Interesim i vogël për Kosovën

  • 12 August 2017 - 09:12
Interesim i vogël për Kosovën

Shkrimtarja britanike Naomi Hamill ka promovuar të premten romanin e saj, "Si të jesh nuse kosovare". Një roman që sjell një tregim për dhe rreth Kosovës, i frymëzuar nga puna e saj në Kosovë dhe me shqiptarë, por edhe si qëllim që të huajt të dinë më shumë për shqiptarët. Kosova dhe shqiptarët jo pak herë kanë qenë në fokus të letërsive botërore. Ngjarjet e ndryshme që kanë karakterizuar zhvillimet politike në Kosovë kanë bërë që shkrimtarë të ndryshëm të shkruajnë vepra letrare, me ngjarje dhe personazhe nga Kosova. Në përgjithësi, vepra të tilla, edhe pse jo të shumta, janë frymëzuar nga karakteristikat që të huajt-shkrimtarët i kanë gjetur tek shqiptarët, i kanë dhënë botës një pasqyrë rreth dhe mbi shqiptarët. Në shumë raste për të mirë, e nganjëherë jo. Shumë prej studiuesve këtë e shohin si një favor që do të ndikonte për të mirën e imazhit të shqiptarëve të Kosovës, por edhe për vetë letërsinë shqipe të Kosovës, duke i dhënë asaj shanse për depërtim në vendet evropiane. Megjithatë, sipas tyre, fare pak vepra letrare të autorëve të huaj kanë tematika të tilla dhe edhe vlerësime të ndryshme lidhur me të mirat që një vepër e tillë, e shkruar nga të huajt sjell për Kosovën dhe qytetarët e saj. 

LIBRI I SHKRIMTARES BRITANIKE

Një nga qëllimet që i shtyjnë të huajt të shkruajnë për Kosovën, është që vendi nga vijnë ata, apo më gjerë të dijë për këtë vend, për traditat, dhe si një shtytje për të krijuar një imazh tek shoqëritë evropiane. Ky ishte edhe një nga qëllime që shkrimtaren britanike, Naomi Hamill e shtyri që të shkruante romanin e saj të parë "Si të jesh nuse kosovare". Gjatë prezantimit të librit të saj, të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe bashkëbisedimit me qytetarët, ajo e zbuloi vetë këtë fakt. Edhe pse kur kushte nisur të shkruante për Kosovën dhe njerëzit e saj, nuk kishe menduar t'i botonte ato. Duke folur për marrëdhëniet dhe atë çfarë kishte përjetuar në Kosovë, gjatë punës së saj, la të kuptohet se kishe mësuar shumë karakteristika për shqiptarët, të cilat kishte menduar se do të ishin me interes për lexuesin, jo vetëm britanik. "Këtë libër e kam filluar ta shkruaj gjatë kohës kur bëja studimet për master, por asnjëherë nuk kam pasur si qëllim ta botoj. Unë thjesht shkruaja për Kosovën nga ato që dija dhe kolegët, profesorët i pëlqenin dhe më inkurajonin të shkruaja më shumë", ka thënë ajo, duke treguar se audienca ka shprehur një interesim për këtë libër. 

IMAZHI POZITIV GJATË VITEVE

'90 Argjend Hasani, shkrimtar, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se aktualisht ka fare pak vepra në literaturën moderne ndërkombëtare, ku vlerësohet sa dhe si duhet Kosova, përkatësisht shqiptarët nga autorët e huaj. Sipas tij, duhet thënë se shqiptarët apo Kosova, një trajtim dhe vlerësim me imazh pozitiv kishte në vitet 89-99, ku shquheshin për organizim, humanizëm dhe trimëri. "Ndërsa sot, përveçse në udhërrëfyesit turistikë që vlerësohet, kultura, tradita, mikpritja, ngrohtësia, ndërsa në publikime të tjera fatkeqësisht, e sidomos pas dëmtimit të imazhit nga ngjarjet e vitit 2014 e këtej me afera korruptive dhe veprimeve jo të matura të spektrit politik, për imazhin e shqiptarëve nuk ka vlerësime të mira", ka thënë ai. Ndërsa, shkrimtari Zeqir Fazliu, duke folur rreth vlerësimeve mbi shqiptarët dhe Kosovën, ka thënë se, edhe pse e di mirë si prezantohen shkrimtarët dhe poetët shqiptarë në letërsitë e huaja, nuk do të flasë. Ai tha se disa poetë shqiptarë po i përkthejnë veprat e tyre me para në gjuhën rumanishte. Megjithatë, thotë ai, nuk po përkthen veprat më të mira. "Kosova është e hapur për të gjithë në të gjitha lëmenjtë e jetës, sepse këtu janë prezentë KFORi, EULEK-i, si dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare. Ndaj, është e natyrshme që Kosova dhe shqiptarët të jenë personazhe në shumë vepra letrare tek të huajt", ka pohuar shkrimtari gjilanas Zeqir Fazliu. 

(Kosova Sot)