionat.

Është kohë e restoranteve, koktejve, muzikës së gjallë, diskove, klubeve! Është kohë e pishinave, e hijeve të lisave të gjatë! Është mot që kërkon shumë para për t'u kënaqur - e thonë disa! Është mot që nuk ia doni as armikut punën gjatë ditës!

Është stinë e një kategorie të këngëtarëve, kameramanëve, instrumentistëve, djegieve, të cilët flejë ditën e qëndrojnë deri në mëngjes duke kënduar, duke pirë e duke ngrënë. E kanë ndjenjën e ulqinakut: punë sezonale, puno n'verë e jeton me to n'dimër! Dikush e vazhdon edhe në shumë muaj të tjerë, por është hyrja për numër të kufizuar në këtë garë. Shumë këngëtarë i njoh ta thonë: full e kam këtë muaj! Një ditë të vetme nuk e kam të lirë se krejt i zënë me dasma! Ka edhe të tillë që takon e të thonë: edhe për vitin 2018 më kanë rezervuar n'kësi vakti!

***

Njerëzit kërkojnë hijet në këtë kohë. Sot mund t'i urosh njerëzit: të paça n'hije! U gëzofsh n'hije! Jetofsh n'hije! Ta pruftë i lumi të qëndrosh gjithmonë nën hije! Kot shkruan, kush nuk lexon n'vapë! Vetëm disa që i gjejnë dhomat herë në një anë, e herë në tjetrën, plot hije, e kapin librin, shtrihen pak, i kot gjumi, zgjohen nga vapa të djersitur ujë dhe drejt e n'dush, por marrin këshillat e shpejta: Pas gjumit, nuk bën drejt n'dush! Pusho se mund të kesh marramendje! Është kohë e fluturave, klimës, freskisë, hijes, shtrirjes, rrezitjes, lëpirjeve të akulloreve, e dehjes a fikjes! Kjo është kolumne e thjeshtë, për vapë, për ata që i dëgjoni se tri-katër maica po i ndërrojnë! Për ata që thonë vapë, zheg, nxehtë, u kall, u dogj!

***

Takoj kameramanin që i ka bërë disa vjet me kamerë në dorë, dasëm më dasëm! Më thotë se kam goditur shumë dasma! Krejt i kam zviceranë, asnjë gjerman! Zviceran i thotë atij mërgimtarit shqiptar me vendqëndrim në Zvicër, e atij nga Gjermania, gjerman! Zviceranët kanë pare, e fillojnë sezonën prej 13 të këtij muaji -15 të muajit tjetër se lëshohen fëmijët prej shkolle dhe kanë kohën e pushimit! Këtë fjali e dëgjon prej të gjithëve, ke e s'ke ashtu! Gjermanët e fillojnë me vonesë për dy javë pushimin vjetor! Blejnë më pak këpucë e rroba bakshishe gjermanët sesa zviveranët - e dëgjoj një shitëse të këpucëve. Aty në sektorin e këpucëve, e di a është mërgimtari i Zvicrës apo i Gjermanisë?! Zviceranët heqin shumë se duhet të punojnë tepër, ama rrogat i kanë ma të mira! I kanë edhe s'i kanë - ma thotë tjetri. Sa ia jep Zvicra, po aq ia merr, mos më shumë! Të vijnë njëqind fatura nuk e din kah ta drejtosh kokën: drejt, anash, para a mbrapa! Aty të mbysin me stres, posta, letra, fatura, obligime, antraga! Llafe koti! Llafe vere!

