Emri i Çabejt, sinonim i autoktonisë së shqiptarëve

  • 19 August 2017 - 09:25
Emri i Çabejt, sinonim i autoktonisë së shqiptarëve

P akkush është kujtuar për të shënuar 37= vjetorin e vdekjes së njërit nga shkencëtarët më të mëdhenj të studimeve albanologjike, Eqrem Çabej. Puna e tij shkencore ka një rëndësi të madhe për kombin shqiptar. Edhe sot tezat e tij shkencore mbi shqipen, prejardhjen dhe çështje të tjera konsiderohen të pakontestueshme. Sidomos në kohën kur në çarqe të ndryshme shkencore e pseudoshkencore po qarkullojnë 'studime' e pohime lidhur me shqipen, prejardhjen e saj, deri tek luhatjet mbi standardin e shqipes. Gushti është muaj kur lindi, por edhe i vdekjes së shkencëtarit Çabej. Edhe sot, përfundimet dhe rezultatet e tij shkencore mbi shqipen dhe studimet e tjera për shkencat e tjera albanologjike ruajnë freskinë e tyre dhe pakontestueshmërinë, duke e bërë kështu një nga dijetarët më të mëdhenj shqiptarë. Albanologët shqiptarë dhe të huaj vazhdojnë ta çmojnë kontributin shkencor të Çabejt në shumë dimensione, veçmas studimet gjuhësore, të cilët, sipas tyre, e avancuan shumë gjuhësinë shqiptare.

"REZULTATET E TIJ SHKENCORE ISHIN REFERENCË E GJUHËTARËVE DHE ALBANOLOGËVE MË TË SHQUAR"

Në një prononcim për "Kosova Sot", gjuhëtari Naim Berisha, hulumtues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se Eqrem Çabej ishte një dijetar i madh dhe personalitet i veçantë. Veprimtarinë e tij, ka thënë ai, e karakterizon shumësia e interesimeve, duke përmendur edhe vlerësimin e M. Lambercit për Çabejn që ka thënë se Eqrem Çabej tregon një përzierje të lumtur të gjuhëtarit, të folkloristit e të letrarit". Cilësi tjetër që e karakterizon veprën e tij, ka pohuar më tej Berisha është fakti se ai është studiuesi që u mor me çështjet themeltare. "Në kuadër të kësaj, duke dhënë rezultate të shumta në shumë drejtime, sidomos në gjuhë, ai hapi shtigje e i çoi përpara studimet për prejardhjen e shqipes. Krahas kësaj, veprimtaria e Çabejt ka shumë rëndësi edhe për gjuhën letrare dhe ishte mbrojtësi dhe promovuesi kryesor i idesë për një gjuhë të përbashkët letrare", tha ai, duke shtuar se veprimtaria e tij shquhet për nga gjerësia dhe thellësia e hulumtimeve shkencore, që njëkohësisht janë të një rëndësie të veçantë kombëtare. Ndërsa, ka thënë se rezultatet e tij shkencore janë mjaft të rëndësishme për faktin se profili shkencor i E. Çabejt ishte i përmasave botërore, të atëhershme, por edhe të sotme. "Rezultatet e tij shkencore ishin referencë e gjuhë- tarëve dhe albanologëve më të shquar që njihen deri më sot, të huaj dhe vendës", ka thënë gjuhë- tari Berisha.

ÇABEJ KA DHËNË KONTRIBUT TË JASHTËZAKONSHËM NË FUSHË TË FILOLOGJISË

Ndërsa, studiuesi Skënder R. Hoxha ka thënë për "Kosova sot", se albanologu ynë i mirënjohur dhe njohësi i gjuhëve indoevropiane, Eqrem Çabej, me kontributin e tij dhënë gjuhës shqipe mbetet përgjithmonë ndër emrat më të spikatur e të respektuar prej studiuesi e shkencëtari, ndër ne dhe më gjerë. Ai ka shtuar se kur ishte në të njëzetat e jetës së tij, kreu disa punime serioze e udhëhapëse në fushën e folklorit, etnografisë, mitologjisë dhe historisë së letërsisë shqipe, që u botuan kryesisht në një numër revistash shkencore evropiane. " Ato punime janë pjesë e pandarë e truallit kërkimor mbi të cilin do të lartohej ngrehina e tij e papërsëritshme albanologjike. Vepra e Eqrem Çabejt na del si një kapital për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe përcakton përmasat e formimit të shkencëtarit", ka pohuar Hoxha, duke shtuar se në vitin 1952, Çabej nisi të merrej me studimin e vendit të formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, të cilës iu kthye në mënyrë të përsëritur si një problem madhor i historisë së shqiptarëve. Ato 3-4 punime, sipas krijuesit dhe studiuesit Hoxha, që do t'i botonte lidhur me këtë temë gjatë viteve 50-60 janë gurthemeli i teorisë së sotme plotësisht shkencore të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre. Në këtë mënyrë, ka thënë më tej ai, nga vitet 60 emri i Çabejt ishte bërë sinonimi i autoktonisë së shqiptarëve.

NJË KONTRIBUT SHKENCOR ÇABEJ DHA EDHE NË FOLKLOR, ETNOGRAFI DHE HISTORI TË LETËRSISË

Kurse shkrimtari dhe kritiku Ismet Tahiraj në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Çabej dha një kontributi të çmuar për jo vetëm për gjuhësinë shqiptare. "Kontributet e tij shkencore janë të rëndësishme për gjithë shqiptarët, sepse me to u herr bari i keq nga gjuha shqipe. Çabej beri një pune tepër të madhe me unisimin e gjuhës sonë vuri standardet e nevojshme te gjuhës", ka thënë ai, duke shtuar se studimet e tij dhe kontributi shkencor duhet të pasohen nga studime të brezave të sotme dhe të ardhme, sidomos në pasurimin gjuhës, leksikun dhe pasurimin e mëtejmë të standardit gjuhësor që ishte edhe synim i vetë Çabej. Eqrem Çabej, sipas shumë prej studiuesve të shqipes, është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Kryesish iu kushtua gjuhësisë, ku soll mjaft studime për problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, si dhe studime krahasimtare mes saj dhe gjuhëve të tjera, por edhe në përgjithësi studime gjuhësore krahasimtare. Veprat e tij studimore që lanë gjurmë janë "Meshari" "Hyrje në Indoevropianistikë", "Hyrja në historinë e gjuhës shqipe", "Fonetika historike e shqipes", "Studime etimologjike në fushën e shqipes", etj. Një kontribut shkencor dha edhe në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. 

(Kosova Sot)