Asnjë dokumentar për mbijetesën e arsimit shqip

  • 18 August 2017 - 09:32
 Asnjë dokumentar për mbijetesën e arsimit shqip

Shatrolli: Ka mjaft materiale dhe dëshmi për të bërë një film]

Kinematografia kosovare ka dështuar t'i japë vendit dhe botës një film, qoftë artistik apo dokumentar, mbi organizimin e sistemin paralel arsimor gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Historia e arsimit shqip në Kosovë vazhdimisht ka prodhuar ngjarje të rënda për popullin shqiptar, sidomos shtatori i viti 1991. Atëherë autoritetet pushtuese serbe uzurpuan shkollat në vend, duke mos lejuar mësuesit dhe nxënësit shqiptarë të hyjnë në objektet shkollore. Kjo ishte një nga goditjet më të rënda për pop ullin e Kosovës, pas suprimimit të antonimisë nga serbët. Por, nuk vonoi shumë dhe në fillim të vitit 1992 organet e atëhershme të Kosovës u organizuan, duke krijuar një sistem paralel të arsimit, pavarësisht dhunës serbe. Ky akt i ndërmarrë nga shqiptarët në kohën e rezistencës, pavarësisht të metave, pati rëndësi mjaft të madhe për rrugën e vendit drejt lirisë. Por, sikur shumë ngjarje me rëndësi kombëtare, edhe kjo ende nuk është përjetësuar nga kinematografia kosovare. As ndonjë film dokumentar apo artistik.

Dembelia artistike

Për kineastët dhe kritikët tanë të filmit mungesa e një filmi mbi arsimin në kohën e rezistencës është për keqardhje. Siç janë shprehur ata, në vend ka dhjetëra e dhjetëra televizione, përveç atij publik, dhe qindra produksione filmike. Kurse shteti ndan një ndihmë të madhe për zhvillimin e filmit për Qendrën kinematografike. Gjenerata e ardhshme dhe të huajt duhet të dinë për sakrificën që bënë shqiptarët në Kosovë për të mbajtur arsimin gjallë. Ndërsa arsyeja e dështimit ka adresa të ndryshme. Për Naser Shatrollin, skenarist dhe kritik filmi, mospasja e një filmi të tillë deri më tani është për keqardhje, derisa ka thënë se ka mjaft materiale dhe dëshmi për të bërë një film të tillë. Shatrolli, i cili edhe vetë ishte pjesë e sistemit arsimor paralel si student, shprehet se ka shumëçka nga ajo periudhë për ekranizimin, duke përmendur edhe emocionet tronditëse shpirtërore të asaj kohe, si student dhe përjetimet që edhe sot i kujtohen në atë kohë, përjetime, siç ka thënë ai, që nuk i përthekon dot lapsi. "Ka materiale të regjistruara, të cilat meritojnë të punohen, analizohen të shtehëzohen e kurohen. Historinë e bëjnë artistët në liri, andaj një tentim profesional për të krijuar këtë mbijetesë studentore do të ishte elegji për ekranin", ka thënë ai. 

Neglizhenca shtetërore

Dan Ibrahimi, studiuesi dhe kritik, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se janë të shumta arsyet përse kinematografia e Kosovës nuk ka bërë ndonjë film serioz jo vetëm për periudhën në fjalë të arsimit, që pa dyshim si temë është shumë interesante dhe shumë e rëndësishme."Në radhë të parë Qeveria dhe Ministria e Kulturës nuk janë të interesuara për kulturë dhe në këtë kontekst as për kinematografinë. Filmi kërkon kalkulime të rëndësishme mjetesh, temash, autorësh, skenarësh, regjisorësh etj. Thjesht nuk ka vullnet kulturor nga pushtetet e njëpasnjëshme për 18 vjet me radhë", ka potencuar Ibrahimi. 

(Kosova Sot)