Ministria e sukseseve të vogla

  • 12 August 2017 - 18:13
Ministria e sukseseve të vogla

BEHGJET BRAJSHORI - EKONOMIST

Prej pas luftës në Kosovë, burrat e kanë udhëhequr Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Në periudhën 2002-2004, ministër për Kulturë, Rini dhe Sport ishte Behxhet Brajshori. Madje, atëherë ishte emërtim tjetër i Ministrisë: Ministria për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Jorezidente. Nëse e lexojmë biografinë e tij zyrtarisht në linkun qeveritar, asnjë gjë nuk e ndërlidhte me trashëgiminë kulturore, artet pamore, teatrin, kinematografinë, baletin, operën, menaxhimin kulturor, etj. Nëse lexojmë biografinë e ish- ministrit Brajshori, ishte magjistër i shkencave ekonomike. Në kohën kur drejtonte Ministrinë për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Jorezidente, ai nuk kishte përfunduar ndonjë drejtim bile në menaxhim të përgjithshëm, aq më pak në menaxhimin e kulturës. Tek në vitin 2009, 5 vjet pas mbarimit të mandatit si ministër për Kulturë, sipas biografisë që e prezanton për publikun, bëhet doktor i shkencave ekonomike, drejtimin Ekonomik/Menaxhment dhe Informatikë. Imagjinoni pastaj se si ishte bërë zëvendësministër i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, po ashtu pa ndonjë sfond të ngushtë profesional me këtë ministri. Ai drejtoi Ministrinë për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Jorezidente në kohën e administrimit të UNMIK-ut dhe kompetencave krejtësisht në dorën e ndërkombëtarëve, prandaj përgjegjësia mbi mënyrën e qeverisjes së kulturës, adresohej më pak drejt tij. Thuajse të gjithë ministrat burra dhe gruaja e parë si ministre për kulturë, rini dhe sport ishin nga radhët e LDK-së. Është figura e rrallë e cila nuk është lakuar partiakisht sikur të gjithë të tjerët, pavarësisht bindjeve të tij personale, të shprehura në mënyrë private apo publike, për atë apo këtë parti.

ASTRIT HARAQIJA - ASKUSH NUK FLET PËR PROFESIONIN E TIJ

 Ministri tjetër në periudhën 2004-2007 po ashtu ishte burrë. Astrit Haraqija u bë ministër i njohur më shumë me dukjen e stilin e tij, 'vathin', moshën, sesa për ndonjë kreativitet në politikat e tij qeverisëse kulturore. Qeverisja e tij e kaluar në kulturë u bë me njollë të zezë pasi ai ishte dënuar me kusht, për shkak të keqpërdorimeve që ishin bërë me një kontratë të pazbatuar në vlerë prej 220 mijë eurosh për një film-projekt "Ndjekja e Larës", dhe një tjetër në vlerë prej 350 mijë euro për filmin-projekt "Mysafir në sofër", duke mos e aplikuar Ligjin për Prokurimin Publik. Emri i tij në shumë medie lakohet edhe si 'sekser', për shkak të deklaratave dhe hetimeve për një proces të privatizimit, i akuzuar nga drejtuesi i AKR-së, si ndërmjetësues i dyshuar për afera korruptive në procesin e privatizimit të hotel "Grandit", dhe po ashtu në rastin e hetimeve për keqpërdorimin masiv me vizat italiane, bashkë me deputetin Ukë Rugova. Haraqija edhe sot përflitet me mahi në rrjetet sociale dhe disa medie elektronike, si 'sekser' dhe askush nuk e merr seriozisht për ta analizuar punën e tij të dikurshme si ish- ministër për Kulturë, Rini dhe Sport.

