Ridimensionimi i qenies shqiptare nëpër kohë

  • 22 July 2017 - 08:14
Ridimensionimi i qenies shqiptare nëpër kohë

Shkruan: Prend Buzhala

 

Ka një afishim ekspresiv, të shumë- fishtë e shumështresor magjie të ligjërimit refleksiv nëpër "mozaikët e romanit" "Hirësia e Motit" të Mehmetali Rexhepit. E, kjo magji na e zbulon shkallë-shkallë e nëpër shumë rrathë, fletë pas flete e shfletim pas shfletimi, këtë magji mozaikësh lirikë-refleksivë a mozaikësh narrativë-sprovues

POETIKA: NË LIRINË ASOCIATIVE TË LEXIMIT

Nis me përplasjet midis botës kaq të pasur imagjinative e kureshtare të fëmijës përballë prindit, a Madhorit (sikundër komenton narratori-autor); vazhdon ta japë një kronologji në disa breza e në disa kohë në vazhdim: që nga viti 1924, nën Mbretërinë Serbe (kapitulli "Mal Brezi"); nëpër kohët e kërkimit atdhetar të ilegales, rezistencës, luftës dhe pasluftës... me personazhin-bosht Motin që përmbyll këtë aventurë kërkim-lirimi nëpër kohë... Romani-mozaik përbëhet nga pesë tërësi tekstore: Mes parandjenjës e gjëmës, Përflakja e mësymjes, Metafora e liqenit dhe pengu i bukurisë, Ngadhënjimi i ëndjes dhe Vatra e fortesës prej letre, kurse secila tërësi e tillë thuret nga njësi të ndërlidhura tekstore: "Mal Brezi", "Shtangie-shtare" dhe "Dhimbje e bardhë (te tërësia e parë tekstore); "Loja e mësymjes", "Thika" dhe "Toka është yll" (te tërësia e dytë); "Margaritari i lëngshëm", "Ikona", "Pengu", "Buja"dhe"Zgorret e bukurisë" (te tërësia e tretë); "Lajthitja e një tundimi" dhe "Hija pa diell" (te tërësia e katërt) dhe "Djegia e dorëshkrimit", "Shija e pelinit", "Fortesë prej Letre", "Pirgu i errësuar", "(Sh)krimi", "Vogëlsia e mahnitjes" dhe "Zhgualli i parimit" (te tërësia e fundit). Nëse duam t'i bindemi Roland Bartit, kënaqësia e krijimit dhe leximi, shkojnë së bashku, atëherë, gjithsesi, edhe tërësitë e tilla të kësaj vepre, herë lexohen si tekste të kënaqësisë lirike e si kërkime të kënaqësisë letrare; herë si poetikë e efekteve të energjisë së fuqishme shpirtërore-refleksive dhe herë si zë i shumëfishuar narrativ, që na fton në ndërgjegjësimin e vetvetes, apo si ligjërim i një zëri urtak i folësit lirikrefleksiv, si udhërrëfyes jete, si mesazh drejtues në jetë, që na e tërheq vëmendjen për kohët që i jetuam e që na vijnë si jehona a copëza mozaikësh, që ringjallen herë pas here në për mote. Prandaj dhe titulli "Hirësia e motit" vjen si jehonë e tillë (e shënjuar nëpërmes datave të krijimit nëpër vende të ndryshme e në kohë të ndryshme, pas luftës së fundit).

