Arti shpirtëror dhe komunikimi artistik

  • 13 August 2017 - 08:29
Arti shpirtëror dhe komunikimi artistik

Pa mëdyshje, arti shpirtëror është drithërima më e lartë kreative. Ai, zaten, është "pirgu" më i lartë i kreativitetit ndiesor. Ky kreativitet i shprehur në veprën artistike, kërkon mendjen e krijuesit të talentuar, i cili, në të vërtetë, rrëfen, flet, fisnikëron dhe emocionon shpirtëroren e shikuesit. Andaj, arti shpirtëror do të jetë i qëndrueshëm, nëse është i shprehur me drithërimën më të lartë të shpirtit dhe mendjes së krijuesit.

ARTI SHPIRTËROR

Gjithsesi, arti shpirtëror është madhështia më e lartë e kreativitetit të krijuesit. Ai është "pirgu" më i ndritshëm i kreativitetit sensitiv e ndiesor i artistit. Kjo "brendi rrezatuese", në mendjen e krijuesit, gjithmonë ekziston si energji, ndjesi, etje apo dhembje e lartë shpirtërore. Këtë art ndiesor dhe këtë dhembje shpirtërore nuk mund ta ketë secili krijues i artit pamor. Këtë art, pra shpirtëror, do ta kenë vetëm ata krijues, të cilët në brendinë e vet e kanë "kataklizmin" më të lartë ndiesore. Kjo brendi e lartë ndiesore, përherë do të materializohet, me anë të ngjyrës, drurit apo gurit. Dhe, ajo gjithsesi do të shprehet me anë të mjeteve artistike; vijës, formës, ritmit, fakturës dhe kompozicionit. Në këtë drejtim, këtë shpërfaqje të lartë ndiesore dhe shpirtërore, secila kohë i pati shenjat dhe karakteristikat e veta komunikuese. Dhe, gjithsesi,këto shenja shprehëse ndryshonin në vartësinë kohore. Dhe, shih për këtë; të tjera shenja pati Baroku, Klasicizimi, Romantizmi, Ekspresionizmi dhe krejtësisht të tjera pati arti modern. Pa mëdyshje, këto shenja të ngacmimit të lartë shpirtëror e patën ecejakun e vet. Megjithatë, ato gjithnjë shprehën drithërimën më të lartë kreative. Sigurisht, për ta krijuar artin më të lartë shpirtëror e ndiesor, duhet gjithsesi një përjetim, qasje, drithërimë dhe komunikim i lartë i formësimit artistik. Fatmirësisht, me këtë komunikim të lartë të formësimit artistik në Kosovë, ekzistojnë një numër bukur i mirë i krijuesve pamorë. Megjithatë, fatkeqësisht, te ne ekzistojnë edhe një numër bukur i madh i krijuesve pamor, që nuk janë thellësisht të motivuar shpirtërisht, ose nuk kanë imagjinatë të lartë kreative. Të tillët vazhdimisht huazojnë ide dhe forma kreative nga krijuesit e tjerë. Ky huazim shpeshherë i tepruar e çon krijuesin, në dekadencë, mashtrim dhe huazim të ideve të huaja! A thua, deri kur të tillët do ta mashtrojnë vetën, por edhe shikuesit, duke huazuar (vjedhur) ide dhe elemente artistike nga krijuesit e tjerë? Dhe, pse bëhet kjo dhe deri kur të vazhdojë ky bastardim?

ARTI SHPIRTËROR NUK KRIJOHET PA TALENT

 Është fare e kuptueshme, se arti shpirtëror nuk mund të krijohet pa talent drithërues, pa përkushtim vetëmohues dhe pa angazhim të lartë komunikues. Sigurisht kjo shprehje e lartë drithëruese do të lindë vetëm nga motivi i brendshëm shpirtëror. Këta krijues kreativë, me këtë shprehje të lartë rrëfimore, janë shumë të rrallë. Ata, besa, tani edhe mund të mos hetohen. Ata, sigurisht, do të hetohen më vonë, kur do të analizohet kreativiteti i gjithmbarshëm i krijuesit (piktorit). Arti e bën krijuesin e lirë. Pra, të lirë në shpërfaqje dhe në mbarshtrimin e komponentëve të formësimit ndiesor e artistik. Megjithatë, kjo liri kërkon qasje reale dhe në anën tjetër, ngritje profesionale në zbulimin e estetikës ndiesore e artistike. Dhe, ky art i bukur do të krijohet, kur të rrokë drithërima prekëse. Pra, kur të preket shpirti dhe ndiesohet mendja. Sigurisht, do të krijohet edhe atëherë, kur gjithnjë ekzistojnë lëvizjet shpirtërore dhe, me këtë, do të lindë ideja e idealizmit ndjesor dhe përmbajtësor . Dihet mirëfilli se ky art i bukur drithërues nuk mund të krijohet pa brendi talentuese dhe pa njohje të përgjithshme artistike dhe estetike. Pra, krijuesi nuk mund ta krijojë veprën artistike nëse botën e vet drithëruese e shikon në veprat e artistëve të tjerë! Ai duhet ta ketë gjithmonë botën e vet, drithërimën dhe ndiesimin e lartë ndiesor. Dhe, mu këtu është ai ndiesimi talentues dhe formësimi artistik, për një shprehje idealizuese dhe formësim të lartë përmbajtësor.