SKËNDER HYSENI - I DIPLOMUAR NË GJUHË DHE LETËRSI ANGLEZE

Edhe ministri pas Haraqisë ishte po ashtu burrë. Skënder Hyseni ishte edhe ministër për Kulturë, Rini dhe Sport. Me profesionin si përkthyes dhe me prapavijë universitare për gjuhë dhe letërsi angleze, Hyseni kalonte herë në Ministrinë për Kulturë, herë në Ministrinë për Punë të Jashtme, herë në Ministrinë për Punë të Brendshme. Ka këtu edhe një gjë për të qeshur: ministri për Punë të Jashtme bëhet pas pak edhe ministër për Punë të Brendshme! Në rrafshin qeverisës kulturor, Hyseni nuk la ndonjë gjurmë të rëndësishme në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Ishte vetëm një vazhdimësi e punës së mëhershme, por edhe jetëgjatësia e tij në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport nuk ishte më shumë se një vit, pasi ishte ministër vetëm në periudhën 2007-2008.

VALTON BEQIRI - MAGJISTËR I KOMPOZIMIT

Edhe pas Hysenit, vjen një ministër burrë. Valton Beqiri mbante postin e ministrit në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport në periudhën kohore 2008- 2010. Ai vinte nga një profesion më elitar edhe brenda fushës së muzikës, për dallim nga këngëtari i popullarizuar në dasma e këngë dashurie përvëluese Labinot Tahiri, deputeti i ri në Kuvendin e Kosovës. Beqiri kishte magjistruar në fushën e kompozimit. Por, as kjo nuk e ndihmoi të bënte ndonjë ndryshim në politikat qeverisëse kulturore të MKRSsë. Atij po ashtu i mbeti një hije e zezë me ish- ministrin Haraqija, i dënuar me kusht, për filmat e pabërë dhe dëmtimin e buxhetit të Kosovës për projekte të parealizuara.

LUTFI HAZIRI - ME STUDIME PËR BIOLOGJI

Pas Vlora Dumoshit, ministri me postin më jetëshkurtër si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të regjistrohet Lutfi Haziri. Aktualisht, ai është kryetar i Komunës së Gjilanit. Ai qeverisi me MKRS-në prej muajit prill 2010 gjer në muajin tetor të të njëjtit vit. Sikur Skënder Hyseni që vjen fill pas Hazirit, me postin më jetëshkurtër, ashtu edhe për muajt e qeverisjes së kulturës nga Haziri, nuk ka ndonjë periudhë të gjatë për ta vlerësuar si ministër për Kulturë. Mirëpo, Haziri as profesionalisht dhe as me ndonjë gjë tjetër, nuk ndërlidhej me njohjen e qeverisjes së kulturës. Madje, në qytetin e Gjilanit ka drejtuar Komunën gati një mandat të plotë me ushtrues detyre në Drejtorinë për Kulturë dhe me ushtrues detyre edhe në Teatrin e Qytetit, duke e shkelur ligjin. Mbetet ndër figurat me reputacionin më të dobët në fushën e kulturës në nivel lokal. Ka eksperimentuar dëmshëm edhe me lloj-lloj emërimi të ri, jo Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport, jo Taskë Forca për Kulturë, Rini dhe Sport, jo pastaj shpërbënte Taskë Forcën, etj. Ai u premtonte zgjidhje aktorëve të qytetit, zemërohej me kritikat e aktorëve duke u marrë edhe me vlerësimin e performancës së aktorëve vetëm se ishin kritikë ndaj tij! Haziri nuk ka lënë asnjë gjurmë relevante në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, por as edhe nuk ka qeverisur gjatë me këtë ministri, për pak muaj. Ishte absurde kur bëhej një kërkesë, nuk jepte asnjë përgjigje edhe pse kërkesa ishte deponuar në Qendrën për Shërbime të Qytetarëve, madje edhe kur i dilte 'seen' në mesengjerin e faqes zyrtare në fcb, bënte bllok aplikuesin e kërkesës, pa ia kthyer edhe një përgjigje me refuzim të plotë! Tërësisht i papërgjegjshëm ndaj kërkesave të qytetarëve!

