Shpirti i shqetësuar i krijuesit

  • 23 July 2017 - 10:21
Shpirti i shqetësuar i krijuesit

P a mëdyshje, shumë krijues, por edhe shumë studiues, për procesin e krijimit, janë përpjekur ta sqarojnë atë dhe gjendjen e rëndë shpirtërore para krijimit. Dhe, për këtë përpjekje shpirtërore shumë krijues [artistë] e kanë shfaqur gjendje emocionale, sigurisht, duke vënë në spikamë emocionet e larta shpirtërore, për ta realizuar imazhin e ri në krijimtari. Andaj, s'do mend, shpirti i shqetësuar i krijuesit kërkon vazhdimisht ta realizojë një imazh të ri, që është gjithsesi simbol i shprehjes së përfytyrimeve dhe emocioneve të tij. Pra, gjithsesi këto trysni të larta emocionale të tij e detyrojnë krijuesin ta nisë një veprimtari krijuese, sigurisht për t'u çliruar nga ajo mbingarkesë emocionale dhe shpirtërore të tij. Kjo gjendje trysnore vazhdimisht artistin e ngacmon shpirtërisht dhe asnjëherë nuk e lënë të qetë. Andaj, në këtë vazhdimësi të gjendjes emocionale të artistëve, për ta shprehur imazhin e ri kreativ, në botime të shumta veprash, për jetën e artistëve të mëdhenj botërorë, por edhe të atyre vendorë, janë cekur shumë raste angazhimi, para se ta qartësonin imazhin dhe paraqitjen (kreativitetin) e tij. Pa dyshim, para kreativitetit, ata gjendeshin vazhdimisht në një shqetësim të veçantë emocional dhe shpirtëror. Zaten, kjo gjendje e lartë shpirtërore dhe sigurisht emocionale ia mundësonin atyre që t'i shfaqin në veprat e tyre, shpërfaqjen e lartë ndjesore dhe kreative. "Këtë situatë e përshkruan qartë piktori Van Gog, në një letër të tij, ku shkruan se emocionet nganjëherë janë aq të forta, saqë punon, pa e ditur se çka punon, kurse penelatat, vijnë njëra pas tjetrës, me një rregullsi e vazhdimësi të atillë, si fjalët në një letër apo ligjëratë" [J. Mato].

ROLI I GJENDJES EMOCIONALE DHE SHPIRTËRORE NË KRIJIMTARI

Gjithsesi, për këtë fazë të hershme të krijimtarisë, për kërkimin dhe zbulimin e imazhit të ri, pa mëdyshje, rol parësor luan gjendja shpirtërore dhe emocionale e krijuesit. Pra, në çfarë gjendje është krijuesi, si e mendon ai imazhin dhe sigurisht si duhet të shprehet ai, nevojitet koncentrim i lartë shpirtëror. Dhe, ky koncept i bërë në mendjen e krijuesit, luan rol parësor në shprehjen emocionale të tij. Andaj, shumë estet të ndryshëm, të cilët janë marrë me këtë fazë të krijimtarisë, e kanë quajtur "çlirim" shpirtëror nga trysnia e brendshme emocionale. Në këtë drejtim, edhe disa nga artistët tanë, për këtë gjendje "ethesh" të rëndë emocionale dhe shprehimore, para qartësimit të përfytyrimeve të tyre janë shprehur në mënyra të ndryshme. Piktori S. Kamberi tregon për qartësimin e imazhit në veprën "Vajza e valëve", ku ndër të tjera thotë: "Shqetësimet e mia ishin të shumta. Vija vërdallë në këmbë, si ta bëj, ç'marrëdhënie të krijoj… plus edhe në ëndërrime krijoheshin imazhet…" Këto përfytyrime që gjithsesi kërkojnë të ndërgjegjësohen dhe të çlirohen nga krijuesi, s'do mend se ai, tevona çlirohet nga ajo ngarkesë emocionale dhe shpirtërore, që vazhdimisht e brenin shpirtëroren e krijuesit. Zaten, për ta shprehur, gjithë atë emocionalitet të thukët, sigurisht kërkohet një intelektualizëm i lartë shprehës. Këtë shprehje të ravijëzuar dhe fare drithëruese nuk mund ta këtë secili krijues. Pa mëdyshje, këtë "drithërimë" çliruese e kanë vetëm ata krijues që kanë emocionalitet të lartë shqetësues dhe ravijëzim të shpirtëror.

SHPËRFAQJA E PËRFYTYRIMEVE DHE E KREATIVITETIT NË KRIJIMTARI

Pa mëdyshje, vetëm atëherë kur krijuesi i hedh përfytyrimet e veta në krijimin artistik, vetëm atëherë, pra, qetësohet shpirti i artistit nga gjithë ai presion i madh shpirtëror e mendor. "Ky konflikt, - shkruan Livin Rusu, duhet, me anë të përpjekjes për ekuilibër, të tregojë në sipërfaqe të ndërgjegjes mjetin e vetëm të çlirimit. Lëvizja e brendshme ndërgjegjësohet dhe shkakton kështu qetësimin. Ky ndërgjegjësim është një lloj zbulimi dhe realizohet në formën e një imazhi ose të një ideje [artistike]". Andaj, rrjedhimisht mendoj se procesi i ndërgjegjësimit është rrëfim i një trazimi të lartë shpirtëror. Vetëm atëherë, kur trazohet shpirti dhe ndërgjegjësohet mendja, kemi përfytyrime të larta shprehëse. Zaten, këtë drithërimë shprehëse e kanë dy tipa artistik; "artistë objektivë që i japin rëndësi dukurive objektive" dhe tipi tjetër, "artistë subjektivë që i japin rëndësi të konsiderueshme fantazisë dhe imagjinatës". Pra, në fund konsideroj se gjendja emocionale e shpirtërore dhe shprehja e imazhit të ri, në veprën artistike ka rëndësi kruciale, emocionaliteti dhe gjendja shpirtërore e krijuesit në shprehjen e imazhit dhe të përfytyrimeve të reja në veprën artistike. Andaj, gjithsesi, gjendja emocionale dhe shpirti i shqetësuar i krijuesit e detyrojnë përherë artistin që të realizojë imazh të ri që gjithsesi paraqet gjendjen e lartë emocionale, sigurisht për t'u çliruar nga ajo ngarkesë shpirtërore dhe emocionale e tij. Pra, sigurisht, gjetja e përfytyrimeve të reja kërkon maturi, ndiesi, syçeltësi dhe logjikë të shëndosh në paraqitjen tyre, duke u bazuar gjithnjë, në emocionalitetin e lartë dhe, sigurisht, në kreativitetin sensitive e përmbajtësor, në veprën e krijuar artistike.

 

(Kosova Sot)