Koha për themelimin e Muzeut Arkeologjik Kombëtar

  • 11 August 2017 - 09:16
Koha për themelimin e Muzeut Arkeologjik Kombëtar

MKRS-ja është duke u vonuar me projektin 

Themelimi i një Muzeu Arkeologjik të Kosovës po del të jetë një nga prioritetet, që duhet të bëjnë institucionet shtetërore. Zbulimet e shumta arkeologjike, që po ndodhin në zona të ndryshme në vend, që nga paslufta e këndej, e bëjnë një fakt të kryer të një ndërmarrjeje të tillë. Ideja për themelimin e një institucioni të tillë ka nisur qysh në vitin 2009, por deri më sot, ende nuk është konkretizuar ndonjë plan. Në fakt, ka kohë që është formuar një Komision nga Ministria e Kulturës, përkatësisht Departamenti i Trashëgimisë në këtë Ministri, i cili ka për detyrë të punojë një koncept- dokument se si duhet të bëhet një Muze i Arkeologjisë. Por, deri më sot MKRS-ja nuk ka bërë të ditur çfarë dhe sa është punuar nga ky Komision i formuar për këtë qëllim. Gjithçka mbetet në pikën zero. Gazeta "Kosova Sot" nuk ka mundur gjatë ditës së djeshme (e enjte) të marrë një prononcim nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës lidhur me punës e Komisioni që ishte emëruar për të hartuar bazën për themelimin e Muzeut Arkeologjik. Në anën tjetër, zyrtarë të Institutit të Arkeologjisë dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kanë thënë për "Kosova Sot" se vendi ka nevojë për një muze të tillë të nivelit kombëtare. 

Vonesa e pajustifikueshme

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ideja për themelimin e një Muzeut të Arkeologjisë në nivel shtetëror kishe nisur qysh më 2009, në bashkëpunim me ish- drejtorin e atëhershëm të Muzeut të Kosovës, duke pasur parasysh se atëkohë, ky muze kishte edhe sektorin e arkeologjisë. Por, që nga ajo kohë e deri më sot, gjithçka ka mbetur vetëm ide dhe gjërat nuk kanë lëvizur. "Qysh në 2009 është biseduar mundësia e themelimit të një muzeu arkeologjik. Për fakt keq, që nga atëherë e deri më tani nuk është realizuar ai projekt. Tani ku jemi? Është një Komision i ngritur nga MKRS-ja, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, i cili duhet të punojë në hartimin e një koncept- dokumenti për krijimin e Muzeut Arkeologjik në nivel të shtetit", ka pohuar drejtori Rexha, duke shtuar se institucionet po vonohen në konkretizimin e idesë për themelimin e një muzeu të tillë. Ai ka thënë se kërkesa drejtuar Ministrisë së Kulturës ka pasur edhe për një objekt për Institutin e Arkeologjisë, pasi administrata e këtij instituti është vendosur në objektin e Muzeut të Kosovës. Rexha ka thënë se ka një bollëk artefaktesh që do të gjenin vend në Muzeun e Arkeologjisë, nëse do të themelohet. Sipas tij, anembanë vendit ka artefakte që presin'një vend', siç është një muze për sistemim, dhe një vend për ruajtje dhe promovim.

Prezantimi i pasurisë së çmueshme

Edhe njohës të fushës së trashëgimisë kanë thënë për "Kosova Sot" se vendit i duhet një Muze i tillë. Ylber Vokshi, ekspert për trashëgimi, ka thënë për "Kosova Sot" se ekzistenca e një Muzeu Arkeologjik Kombëtar në Prishtinë do të kishte një vlerë të çmueshme, e cila do të trajtonte dhe do t'ia prezantonte së pari vendorëve e pastaj ndërkombëtarëve tërë ato pasuri arkeologjike që ekzistojnë dhe pritet të zbulohen në të ardhmen e afërme, nga ana e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Nëntoka jonë, ka thënë ai, fsheh shumë vlera të së kaluarës së saj, që nga kohët e vjetra parahistorike e deri në ditët e sodit, që padrejtësisht janë "harruar" dhe përvetësuar nga okupuesit e huaj të vendit në të kaluarën. Ai ka thënë se punimet arkeologjike në Kosovën e pavarur duhet gjithsesi intensifikuar, pasi dinamika e deritanishme është simbolike, duke marrë për bazë nga kush rrethohemi. Ndërsa, ndarja e mjeteve materiale, për të argumentuar të kaluarën e pasur historike të popullit tonë gjithsesi duhet të jetë prioritet i Qeverisë sonë, pasi zbardhja e të vërtetës historike shumëfish shpaguhet, si nga aspekti historik ashtu edhe nga aspekti i turizmit kulturor, me të cilin Kosova ka mundësi reale të mburret në të ardhmen. "Themelimi një Muzeu Arkeologjik Kombëtar tregon se sa ne jemi të përkushtuar për t'ia prezantuar botës identitetin tonë pellazgo-iliro-shqiptar, si dhe për t'u treguar të tjerëve se në këto toka kemi ekzistuar-frymosur me shekuj", ka thënë Vokshi, duke shtuar se aty, në një vend do të gërshetoheshin periodat historike që nga Neoliti, Periudha e Metaleve, Romake, Periudha e Antikitetit të vonë, Mesjeta dhe më tutje, sipas dinamikës së hulumtimeve dhe zbulimeve, të cilën sot duhet ta intensifikojmë, pasi nuk na ndalon dikush si përpara, pos vetvetes.

(Kosova Sot)