Fyerje ndaj figurës së Adem Jasharit - Kulturë - Kosova Sot
Fyerje ndaj figurės sė Adem Jasharit

Fyerje ndaj figurės sė Adem Jasharit

E dhe një shtatore qesharake dhe fyese ndaj komandantit legjendar Adem Jasharit e ngritur më 2012 në fshatin Radushë të Shkupit, me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Shtatorja ka madhësi prej dy metra e pesëdhjetë centimetra, ndërsa në vete mban mbi 280-300 kilogramë rrjetë çeliku si dhe ka çimentokrom dhe disa aditive të tjera. Në atë kohë disa folën fjalë miradije për anën estetike të shtatores, disa të tjerë qenë më realistë, sepse realizmin artistik e quajtën: "Marre dhe marrëzi, përmendore qesharake." A qëndron kjo? Natyrisht, ngjan me tendencën e skulpturave realosocialiste. Në anën tjetër, figura e Ademit duket si xhuxhë, apo babadimër, ose një meksikan i vogël, apo trup valltari tejet vital. Asnjërën nga këto nuk i posedonte heroi Adem Jashari. Për mua kjo është një fyerje e rëndë ndaj figurës së tij. Skulptori merr guxim të tallet me figurën e Ademit, dhe Ademi po qe i gjallë, ta shihte veten në këtë art, do qeshej me siguri ose të ndjehej i turpëruar. E dyta, shtatorja u ngrit në fshat në një hapësirë tejet të ulët, mirëpo figura siç ishte Ademi meriton hapësira urbane, por kjo është ajo më e pakta krahas anës estetike realizuese shëmtuese të shtatores. A ngjan shtatorja me heroin Jashari? Pothuajse fare. Edhe këtu përmasat devijojnë trupore derisa skulptori i saj Selam Mustafi kishte tendencë të krijonte një realizëm minimal, sepse çdo gjymtyrë trupore është shumë e vogël, ose ca të tjera janë më të mëdha. Është degradim total i figurës së Adem Jasharit. I mungon jeleku antiplumb, të cilin heroi gjithmonë në beteja e përdorte, dylbitë janë të fëmijëve, duken si lodër në shtatore, pastaj plumbat janë të mbështjella rreth dorës, a në realitet Ademi i ka mbajtur rreth qafës, pistoleta është shumë e madhe, dhe kjo përdorej në filma vizatimorë, tranformers. Pastaj i mungon edhe pjesa e mjekrës që e kishte shumë të theksuar. Mustaqet janë, kjo s'mund të mohohet. Koka është shumë e madhe në raport me trupin, duart janë tejet të shkurtra dhe masa e trupit është e vogël.

SKULPTORI NUK PUNOI SHUMË PËR NJË FIGURË SIÇ ISHTE ADEMI

Nëse vështrohet nga poshtë pak do të vërejmë karakterin e tij, sepse duhet të rritet figura nga distanca e tokës, ajo humbet në perspektivë, e në këtë rast Ademi qëndron sipër mbi tank. Nëse flasim për karakterin e tij duhet të paraqesim anën luftarake, qe vizionar i luftës, por edhe familjar i mirë, dhe i dashur për të gjithë. E tërë skulptura është një shëmti disproporcionale, aspak estetike. Çfarë kishte thënë në media skulptori Mustafi për artin e tij? Ai kishte menduar se njerëzit kanë prapavijë dhe qëllime jo të mira. Të gjithë mund të kenë, vetëm shqiptarët jo. Kjo nuk mjafton të arsyetohet një skulpturë e dobët. Ai madje kërkonte se ku ka gabuar? Shumë e lehtë, syri më i thjeshtë e vëren. Madje, shumë fëmijë e identifikonin si babadimër ose si ndonjë xhuxhë i borëbardhës. Fyerje e rëndë kjo. Skulptori, po të kishte ndërgjegje, do punonte shumë më shumë për një figurë siç qe Ademi. Unë si qytetar jam jashtë mase i fyer me një shtatore të tillë. "Këto që u thanë janë ngatërresa politike, kurse unë kam tentuar të bëj një Adem Jashari në Maqedoni, të gjallë, të lëvizshëm, jo-statik, promotor i lëvizjes çlirimtare shqiptare. Për mua si artist është shumë me rëndësi simbolika", ishte shprehur skulptori. Shtatorja as nuk është në lëvizje e as statike, është qesharake. Kurse pjesa simbolike nuk e di se ku vërehet në këtë shtatore, ndoshta vetëm në emër dhe mbiemër, kurse pjesën artistike fare. Ky është pseudomonument, zotëri skulptor, dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të ngrihen kundër një përqeshjeje ekstreme banale që i bëhet heroit. Qytetari këtu duhet të ulërijë sikurse në pikturën e Munkut, zëri i tij ta shkulë këtë objekt talljeje, apo mjerim të vuajtur.

