Pa një ekspozitë të përhershme të etnologjisë shqiptare

  • 17 August 2017 - 09:07
 Pa një ekspozitë të përhershme të etnologjisë shqiptare

Kristaj: IAP-i nuk ka kuadro gjithaq të mjaftueshme

nstituti Albanologjik i Prishtinës ruan në kuadër të tij një pasuri të vlefshme etnologjike shqiptare. Artefaktet qindravjeçare, shumë të rralla, ruhen në salla të shpërndara dhe të sistemuara për të përballuar kohën. Por, IAP-i ende nuk ka mundur të krijojë një ekspozitë të përhershme, gjë që jo vetëm sipas drejtuesve të këtij institucioni, por edhe ekspertëve të fushës kjo ka pasur një vlerë të madhe, pasi gjithç- ka aty është origjinale shqiptare. Instituti disa herë u është drejtuar institucioneve qeveritare për të marrë një ndihmë për sistemimin e kësaj pasurinë në një ekspozitë të përhershme, por deri më sot nuk ka gjetur mbështetjen e duhur. Kohë më parë ka qenë Ministria e Kulturës që i është përgjigjur kërkesë së IAPI-it për ekspozitën etnologjike, por kjo ndihmë është solide dhe nuk mjafton për synimet e institutit. Përderisa zyrtarë të tij presin edhe alternativa të tjera për të mundësuar hapjen e kësaj ekspozite të përhershme, ekspertë dhe studiues të fushës presin që IAP të arrijë synimin, duke e prezantuar këtë pasuri edhe për publikun, pasi, sipas tyre, aty ruhen thesaret më origjinale etnologjike shqiptare.

Lajçi: Një numër i konsiderueshëm i eksponateve etnologjike me rëndësi të veçantë gjenden në IAP

Mbi 200 eksponate të ndryshme etnologjike ruhen në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe një pjesë e madhe e tyre i janë dhuruar institutit nga Don Nikë Ukgjini, i cili ka mbledhur gjëra të vlefshme në malësinë e Pejës. Etnologu Bashkim Lajçi, shef i Degës së Etnologjisë në IAP, ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se IAP ruan një numër të konsiderueshëm të eksponateve etnologjike me rëndësi të veçantë. Ai ka thënë se rëndësia e artefakteve etnologjike që gjenden në pronësi të Institutit Albanologjik është e madhe, sidomos kur të kihet parasysh larushia e artefakteve si dhe përmbajtja e tyre! "Numri i tyre arrin diku rreth 250 dhe si të tilla ato janë material i mirë për hapjen e një ekspozite, me karakter të përhershëm!", ka thënë ai, duke shtuar se kjo ekspozitë do të organizohet në një ambient të përshtatshëm, me të gjitha elementet që i nevojiten një ekspozite profesionale dhe bashkëkohore! Por, për realizimin e këtij projekti, ka thënë ai, Instituti u është drejtuar edhe institucioneve përkatëse për ndihmë, sidomos Ministrisë së Kulturës, e cila i është përgjigjur kërkesës me një ndihmë simbolike."Por, kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme për konkretizimin e projektit në fjalë! Mbesim me shpresë se do të ketë edhe reflektime të tjera nga kjo ministri apo ndonjë institucion tjetër përkatës", ka thënë Lajçi. 

Veshjet e traditës së Vuthajve

Kurse për ekspertë dhe njohës të fushës së etnologjisë IAP duhet të krijojë kushte që kjo pasuri të ekspozohet edhe për publikun. Meqë gjithçka që është aty është origjinale dhe tashmë vështirë të shihet apo gjendet në ambiente të tjera. Frrok Kristaj, publicist, krijues dhe njohës i fushës së trashëgimisë, ka thënë për "Kosova Sot" se IAP-i e ka sektorin e etnologjisë, bile tash e shumë vjet IAP-it i është falur një fond shumë i pasur me veshje të traditës së Vuthajve. Sipas tij, këtë gjest e ka bërë Don Nikë Ukgjini, që dikur ka shërbyer në Kishën e shën Katarinës në Pejë dhe nga aty ka qenë përgjegjës edhe për kishëzën në Vuthaj. Tani Ukgjini shërben në Kukël, afër Lezhës, ku e ka themeluar edhe muzeun e don Ndre Mjedës. "Dhurata që ia bëri dr. don Nikë Ukgjini IAP-it edhe sot e kësaj dite është e mbyllur në një dhomë dhe vizitorët nuk kanë qasje në të. Ky fond edhe sot e kësaj dite nuk u është prezantuar të interesuarve në lokalet përcjellëse të IAP-it, edhe pse dihet se ky institucion ka lokale të mjaftueshme për prezantimin për kohë të caktuara të eksponateve", ka pohuar Kristaj, duke shtuar se me kuadrot jo gjithaq të mjaftueshme, të cilat i disponon IAP-i, ka mundur të bëhet edhe më shumë sesa që është punuar deri më tash.

(Kosova Sot)