***

Një mikut m'i kërkoi tri libra para se të ikte në plazhin e Shqipërisë dhe ia dhashë pa dhimbje: një për histori, një për ekonomi e tjetrën për politikë globale se çfarë e dallon Evropën prej SHBAsë dhe anasjelltas! Kur u kthye, m'tha: S'munda me lexue fare! Jo fëmijët, jo bisedë me atë e këtë! Vapë, s'kisha durim! Një tjetër takova jo vetëm që i urren librat, por tha se kokëdhembje kishte sa herë e shihte dikë me libër në dorë gjatë verës! Vera nuk është për libra, por për birra, pishina, muzikë, koktej, zhurka! Veç kur m'tregoi: Ke Noizi, spic! S'kishte vend ku me hy! Shumë vajza të reja e duan sepse është romantik në këngë, si balada, si rep, si R'N'B! Është kohë e Noizave, Ledrave, Shkurteve, Dafinave...! Është kohë e pop këngëtarëve e reperëve, e hitit gjigant "Mi Gna" të një reperi armenian Super Sako me Spitaktsi Hayko duke e dëgjuar ngado, dëgjohet në vetura me xhama të hapur të dyerve, në lokale ku ka shumë klientë. Për çdo verë del një koreanojugor, një armen, një rumun, një rom, një shqiptar! Pëlqehet kënga ritmike! E pyes kameramanin se viteve të fundit, a ka rënë në dasma tallavaja a jo? Thotë ka rënë, por akoma e duan! Po ta bëj më thotë dallimin nëpër qytete: Në Gjakovë më shumë dëgjojnë muzikë qytetare, një vallëzim e kanë pak më ndryshe se Gollaku e Karadaku, por më pak dëgjon muzikë tallava. Në Prishtinë vishen më së bukuri mysafirët e dasmave, vajzat janë më të lira se kudo tjetër, për të vallëzuar sipas qejfeve dhe jo ngurrimeve më të mëdha që mund të kenë në vendet e tjera, por ka shumë prej tyre të flasin kundër tallavasë, por e duan në shpirt atë. Nuk kanë faj - vazhdon ai. Është ritmike? E ti më pyet? Çfarë mendon për tallavan? I përgjigjem është tek e fundit një zhanër: ka elemente "fristajller" të repit, ka subjekt egon e dikujt që ka nevojë për më shumë përkëdhelje dhe nevojën për t'iu përmendur emri në salla dasmash e lokalesh, kënaqet me këto gjëra. Nuk mund t'i zhdukim zhanret, por më përmbush diçka tjetër! Ia them se muzika tallava e kultivuar nga romët, më vjen keq kur e dëgjoj prej atyre që i thonë vetes elitarë dhe e nënçmojnë vetëm se e bëjnë romët! Muzika tejkalon në rrethana normale etnitë! I them: xhaz s'po ka! Muzikë shkollski, jo, por ndashtë një muaj e ka vera, e jo tri qysh kujtojmë! Vazhdoje rrëfimin se ku bëhet më shumë atmosferë! Kudo janë bërë njerëzit më të gdhendur, s'ka shpartallime si dikur! S'ka vallëzime krejt të shkapërderdhura dhe pa ndjekur ritmin! Është kohë tjetër, kohë e vetëpërmbajtjes më të madhe!

*** E dëgjoj njërin në një kënd tavoline: shumë këngëtarë po fitojnë milionat! Tjetri ia kthen: shumë prej tyre po i lënë në aparata të kazinos! Si po bëjnë pare, po rrëshqasin disa?! Më habisin çfarë përgjithësime të shpejta, të bindshme dhe thua se janë bërë hulumtime me mostra gjigante, apo edhe përvoja e shoqi-shoqit është ndryshe-ndryshe! Apo është koha e lakmisë për këngëtarët në këtë sezon të fitimit të madh?! E një tjetër komenton: zheg bre! Thanë që javën tjetër kapak shi! *** Po përgatitet komuna të organizojë mikpritjen për mërgimtarët, me koncerte e disa aktivitete si filmi në një amfiteatër të vogël e të hapur! Do të ketë filma të Njësisë së Rinisë bashkë me një grup me pasion kinematografie dhe do të ketë ca net për filma! Në sa ora e pyet njëri do të shfaqen filmat?! Në orën 20:00! Jo, është vakti me dal! Demek me dal, është vetëm nëse je në një lokal me muzikë të lartë! Jo bre, duhet me dalë me zan najsen! Naj mizë, mickojë, a ku ta dish entuziazmin e të riut!

***

Sezona e verës është sezonë e dasmave prej 13 korrik -17 gusht, ku bëhen bashkërisht mërgimtarët me familjarët e miqtë e tyre! Koha e tyre, e kallabllakut, pareve, kredive, veturave, çmalljes e mallëngjimit! Është kohë e dasmave, fustaneve, brengave të nuseve për fustanin e njëjtë të mos shkojnë në dy dasma, e lëre më hiç në tri e më shumë! Një foto në fejsbuk në një dasmë dhe pastaj të gjithë e vërejnë nëse është veshur me fustanin e njëjtë! Ia mësojnë edhe ngjyrën, formën, modelin, materialin, dizajnin, të prejtmen! Është kohë e brengave të mëdha, e frizurave, frizerkave! Është koha e parfumave, këmishave, kravatave për meshkujt, ndonëse këta të fundit, pa asnjë stereotip gjinor, por aktualisht brengosen shumë më pak me shoping, shumë më pak çfarë të lyhem, të ngjyhem, por ka edhe aty brenga...! Është mot i nxehtë, i djersitjeve, i brengave të shumë njerëzve që djersiten më shpejt dhe më lehtë se kushdo tjetër! Disa lavdërohen e të bëjnë të qeshësh: Deodoranët më shkojnë shumë shpejt! S'mi zë dita, kah t'sillem e rrotullohem, i qes pst-pst-psttttt! Është kohë e plot klisheve, por edhe e netëve të përsosura, kur të kap freskia a flladi! Kur thua se një natë a mbrëmje vere, nuk e ndërroj me asgjë, edhe pare nëse më jep dikush! Të dhimbset të shkon nata pa e përjetuar ajrin jashtë, freskinë me një pije, bar, duke ecur disa rrugëve pak më të qeta! Është kohë për tortura të atyre që banojnë afër zhurmave!

