Cilët aktorë nuk mund të mbajnë mend tekstin dhe cilët po

  • 15 August 2017 - 17:42
Cilët aktorë nuk mund të mbajnë mend tekstin dhe cilët po
Image

 

TOM CRUISE

Ka shumë rrëfime, disa prej tyre mjaft bizare, në lidhje me këtë aktor. Por, kësaj here do të kufizohemi vetëm te tema. Merret vesh se, gjatë bërjes së filmit "Days of Thunder", ku Tom Cruise luan rolin e Cole Trickle-it, një shoferi të ri në skenën NASCAR. Ky është një film i mirë edhe sipas kritikëve. Por, ajo që nuk dihet, është se, meqë skenari i këtij filmi u ndryshua disa herë gjatë bërjes së tij, Cruise kishte problem me mbajtjen në mend të tekstit të tij. Ai kishte provuar të ngjiste copa letre në veturë, por e kishte pasur të vështirë që të lexonte dhe të voziste në të njëjtën kohë. Këtë problem ai, më në fund, e kishte tejkaluar duke vënë një aparat të vogël në vesh, me anë të të cilit ia lexonin tekstin për skenat problematike.

Image

 

RITA ORA

Këngëtarja dhe aktorja Rita Ora në rend të parë njihet për zërin e saj, por ajo ka pasur edhe disa paraqitje interesante në film, sikur që është roli i motrës së Christian Grey-it, Mia, në trilogjinë "Fifty Shades of Grey". Ky ishte produksioni më i madh në të cilin kishte punuar ajo ndonjëherë. Përpos që kishte pasur probleme me mbajtjen mend të tekstit, Rita Ora e kishte pasur vështirë edhe të "qëndronte në karakter" gjatë tërë kohës, gjë që, midis tjerash, nënkuptonte edhe të fliste me theks amerikan. Edhe kjo ka pranuar se në disa skena ka mbajtur aparatin në vesh, me anë të të cilit ia lexonin (transmetonin) tekstin e filmit. Edhe pse roli i saj nuk ishte ndër kryesorët, Rita thotë të ketë pasur probleme me mbajtjen mend edhe të fjalive të shkurtra.

Image

 

BRUCE WILLIS

Edhe pse mund të nënkuptohet edhe pa e thënë, ka dallime midis aktrimit në skenë dhe punës në një film. Njëri prej dallimeve është se, në shfaqje, nuk mund ta përsëritësh një skenë disa herë. Në film, edhe nëse gabon, mund ta përsëritësh skenën përsëri. Nëse një gjë të tillë tentoni ta bëni në Broduej, atëherë karriera juaj do të jetë shumë e shkurtër. Shfaqja e parë e aktorit Bruce Willis në Broduej ishte ajo me titullin "Misery", bazuar në një libër të shkruar nga Stephen King dhe në një film me në rolet kryesore James Caan dhe Kathy Bates. Thënë shkurt, rrëfimi i këtij filmi flet për një shkrimtar, i cili në fakt mbahet rob nga një adhuruese e çmendur e librave të tij. Willis gati në tërësi ishte kritikuar për këtë rol, sidomos për faktin se ishte folur shumë rreth problemeve që i kishte pasur ai me mbajtjen në mend të tekstit të tij. Ka edhe të tillë që thonë se ai as që ishte gërzhitur ta mësonte tekstin.

Image

 

 AL PACINO

Derisa disa aktorë nuk mund ta mbajnë mend tekstin e tyre meqë janë nën ndikim të drogës, e disa të tjerë as që marrin mundin ta mësojnë atë, ka edhe të tillë që e japin maksimumin për ta mësuar tekstin, por nuk ia dalin kësaj pune. Në rastin e Al Pacinos, këto probleme mund të kenë ardhur me moshë. Duke qenë afër të të 80-tave, ai ishte ylli i shfaqjes së Broduejit, "China Doll", e cila u dha në vitin 2015. Dhe, sipas shumë njerëzve që e panë atë në skenë, aktrimi i tij ishte i tmerrshëm. Al Pacino nuk e kishte idenë se çka ishte duke thënë. Atij nuk i mjaftoi vetëm aparati në vesh, por kërkoi edhe shumë ekrane (teleprompter), të pozicionuar gjithandej. Kjo mund të duket e çuditshme, meqë Pacino ka pasur disa prej teksteve më të vështira në botën e filmit (merreni shembullin e filmit "Scarface" dhe fjalimin "Inches" nga "Any Given Sunday"). Duhet të jetë pleqëria!

Image

 

ROBERT DE NIRO

Janë të rrallë aktorët që mund të maten me legjendarin Robert De Niro. Performanca e tij ka qenë e shkëlqyeshme që nga debutimi i tij në vitet 1960. Ai ka pasur aq shumë role filmike, saqë është vështirë të mbahen mend të gjithë, por ndër rolet e tij më të mira kanë qenë rolet e meshkujve të ashpër, duke përfshirë edhe filmat, si "Heat", "Casino" si dhe filmin "Goodfellas". Natyrisht, duhet përmendur edhe rolin e tij në filmin "The Deer Hunter" dhe atë në filmin ikonë "Taxi Driver". Në këtë film të regjisorit Martin Scorcese, De Niro vjen me rolin e Travis Bickles, një veterani të ri të ushtrisë me ca probleme mendore dhe me një neveri për degradimin moral të cilin e sheh rrugëve të qytetit të Nju Jorkut. Me gjasë ju kujtohet skena kur ai flet me veten në pasqyrë. Të gjitha ato fjalë i kishte sajuar vetë aktori. Pra, ai nuk ka nevojë fare për tekst.

Image

 

MATT DAMON

As Matt Damonit thuajse nuk i duhet aspak teksti. Ai improvizon dhe këtë e bën goxha mirë. Në fund të viteve 1990, karriera filmike e Matt Damonit dukej se nuk kishte të ndalur. Ai u bë njëri ndër emrat më të mëdhenj në shoubiznis."Saving Private Ryan" ishte filmi më i mirë i vitit 1998 dhe njëri ndër filmat më të mirë të të gjitha kohëve. Dhe, përkundër faktit që Damon pati një rol relativisht të vogël në këtë film, ishte një skenë e veçantë që tregonte aftësitë e tij në ekran. Para sulmeve finale në qytet, ushtari Ryan (Damon) ka një bisedë me kapitenin Miller (Tom Hanks), ku i kujton vëllezërit e tij të vrarë në fushëbeteja të tjera të luftës. Në këtë rrëfim përfshihet një kujtim rreth njërit prej vëllezërve të tij, i cili ishte zënë duke 'u sorollatur' me një vajzë jo aq të pashme. Skena ishte improvizuar, por regjisorit Steven Spielberg i pëlqeu ajo aq shumë, sa që e mbajti edhe në versionin final të filmit.

(Kosova Sot)