"OSCAR"-i, i largët për filmat kosovarë

  • 23 August 2017 - 08:37

Tre filma kosovarë deri më tani janë lajmëruar të jenë pjesë e konkursit të sivjetmë të Qendrës Kinematografike, prej të cilëve do të dalë edhe filmi që do të përfaqësojë vendin në garën e çmimeve prestigjioze amerikane "OSCAR". Konkursi mbetet i hapur deri më 10 shtator. Sido që të jetë, 3 filma në konkurrencë për në "OSCAR" dhe eventualisht një i katërt janë një sukses jo i vogël për kinematografinë tonë. Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka bërë të ditur për "Kosova Sot", se interesimi i konkurrentëve është i mirë, duke pohuar se gjithçka është në rregull me tri propozimet. QKK-ja tashmë ka edhe jurinë që do të merret me përzgjedhësin e filmit për në "OSCAR". Zharku, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se deri më tani janë tri propozime që kanë arritur në qendër si pjesë e konkursit nga ku do të dalë edhe fituesi që do të udhëtojë për në "OSCAR". "Deri më tani janë 3 projekte filmime, që janë interesuar për aplikim për 'OSCAR'. Ato janë: "T' padashtun" nga Edon Rizvanolli, "Eho" nga Dren Zherka dhe "Histori maje kulmi" nga Gazmend Nela. Që të tre këto projekte janë mbështetur nga QKK-ja dhe i plotësojnë kriteret", ka thënë drejtori Zharku

"Shteti duhet të investojë shumë në film"

Ndërsa, kineastët dhe filmbërësit kosovarë shprehen se vendit i duhet shumë për të bërë për të dërguan një propozim serioz për në "OSCAR", pasi, përveç nivelit artistik, duhet edhe një lobim shumë serioz dhe mbështetje financiare. Gjë që për kineastët tanë është vështirë se mund të arrihet deri në atë pikë sa të kemi një propozim serioz për çmimet prestigjeve të kinemasë amerikane. Regjisori Besim Ugzmajli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nuk është i mjaftueshëm vetëm niveli artistik dhe teknik i filmit për të qenë pjesë në Akademinë "Oscars".Sipas tij, janë shumë segmente të tjera të rëndë- sishme në mënyrë që një film kosovar të zërë vend në këtë konkurrence, duke filluar prej historisë së filmit, në aspektin e sukseseve të atij filmi në festivale të rëndësishme botërore, mandej është shumë e rëndësishme nëse filmi ka një distributor shumë serioz, që do të bëjë një strategji shumë të mirë marketingu, sepse, siç ka thënë ai, dihet mirëfilli që në nivelet e larta të konkurrencës, siç është "OCARS", është vështirë për të siguruar një numër të anëtarëve të akademisë për ta shikuar filmin. Skenaristi dhe kritiku i filmit, Naser Shatrolli ka thënë se secili kineast dhe filmëbërs në vend e di peshën e garës "OSCAR". "Më duket mbase dhe paksa komike nëse themi se a kemi film për formate të tilla festivalesh. Secili kineast e di cila është pesha e atij festivali, ndërsa puna që bëhet këtu në proporcion me pistën e atij ekrani të madh është marramendë- sisht e disbalancuar", ka pohuar ai. Kurse dramaturgu Sokol Plakolli, duke folur nga perspektiva e një artisti të lirë ka thënë se kinematografia jonë ende nuk është gati për të dërguar film në një garës apo festival si është ajo "OSCAR".

Skenarët e dobët dhe regjisorët jo të zotë janë "dergja" më e madhe e filmit kosovar

Ndërsa mjeshtri i fotografisë Fahredin Spahija, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se do të ndihet i nderuar nëse kinematografia kosovare do të prodhonte një film konkurrent të denjë për "OSCAR". Por, sipas tij, filmbërja apo industria filmike tek ne po përjeton dy kriza paralele dhe se duhet akoma kohë derisa të arrijmë tek një shprehje origjinale, e cila më pastaj do të cilësohej si "shkolla kosovare e filmit", Sipas tij, skenarët e dobët dhe regjisorët jo të zotë janë, siç është shprehur ai, "dergja" më e madhe e filmit kosovar dhe kjo vjen si pasojë e një shkollimi të dobët. "Fakulteti i Arteve, në përgjithësi, më shumë ngjason në një institucion social ku njerëzit (profesorët) angazhohen sa për t'u "rehatuar" e për të marrë një rrogë sesa për të krijuar kuadër të përgatitur mirë për artet që mësohen në te", ka thënë ai, duke shtuar se pa një reformim të thellë të Fakultetit të Arteve nuk mund të presim ndonjë film të mirë edhe për një kohë të gjatë! Ndërsa shpëtimin nga kjo, sipas tij, e bëjnë vetëm kooproduksionet dhe bashkëpunimi me regjisorët dhe skenaristët e huaj, të cilët këtë punë dinë ta bëjnë larg më mirë se ne. "Fundja, këtë e kanë dëshmuar dy filmat më të suksesshëm në pasluftën e Kosovës, "Shok" dhe "Home", të cilët janë kooproduksione dhe me regji e skenar të bërë nga të huajt. Bile, filmi "Home" kudo nëpër portalet e huaja as që cilësohet si film kosovar, por si film britanik!", ka thënë Spahija.

(Kosova Sot)