***

Është sezonë kur rrallë dëgjoni për libra, filma, shfaqje teatrore, ekspozita! Vdesin! Pak i vizitojnë! Është kohë e restoranteve, koktejve, muzikës së gjallë, diskove, klubeve! Është kohë e pishinave, e hijeve të lisave të gjatë! Është mot që kërkon shumë para për t'u kënaqur - e thonë disa! Është mot që nuk ia doni as armikut punën gjatë ditës! Është stinë kur dëgjon disa pronarë që ankohen që akoma nuk investuan për flladitjen e myshterinjve me disa sisteme të stërpikjes me ujë të imët! Është mot kur paradite të pëlqen terraca e një bar-i, në mesditë e një tjetri, në mbrëmje e një tjetri e kështu me radhë, për t'u bërë të përshtatshëm të gjithë, pasi ikën dielli e na shfaqet hëna e plot yje!

***

Është zheg dhe kërkohet një kolumne më e lehtë sikur nevoja për të pirë sa më shumë ujë! E kërkon mendja një kolumne të lehtë, që u flet njerëzve në gjuhën e përditshmërisë, pa asnjë ngarkesë a nevojë! Është kohë e syzeve, e korrjeve, e shqetësimit të disave që kanë mbjellë ndonjë gjë dhe moti u ka prishur! Është mot i synetive, se vijnë më shumë të jashtit! Është koha e çadrave, e parkimit të keq të mërgimtarit të caktuar dhe lojës plot humor në rrjetet sociale për 'shacat'! Pastaj vjen një zë këshillimi: Ore, s'kanë faj që vijnë këta këtu, se unë s'kisha ardhur kurrë! Kisha shkuar me këto pare në ndonjë Spanjë, Egjipt, Tunis! S'kisha ardhur fare në Kosovë! Një tjetër thotë: mos me u kanë këta, çfarë turistë po mund të tërheq Kosova?! More duhet t'i kqyrim si sytë e ballit e t'i mirëpresim, e t'i durojmë me muzikë që tejkalon secilin decibel dhe prishë qetësinë publike! Vetëm këta na kanë mbetur! Është muaj i gjallë, i pritjes së këtij sezoni të aq shumë lokaleve, ku pritet një vit për një muaj! Është muaj i shpresës, i ndonjë kacafytjeje e shakaje herë me kripë e herë pa të, mbi zviceranët shqiptarë! Është kohë e përplasjeve cinike, por edhe daljes së bashku, e heqjes së monotonisë së përvitshme! Është kohë e kolonave më të gjata, e borive, e veturave të dasmave! Është koha kur njeriu lakmon shumë, e sheh atë e këtë në deti! E sheh dikë që bëhet duke u kënaqur, e dikë që kënaqet me të vërtetë dhe ia lexon sytë në fotografi! Është kohë e mbulimit me fotografi duke notuar, duke qëndruar nën ombrellë, duke luajtur në rërë plazhi, duke lëshuar ndonjë batutë prej atjeshit për të gjetur mënyra sa për të postuar një fotografi, sepse disa edhe ndihen keq të postojnë fotografi! Disa e përjetojnë plazhin sapo hynë në fejsbuk, instagram e snapchat! Është kohë e qindra fotografive nga plazhi, restorantet, pishinat dhe mbrëmjeve verore! Është kohë e gjallërisë, mërgimtarëve, takimit me njerëz që nuk i keni parë një vit, dy vjet a tri e më tepër! Është kohë e dhënies gaz me plot zhurmë, të motoçikletës, bash përball kafeterive kur dhe ku ka shumë masë! Nuk e duan zhurmën e motoçikletës, sepse ku e gjetën t'i japin aq shumë gaz bash kur po kalojnë andejpari, kah po sillen aq shumë njerëz! Është mot shumë i nxehtë dhe secili lutet të jetë nën hije, e jo nën shkronja, me përjashtim të disa njerëzve të rrallë! 

(Kosova Sot)

16 orë e 52 minuta më parë