Mbi 100 albanologë zbarkojnë në Prishtinë

  • 15 August 2017 - 09:02
Mbi 100 albanologë zbarkojnë në Prishtinë

Sivjet është pranuar numër rekord i kërkesave për pjesëmarrje në kurset e shqipes

Qindra albanologë nga mbarë bota janë mbledhur të hënën në Prishtinë, për të marrë pjesë në edicionin e 36-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që nisi punimet në Fakultetin e Filologjisë. Drejtues të institucioneve shtetërore, arsimore-shkencore dhe kulturore në vend, edhe një herë kanë vlerësuar seminarin si një nga institucionet kryesore shkencore dhe kulturore në vend, që ka rëndësi për studimet shkencore jo vetëm të Albanologjisë. Sipas tyre, ardhja e albanologëve të huaj për më se 4 dekada ka qenë dobiprurës në shumë drejtime, duke i shndërruar albanologët e huaj si një nga urat më të dobishme në mes të vendeve nga vijnë ata dhe të Kosovës. Edhe këtë vit numri i pjesëmarrësve do të jetë mbi100, edhe pse kërkesat ishin shumë më të mëdha. Ndërsa, aktivitetet për edicionin e 36-të do të jenë të shumta. Që nga organizmi i kurseve për mësimin e shqipes, në tri nivele, ligjëratave, sesioneve, ligjërimeve dhe shumë aktivitete të tjera që janë paralajmëruar nga organizatorët gjatë dy javësh, sa do të mbahet ky aktivitet

Tubim i lartë shkencor

Duke përshëndetur dhe hapur edicionin e sivjetmë të këtij seminari, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ka thënë se Fakulteti i Filologjisë, si themelues i Seminarit, do të vazhdojë të frymojë me produktin e tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht. Ajo e ka përshkruar seminarin si një rrugëtim të vështirë, me peripeci, por në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë. Seminaristët janë përshëndetur edhe nga ministri i Arsimit në detyrë, Arsim Bajrami, i cili ka thënë se Seminari tanimë është shndërruar në një institucion të veçantë në Republikën e Kosovës."Seminari ka kaluar nëpër faza shumë të rëndësishme të zhvillimit të Kosovës, duke dhënë kontribut dhe duke mbledhur albanologë nga e gjithë bota për Albanologjisë", tha ai, duke premtuar ndihmën e institucioneve për këtë seminar. 

Vizioni i dëshmuar i themeluesve

Ismet Salihu, kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se Seminari është lindur në UP dhe kuadri dominant që ka mbajtur seminarin janë pikërisht profesorët e këtij universiteti. Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Hivzi Islami, ka veçuar rëndësinë dhe të arriturat e këtij seminari që nga themelimi, duke pohuar se me punën e tij dhe të arriturat e tij po vërtetohet dhe dëshmohet se akademikët Idriz Ajeti dhe Rexhep Ismajli patën të drejtë që morën nismën për themelimin e tij shumë vjet më parë. "Akademikët atë kohë gjetën gjithë mbështetjen e ish-drejtuesve të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, drejtuesve të atëhershëm të arsimit dhe të kulturës, si dhe të faktorit politik të saj kohë, pasi pa mbështetjen e fuqishme të tyre Seminari as nuk do të ishte themeluar, as nuk do të ishte zhvilluar, pasi kishte një kundërshtim të fuqishëm të Beogradi. Por, udhëheqja e atëhershme e amortizoi atë ndërhyrje", ka thënë ai. Ndërkaq, drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, ka pohuar se këtë vit drejtoria ka pranuar numër rekord të kërkesave për pjesëmarrje në kurset e shqipes. Ai ka thënë se, pavarë- sisht vështirësive të shumta, Seminari i ka sfiduar ato, duke ecur përpara.

Aktivitetet dhe historiku

Gjatë edicionit të sivjetmë, sipas organizatorëve, do të mbahen në sërë aktivitetesh, si kurse të gjuhës, në tri nivelet, ligjërata të veçanta nga gjuhësia, letërsia dhe kulturologjia, referime shkencore, tryeza të ndryshme, e shumë aktivitete të tjera. Edhe këtë vit do të mbahen sesionet shkencore. Temë bosht nga gjuhësia do të jetë "Qendrat e zhvillimit të shqipes", nga letërsia "Fakti dhe fiksioni në letërsi", kurse nga Kulturologjia tema bosht është "Media dhe identiteti kulturor". Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974, pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari i ka zhvilluar gjithsej 35 sesione. 

(Kosova Sot)