NGA SIMETRIA E THËNIES DERI TE RENDJA PAS TË BUKURËS

Tipi i tillë i prozës na fton në lexime të hapura dhe në lirinë asociative të leximit, duke prodhuar kuptimet, simetrinë e thënies dhe një rendje pas së bukurës. Nga ana tjetër, mozaikët ndërthurin një ndërliqësi tematike-kërkimore: sikundër është tema e madhe e lirisë së Kosovës, e Atdheut të shkelur, tema e lirisë dhe e robërisë, tema e kujtesës historike, si preokupim epik, parimesh estetike. Jo më kot edhe personazhet bartin shenja të simetrisë simbolizuese e semantike tekstore: Epi (nofkë stilistike për Rexhep Malën, por edhe shenjë e rrëfimit epik, e bëmave epike), Parimi (që therorizohet, bie dëshmor, por që shënjon triumfin e parimeve), Prarimi, Moti (koha në përmasat e përjetimit, por edhe njeriu nëpër rrjedha jete e përplasje shoqërore, sinonim i një brezi njerëzor), Ngadhënjimi, Flakërima, Gatimi, Miratimi, Pagëzoni, Flakëroni, Trimëroni, apo Bamiri, Agroni etj. Ndërthurja e tillë e tërësive dhe njësive tekstore, sado që të duket e thjeshtë,megjithatë zhdrivillohet me anë të një procedimi të ndërliqshëm romanor: temë-tekstet dalin e trajtohen në shumë variacione dhe shpalosen përmes trajtave të ndryshme të shkrimit, të hapësirës së situatave refleksivemetaforike e të komunikimit të figurshëm artistik. Mozaikët, si fragmente-copëza jete e ekzistimi, si ngjarje e situata narrative; rrudhen për t'iu lënë më shumë hapësirë edhe vizioneve epike edhe vizioneve ekspresive e refleksive të krijuesit-narrator. Kësisoj, edhe narratorët këmbejnë shpesh e shpesh rolet: herë shfaqet një zë narrativ autorial (si zë i narratorit profesionist që jepet më shumë pas përsiatjeve) e herë një zë që ligjëron nëpër kohë, si zë i përvojës historike e ekzistenciale; herë një narrator i gjithëdijshëm e herë një zë lirik-refleksiv... Do theksuar se copëzat, pjesët, kapitujt etj, mbajnë dhe shenja datash e vitesh, apo dhe vendesh; si një univers gjeoshumësor, meditativ-eseistik, e që më shumë janë fakte të shkrimit të veprës, por dhe shkrimit të jetës. Një si tekst i jetës! Si rrjedhojë e kësaj përpjekjeje, kur përmenden datat e trajtat tjera dokumentare të gërshetuara në sfondin e poetikës së romanit; ato shërbejnë më shumë si kornizë prozaike për shqiptime reminishencash e befta, që shfaqen e nyjëtohen në kontekstin e situatave të caktuara të ngushticave ekzistenciale, emocionale dhe refleksive, kohore dhe hapësinore.

PËRQASJET NDËRTEKSTUALE

Ndryshe nga rrëfimi epik, ku ka një rrjedhë zinxhirore ngjarjesh a një kompozicion unazor të materies romanore; kjo vepër, duke ndjekur poetikën e mozaikut romanor, e fragmentarizon me qëllim lëndën e trajtuar; çasti dramatik "zbutet" në çast refleksiv a në çast psiko-situatash e reminishencash e në rrezatimkërkimesh të brendshme. Një si lexim vetëkomentues lexohet dhe teksti autorial, i vënë në fund të librit, kurse metatekste të tilla shtrihen përgjatë tërë veprës, të shënjuar me përkufizimet intertekstuale: dorëshkrim, libër, (sh)krim, letër, sezamet e Beqir Musliut, reminishencat lirike të bohemit Mirko Gashi, rrezatime refleksive nga letrat shqipe (ku përmenden emra si Rexhep Elmazi, Azem Shkreli, Teki Dervishi, Federik Reshpja, Ali Podrimja) etj. Ja një bashkëbisedim i tillë në çastet e dhimbjes: "- Ah, Mirko, Mirko! Miku im i dhimbjes dhe filozofi i metamorfozës së ujit! Çka më duhet trupi që nuk qëndron në këmbët e tija? Shëmbëllesës K. Mani ia kishin përkufizuar ecejaket: "Do të varesh ose do të varim!"

(Kosova Sot)