Institucionet shtetërore, pa vizion për zhvillimin e turizmit kulturor

  • 14 August 2017 - 08:49
Institucionet shtetërore, pa vizion për zhvillimin e turizmit kulturor

Prizreni vazhdon të prijë me interesimin e turistëve vendas dhe të huaj

Çështja e turizmit kulturor dhe puna e institucioneve për të shtyrë zhvillimet në këtë fushë të rëndësishme për zhvillim, po vazhdojnë të komentohen në mënyra të ndryshme nga njohës të turizmit dhe potenciale kulturore që ka vendi. Për shumicën prej tyre, institucionet nuk janë duke bërë edhe aq shumë për turizmin kulturor, pavarësisht renovimeve dhe ndërhyrjeve të shuma në institucione dhe lokalitete arkeologjike. Prizreni vazhdon të prijë me interesimin e turistëve vendas dhe të huaj, sidomos për pasurinë e madhe që ka nga trashëgimia kulturore, edhe pse mungojnë statistika për të pasur një pasqyrë të saktë, e cila pastaj do t'u hynte në punë institucioneve për të hartuar politika për zhvillimin e turizmit kulturor. 

Mundësi të mira për zhvillimin e disa llojeve të turizmit

Shkëlzen Rrecaj, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për 'Kosova Sot", ka thënë se shteti i Kosovës nuk po mund të krijojë mundësi të mira për të tërhequr vizitorë të huaj. Edhe pse, ka thënë ai, Kosova është hapësirë e vogël gjeografike, por e pasur me natyrë të bukur, me objekte të vjetra etj., e cila ofron mundësi të mira për zhvillimin e disa llojeve të turizmit. Sipas Rrecajt, një ndër arsye se pse autoritetet kosovare nuk po bëjnë sa duhet në zhvillimin e turizmit kulturor është mungesa e vizionit të institucioneve të vendit, të cilat nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Arsye tjetër, ka pohuar më tej ai, është se nuk e dinë rëndësinë e turizmit, nuk janë të interesuara ta promovojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare në këtë mënyrë, e kjo tregon që nuk janë të interesuar që të investojnë në këtë sektor. "Paramendoni kur kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, nuk ka zyrë turistike, ku turistët së pari zbresin në kryeqytet pastaj për të eksploruar në qytetet e tjera të vendit dhe nuk e dinë ku të drejtohen, s'ka kush t'i orientojë, përveç guidave private. Pra, të gjitha qeveritë e Kosovës deri më tani kanë dështuar në zhvillimin e këtij sektori", ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", Shkëlzen Rrecaj. 

Përfitime të shumta nga turizmi

Më tej ai ka pohuar se shtetet e ndryshme përfitojnë të hyra qindramilionëshe nga turizmi, një shembull i mirë janë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat nga prodhimi i naftës kanë kaluar tek turizmi ku ky vend tashme pikën kryesore dhe të hyrat kryesore i ka nga turizmi. "Kështu edhe Kosova do të përfitonte shumë më shumë nga turizmi po të investonte dhe po t'i kushtonte rëndësi të madhe. Në Kosovë ka plot vende të bukura për t'i vizituar që as vendasit ende s'i kanë shkelur ato, prandaj duhet t'i kushtohet vëmendje më të madhe, pasi sot shtetet të botës po i japin shumë rëndësi turizmit, pasi po sjell përfitime dhe po e rrit punësimin", ka thënë ai. Edhe Emin Sahiti, njohësi i fushës së trashëgimisë në një prononcim për "Kosova Sot", ka pohuar se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për këtë fushë. Sidomos në fushën e interesimit për potencialet që ka Kosova për turizmin dhe trashëgiminë. "Gjatë këtyre muajve të verës më ka rënë të takojë shumë bashkatdhetarë tanë të rinj, të cilët nuk kishin asnjë informacion për Shpellën e Gadimës", ka pohuar Sahiti.

Janë rinovuar objekte të trashëgimisë kulturore

Megjithatë, përpjekjet janë bërë, sidomos në renovim të trashëgimisë kulturore. Valon Shkodra, ekspert dhe studiues i fushë së trashëgimisë kulturore, në prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se është duke u bërë një punë e mirë! Janë rinovuar një numër i madh i objekteve të trashëgimisë kulturore, gjë që e mundëson rritjen e numrit të turistëve. Ai ka thënë se duke bërë hulumtime në këtë fushë mund të themi se turizmi në Kosovë është në rritje të vazhdueshme, por kjo nuk do të thotë që ne të jemi të kënaqur me kaq! "Nevojitet të bëhet marketing më i madh, po ashtu nevojiten që t'i ofrojmë turistëve për të qëndruar më gjatë. Tani në shumë vende të botës turizmi është ekonomia e parë e shtetit, mendoj që edhe ne mund ta arrijmë për një kohë, sepse të gjitha mundësitë i kemi", ka thënë, duke shtuar se kohëve të fundit çdo ditë e më tepër po mbahen aktivitete të ndryshme kulturore, kjo ndikon shumë në largimin e paragjykimeve te turistët e në anën tjetër bëhet një pasqyrë më e mirë për shtetin më të ri të Evropës.

(Kosova Sot)