Arti si fshehtësi e lartë estetike

  • 20 August 2017 - 12:32
Arti si fshehtësi e lartë estetike

Secila kohë i pati krijuesit e vet. Ata u përpoqën t'i paraqesin momentet dhe ngjarjet më specifike të asaj kohe. Dhe, ishin barometrat më realistë të asaj kohe. Ata sakrifikuan çdo gjë për t'i paraqitur ato ngjarje dhe atë kohë. Pra, ishin në njëfarë mënyre njohësit më specifikë të asaj kohe. Dhe, rrjedhimisht, ia dolën që të jenë rrë- fyesit më të mirë të asaj kohe. Këtë, sigurisht, e bënë krijuesit dhe arti i tyre i mirëfilltë. Ky art, zaten u përcoll, nëpër kohë dhe, sigurisht, nëpër drejtime artistike të artit. Shprehja e tyre u përcoll me një vetëdije të lartë kreative, meqë të tjera shenja të kohës ishin të Romantizmi, të Barokut, të Rokokos, të Renesansës dhe krejtësisht të tjera janë të artit modern. Andaj, secila kohë e pati ngacmimin e vet kohor për ta shprehur intuitën shpirtërore të asaj kohe. Zaten, këto momente ekzistuese, gjithnjë e ngacmuan dhe e detyruan krijuesin që të jetë rrëfimtarë të atyre momenteve jetësore.. Pra, arti është një fshehtësi e lartë estetike, që shpërfaqet me ndijimin më të lartë shpirtëror. Ai, pra, është intuitë që të bren. Intuitë që të pushton. E, krijuesi krijon në çdo kohë. Në çdo mes. I vjen momenti për ta shfaqur atë ide ose atë mendim, ai, pra, duhet ta shfrytëzojë këtë ide dhe këtë të pathënë, meqë më vonë do të humbet dhe nuk mund ta gjejmë më. Kjo është pikënisje e krijimit dhe, kuptohet, bazament i veprimit.

LIRIA E KRIJUESIT PËR TA SHPREHUR MENDIMIN E VET

Gjithsesi, krijuesi është i lirë për ta shprehur mendimin dhe drithërimën e vet ndjesore. Dhe, aty s'ka ligje universale. Aty ka ligje vetjake. Pra, ide dhe shpërfaqje vetjake. Sigurisht, kjo "brendi" e trazuar, krijuesin asnjëherë nuk e lë të qetë. Megjithatë, ai do të krijojë kur diçka e brendshme e detyron shpirtëroren e tij që të veprojë. Pa mëdyshje, kjo brendësi e trazuar shpirtërore, krijuesin e bren për të vepruar. Dhe, në këtë kontekst, Aristoteli ka thënë: "Puna e një poeti [krijuesi] nuk është të tregojë atë që ka ndodhur, por atë që mund të ndodhë, do të thotë, gjërat që mund të ndodhin sipas gjasës dhe mundësisë". S'do mend se krijuesi e krijon veprën [pikturën] në kohë. Ai në të sigurisht e paraqet kohën. Dhe, ndonjëherë, koha e dirigjon krijuesin. E, mu për këtë, ai asnjëherë nuk guxon të heshtë. Atë, askush nuk guxon ta shmang nga krijimtaria. Andaj, mu për këtë shteti duhet t'i përkrah dhe vazhdimisht duhet ndihmuar që të krijojnë vepra artistike. Megjithatë, ne në Kosovë, krijuesit nuk përkrahen aq sa duhet dhe aq sa meritojnë. Ata duhet përkrahur sidomos në çështje materiale. Kosova ka krijues të mirëfilltë. Ata, zaten, përherë me krijimtarinë e vet artistike, demonstruan shpërfaqje të lartë kreative, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Kreativiteti i krijuesve tanë, pa mëdyshje, është i një niveli shumë të lartë. Ata për çdo vjet ekspozojnë veprat e tyre, si në ekspozita individuale, po ashtu edhe në ato kolektive. Dhe, ata, përherë janë të kyçur, për t'i ekspozuar veprat artistike, si në Galerinë e Arteve të Kosovës, po ashtu edhe në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. Në këtë rrafsh, mendoj se Galeria e Arteve të Kosovës, tregohet disi më e ngurtë dhe nuk u jep hapësirë të mjaftueshme krijuesve vendorë, por më tepër atyre ndërkombëtarë. Andaj, në të ardhmen është mirë t'u çelet udha më tepër edhe krijuesve vendorë. Se dihet mirëfilli se ka mjaft krijues vendorë të cilët janë të interesuar që të ekspozojnë në këtë galeri. Megjithatë, Galeria e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë, për çdo vit e kryen misionin e vet me përpikëri. Ajo, përherë u jep hapësirë krijuesve, e sidomos të rinjve. Dhe, mu për këtë duhet falënderuar këtë Galeri, për përkrahjen e krijuesve tanë. ''Artisti, pra, duhet ta dashurojë jetën dhe ta tregojë atë sa e bukur që është. Përndryshe, ne do të dyshonim në të'', kështu thotë Anatole France. Ose thënia e V. Gogut, "Të komponosh një pikturë është po aq vështirë, sa të zbulosh një diamant". Dhe, në këtë drejtim thënia e Pikasos është me vlerë të madhe. "Unë nuk kërkoj, por gjej". Pra, duke pikturuar, gjej atë që po e kërkoj, atë që po e synoj. Andaj, secila kohë dhe secili krijues e ka domethënien dhe rëndësinë e vet. Por, e ka edhe porosinë e vet. E, nëse vepra nuk e ka këtë porosi, ajo nuk mund të quhet vepër e lartë artistike.

VEPRA ARTISTIKE DUHET TA KETË DOMETHËNIEN DHE POROSINË E VET

Secila kohë i ka krijuesit e vet. Dhe, secila kohë e ka kohën e vet. Andaj, në secilën kohë u paraqitën krijuesit që me veprat e tyre tu përmbajtën kohës në të cilën ata krijuan. Pra, ishin konkretizuesit më të mirë të asaj kohe. Nëpër këtë kohë u dalluan edhe shumë krijues që me veprat e tyre e paraqitën kohën, jetën, erën dhe drithërimën më të lartë të asaj kohe, si p.sh.: Pablo Pikaso [Guernika], Abdurrahim Buza [Shqipëria vallëzon], Tahir Emra [Elegji për Kosovën], Muslim Mulliqi [Hamalli], Xhevdet Xhafa [Autobiografia], Masar Caka [Ferexhet]…të cilët me shpërfaqjen më të lartë ndjesore, në veprat e tyre, treguan kohën, jetën dhe ngjarjet e ndryshme kohore. Dhe, ia arritën që me veprat e tyre të jenë konkretizuesit më të mirë të asaj kohe. S'do mend se këtë kreativitet, ata e treguan, me idilin më të lartë shpirtëror. Ky përjetim i lartë drithërues, u paraqit në shumë vepra të krijuesve kosovarë që treguan vazhdimisht kohën e vështirë të jetesës dhe të mbijetesës. Andaj lirisht mund të themi se arti është drita e shpirtit të secilit popull dhe populli pa atë dritë nuk do t'i njihte shtigjet e së kaluarës, të së tanishmes dhe të së ardhmes. Këtë vazhdimisht e bëri arti, i cili ishte dhe mbeti konkretizuesi më i mirë i secilës kohë.

(Kosova Sot)