Në Kosovë ka më shumë festivale sesa filma

  • 10 August 2017 - 08:58
Në Kosovë ka më shumë festivale sesa filma

Financimi i festivaleve bëhet pa kriter 

Numri i madh i produksioneve filmike që veprojnë në vend, mbështetja jo e pakët që jep shteti për filmin dhe miratimi i Ligjit për sponsorizim nuk po arrijnë të ndikojnë në ndërtimin e një baze të mirë për industrinë filmike kosovare. Në fakt, sipas njohësve të fushës së filmit as që bëhet fjalë për industri filmike. Pasi me kaq pak filma (të metrazhit të gjatë) sa xhirohen gjatë një viti as që mund të shpresohet për një industri filmike në vend. Ndërsa, edhe pse tashmë është fuqizuar Ligji për sponsorizime në vend, nuk po shihet dobia e miratimit të këtij ligji. Naim Berisha, aktor, regjisor dhe producent filmi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se fatkeqësisht Kosova nuk ka një strategji për zhvillimin e lëmit të filmit dhe fushës së kinemasë. Mungesa e kësaj strategjie, ka pohuar Berisha, e ka sjellë në këtë gjendje aspak të favorshme, sidomos në avancimin e filmbërësve të rinj dhe meritorë, të cilëve u mungon përkrahja financiare për shpërfaqje të talenteve që kanë. 

Ligji për sponsorime, joefektiv

Sipas tij, në vend që shteti dhe organizatat financiare të mendojnë seriozisht për të financuar dhe për të ngritur sektorin e kinematografisë në nivel të pranueshëm reprezentativ, financojnë pa kriter të ashtuquajtura festivale filmi, të cilat në shumicën e herëve, qëllim të vetëm kanë zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe shpëlarjen e parave."Vetëm krahasojeni se sa filma prodhohen në vit në Kosovë dhe sa festivale mbahen, është raport totalisht paradoksal. E, meqë në Kosovë ende ekziston ai mentaliteti i vlerësimit formal, kjo krijon edhe një mundësi shtesë, që antivlera të përsëritet, duke ia pamundësuar vlerës që të depërtojë mbi sipërfaqe", ka pohuar Berisha. Ndërsa ka shtuar se mungesa e strategjisë kombëtare për zhvillimin e filmit ka bërë që edhe Ligji për sponsorime të jetë joefektiv. Berisha ka shtuar më tej se është koha e fundit që shteti të mendojë seriozisht për zhvillimin e këtij sektori, përndryshe shumë talenteve me potencë artistike do të shuhen."Duke mos pasur mundësinë që elanin e tyre ta orientojnë në këtë fushë, për të vazhduar matrapazët të përfitojnë pa ia ndarë, duke u thirrur në suksese të paqenë, e duke prezantuar sistematikisht antivlerë", ka pohuar producenti dhe aktori Naim Berisha. 

Subvencionet nga shteti nuk janë të mjaftueshme

Edhe Naser Dula, muzikant dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kinematografia në Kosovë nuk është duke u zhvilluar mirë. Pasi, siç ka thënë ai, kriteret mungojnë dhe subvencionet nga shteti nuk janë të mjaftueshme. Meqë, sipas tij, filmi kërkon buxhet milionësh, duke pohuar si gjë të mirë gjetjen e donacioneve nga jashtë Kosovës nga ana e filmbërësve kosovarë. "Sa u përket festivaleve, mendoj se ato më shumë kanë qëllime përfitimi dhe nuk janë të interesuar të krijojnë produksione. Disa nga ato nuk kanë buxhet shumë, kurse disa nuk mendojnë në këtë drejtim", ka thënë ai, duke shtuar se pavarësisht miratimin e Ligjit për sponsorim ende nuk është duke u zbatuar dhe se në Kosovë ka shumë pak kompani publike dhe private që kanë synim t'i mbështesin projektet e tilla.

Filmi te ne nuk gjeneron të ardhura

Kurse Mahir Musliu, regjisor, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se produksionet te ne janë të shumta, porse dyshon në seriozitetin e tyre. "Ato nuk e besoj që si mision kryesor e kanë zhvillimin e kinematografisë, i kanë disa pajisje, të cilat i përdorin për xhirime dasmash e videospotesh ose tek-tuk ndonjë reklamë diku. Deri diku duhet shfajë- suar, sepse kjo është e vetmja mënyrë që në Kosovë të fitohen ca të holla", ka potencuar ai, duke shtuar se filmi te ne nuk gjeneron të ardhura shkaku i mungesës së kinemave në tërë hapësirat tona. Ndërsa ka veçuar dy çështje, që, siç ka thënë ai, duhet rregulluar për ta ndryshuar gjendjen. Ndërtimi i kinemave dhe harmonimi i orareve të premierave nëpër tërë qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë. "Kjo është shtylla e parë, e cila do të kishte qenë si zhytje e vetvetishme në industri filmike. Ndonëse kjo do ta fillonte një garë mes kineastësh dhe po ashtu do të gjeneronte të ardhura financiare", ka pohuar ai, duke shtuar se më lehtë do të ishte mbajtja e festivaleve të filmit e po ashtu do të zgjonte nga gjumi edhe institucionet lokale e qendrore që ta hapin kuletën për zhvillimin e kulturës filmike. Ai ka pohuar se produksione që ekzistojnë tek ne të gjitha presin fonde nga shteti për të bërë filma, dhe si të pavarur nuk ka informacione ta kenë realizuar ndonjë vepër filmike, përjashtimisht ndonjë rast i rrallë i bërjes së ndonjë filmi të metrazhit të shkurtër.

(Kosova Sot)