SHPIRTËRORJA, DRITHËRIMA MË E LARTË E KRIJUESIT

 Kreativiteti artistik, i krijuar nga krijuesit e formësuar me brendësi dhe intimitet senzitiv e ndiesor,është një shpërfaqje drithëruese, me të cilën mund të krijohen vepra omonime , të cilat krijohen nga shpërfaqja idilike dhe nga shpirtërorja e rezonuar e krijuesit. Megjithatë, këtë shpirtërore, me ndiesim të lartë ndjesor nuk mund ta ketë secili krijues. Atë e kanë vetëm krijuesit e mirëfilltë, që në vete e kanë intimitetin dhe rrëfimirën e lartë shpirtërore. Pra, vetëm ata, mund ta shpërfaqin ndiesimin e lartë shpirtëror. Vetëm ata e kanë këtë "kataklizëm" drithërues që do të realizohen me ngjyrë, formë, kompozicion dhe komponentë të tjerë artistikë. Këta komponentë të realizuar bukur do ta bëjnë veprën më të realizueshme dhe, kuptohet, më të qëndrueshme. Zaten, veprat artistike, të krijuara nga krijuesit sensibilë, me një brendësi të lartë idealizuese ftojnë shikuesin për të qenë analizues i denjë i veprës së krijuar. Këto vepra të realizuara bukur do të jenë përherë në raporte, koloristike, valoristike, ritmike, por besa edhe psikologjike. Pra, shpirtërorja është "pirgu" më i lartë i krijimit. Andaj, lirisht mund të themi, se shpirtërorja është drithërima më e lartë kreative. Zaten, ky kreativitet i lartë i shprehur në veprën artistike kërkon mendjen e krijuesit të talentuar, i cili, në të vërtetë rrëfen, flet, fisnikëron, ndieson dhe emocionon shpirtin dhe mendjen e shikuesit. Pa mëdyshje, këtë fisnikërim të lartë shpirtëror dhe këtë rrëfim të lartë ndjesor do ta vërejmë shumë bukur në veprat omonime të krijuesve; "Mona Liza" e Leonardos, "Davidi" i Mikelangjelos, "I urituri" i Paskalit, "Guernika" e Pikasos. "Elegji për Kosovën" e Emrës. "Hamalli" i Mulliqit, "Autobiografi" e Xhafës, e në ndonjë tjetër. Në këto vepra omonime me shpërfaqjen më të lartë ndjesore, vërehet ndjeshëm, shpirtërorja më e lartë sensitive e krijuesve madhor. Veprat e tyre, përherë do të mbesin rrezatimi më i lartë i ndjesimit ndjesor. Andaj, sot e gjithmonë arti shpirtëror do të jetë i bukur dhe i qëndrueshëm, nëse është shprehur me ndiesimin më të lartë idealizues. Nëse në të është "kataklizmi" i lartë shpirtërore. Apo nëse në të është shprehur me drithërimëm më të lartë të shpirtit kreativ. Sigurisht, tani e gjithmonë këto vepra të realizuara me ndiesim shpirtëror do të rezonojnë e do të rrezatojnë gjithnjë me bukurinë e lartë artistike, sensitive, ndiesore dhe, sigurisht, me idealizëm të lartë kreativ. Ndaj, vetëm kjo shpërfaqje e lartë artistike do të peshojë në ndjenjat tona artistike dhe estetike, por edhe të shikuesve artistikë, të cilët janë të shumtë në Kosovë dhe të cilët vazhdimisht presin vepra cilësore dhe sasiore nga krijuesit tanë artistikë…

Image

 

(Kosova Sot)