TË HIQET AI "MONUMENT BASTARD"

Ademi nuk e ka merituar një gjë të tillë, zotëri skulptor. Ky në shtatore s'mund të jetë as Charlie Chaplin, askush zotëri. Adem Jashari ishte shtatmadh, i plotë. Suzana Varvarica Kuka, pedagoge e historisë së artit në Tiranë, shtatoren e ka quajtur në një tekst "Monument bastard". Dhe, vërtet është i tillë nga ana estetike. "Ju lutem, në emër të artit dhe të asaj që dinë të bëjnë artistët profesionistë shqiptarë hiqeni atë katrahurë mjetesh luftarake", shkruan Kuka. Nëse respektohet thellë Jashari, duhet të hiqet kjo karikaturë, të punohet një tjetër, ashtu si vërtet e identifikon figurën e tij madhështore. "Ju, që e inauguruat dhe ai njeri anonim e mjeran që e ka kryer atë zallamahi figurative, do të jeni gjithmonë të gjykuar nga një pjesë e denjë e shoqërisë shqiptare", shprehet ajo. Edhe janë të gjykuar, gjykimet nuk do ndalen derisa të hiqet ky marifet. Në shqiptarët e Kosovës edhe sot krijojmë art të lirë. Përse qëndrimi i Adem Jasharit t'i kthehet skulpturave socialreliste të Shqipërisë? Nejse, është vetëm në këtë rrugë e jo tamam ashtu siç e theksova. P.sh., dora e skulpturës në këtë rast nuk kanoset, simbolikën e dorës e ka lënë ta gjejnë vetë njerëzit. Këtë skulptori e lidh me 2001-shin, kur ushtarët e UÇK-së marrin tanket e forcave të armatosura maqedonase. Kjo simbolikë i bartet shtatores që mban armatim të lehtë, e që bëri punë të madhe. Pastaj, pjesa e këmbës së ngritur lart, tentohet t'i jepet gjallëri shtatores, të jetë në lëvizje mbi tank, i cili është material tjetër krahas me skulpturën, e imazhi këtu na del si kiç tipik. Nuk ka ndërlidhje fare kjo. Mjekra i mungon, kjo ndonëse e qëllimshme nga skulptori, sepse kur ishte në Kukës të Shqipërisë, kishte vetëm mustaqe. Këtë fizionomi e trajtoi skulptori, por ai mbahet mend me mjekër, dhe nuk e di pse e ktheu në kohë Adem Jasharin. Kurse pjesa proporcionale e tankut me shtatoren, nëse shikohet nga poshtë në relief të drejtë duket si lojë fëmijësh krahas me figurën. Pse figura ka dalë e shëmtuar? Mund jetë edhe materiali, i cili nuk modifikohet dy herë, duhet njohuri për konstruksionimin e fizionomisë. Skulptura është realizuar për 4 muaj.

NJERËZIT QË JANË KUNDËR ARTIT SHQIPTAR

Nuk e di përse figurat e heronjve bien në duar të skulptorëve amatorë, të cilët marrin guxim me fare përgjegjësi edhe të arsyetohen në medie kinse duhet kuptuar konceptin e jo pamjen, a skulptura identifikohet me plastikën e saj. Këta njerëz janë kundër artit shqiptar dhe disi gëzohen me këtë tallje të mjerë. Publiku krenohet me figurën, por duhet të reagojë kundër realizimit të dobët. Kjo nuk po ndodh në Maqedoni. Vërtet nuk e di si mund të kënaqet një artist me një shtatore aq të shpërfytyruar, aq turp të dhimbshëm. Unë këtë nuk mund ta quaj vepër arti e as skulpturë, vetëm një shëmti e qëllimshme, ose e pavetëdijshme, por nuk mjaftohet me kaq, sepse ajo tashmë ka zënë hapësirën. Skulptorët amatorë, përjashtuar disa autodidaktë, të cilët i bastardojnë heronjtë përmes shtatoreve të dobëta, nëse ju ofrohet ndonjë punë e madhe si kjo, duhet të heqin dorë, sepse komisionet si duket janë edhe më të papërgjegjshme për këtë. Unë ndjehem tepër i fyer, dhe nga revolta reagoj, sepse nuk është kushdo Gjergj Kastrioti, Adem Jashari, Ismet Jashari, janë figura që meritojnë shtatore realiste me përmasa natyraliste. Edhe politika shqiptare e Maqedonisë, por edhe ajo e Kosovës, në tërësi e trojeve shqiptare duhet të ndjehet e fyer, por edhe e zemëruar ndaj këtyre shëmtive artistike. Ju lutem rrënojini shtatoret e dobëta sa më parë, krijoni shtatore të merituara, sepse jemi komb që meritojmë artë të mirëfilltë.

(Kosova Sot)

6 orë e 5 minuta më parë