MEMLI KRASNIQI - I MAGJISTRUAR NË MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE

Ministri i rrallë nga radhët e PDK-së për Kulturë, Rini dhe Sport, ishte Memli Krasniqi. Ai qeverisi në periudhat shkurt 2011 - dhjetor 2014. As në kohën e tij, as kohët e të tjerëve, nuk kaluan shumë projekte të rëndësishme kapitale sikur ndërtimi i objektit për balet dhe operë. Memli ishte njohur më parë si reper, i cili bënte tekste e video-spote e tekste me fjalë më pak banale e vulgare se të tjerët. Në aspektin profesional, përjashto përvojën e tij si reper në grupin "Ritmi i rrugës" dhe formimin e tij familjar me libra, letërsi e aktrim, më shumë do t'i shkonte ndonjë çështje drejtuese në politikë të jashtme, sesa në menaxhimin kulturor. Sipas biografisë së tij, ai kishte përfunduar studimet për shkencat politike dhe administratë publike brenda vendit dhe kishte magjistruar në marrëdhëniet ndërkombëtare në Mbretërinë e Bashkuar. As Memlin dhe as ministrat e tjerë e ministren e vetme femër, nuk e shoh ndonjë model se si duhet të drejtohet MKRS-ja.

KUJTIM SHALA - KRITIK LETRAR

Është pritur shumë më shumë nga ministri Kujtim Shala. I pasionuar në studimet e tij për letërsi, së paku në politikat mbi librin, projektet kulturoreletrare dhe botimet, do të mund të bënte shumë më shumë ndryshime në kursin qeverisës kulturor, por nuk do të mbahet mend për ndonjë veçanti qeverisëse. Shala është ministri i fundit, i cili pasi zgjodhi postin e deputetit, duhej të dorëhiqej nga posti i ministrit në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Kryeministri Mustafa e emëroi këto ditë Vlora Dumoshin si ministre në detyrë të MKRS-së, pas caktimit të Shalës për të mbetur deputet, për ta siguruar vazhdimësinë e tij politike e financiare në fund të mandatit!

LIRIE KAJTAZI - GRUA ME POSTIN MË TË LARTË SI ZËVENDËSMINISTRE PËR KULTURË

Në pozitën më të lartë hierarkike në këtë ministri, në postin si zëvendësministre për Kulturë, Rini dhe Sport, në periudhën dyvjeçare 2008-2010, ka qenë Lirie Kajtazi, deputete e LDK-së dhe kryetarja e Forumit të Gruas në Gjilan. Zonja Kajtazi nuk ishte fare me ndonjë profesion që ndërlidhej me kulturën, me përjashtim të angazhimit të saj para luftës në Këshillin Komunal për Kulturë në vitet 1996-1999 dhe drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, në periudhën 2001-2003, sikur e shpjegon në biografinë e saj zyrtare, pasi kishte studiuar për biologji. Ka 7 vjet që një kullë e filluar në kohën e saj në Gjilan, punimet të kenë vazhduar vetëm gjatë këtij muaji dhe ajo mbahet në mend edhe për këtë zvarritje, ndonëse në aspektin njerëzor, vlerësohet si një person shumë i mirësjellshëm. Arsyeja pse duhet ta themi këtë është për faktin e keqkuptimit të madh që ekziston te një pjesë e feminizmit të verbër dhe militant, të cilët besuakan se femrat nëse udhëheqin domosdoshmërisht drejtojnë më korrekt një ministri, departament, shtet, etj., dhe një keqkuptimi tjetër, se mjafton 'njeri i mirë', për të qenë edhe politikan i suksesshëm!

VLORA DUMOSHI - MINISTRJA E PARË FEMËR DHE ME POSTIN MË JETËSHKURTËR

 Dumoshi kishte drejtuar Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës. Ajo do të mbetet me postin më jetëshkurtër si ministre për Kulturë, Rini dhe Sport, madje më të shkurtër sesa kolegu i saj partiak, Lutfi Haziri. Nuk mbahet në mend për ndonjë menaxhim efikas, kreativ dhe aktiv në Drejtorinë lokale për Kulturë të kryeqytetit dhe s'mund të pritet asgjë as edhe për këto pak ditë a javë që do ta udhëheqë MKRS-në. Ajo në fakt do të mbetet kurioziteti historik dhe i dyfishtë i MKRS-së: femra e parë si ministre për Kulturë, Rini dhe Sport dhe ministrja femër me postin më jetëshkurtër në historinë e kësaj ministrie.

(Kosova Sot)