Filmi i bllokuar brenda "mureve" kosovare - Kulturë - Kosova Sot
Filmi i bllokuar brenda "mureve" kosovare

Filmi i bllokuar brenda "mureve" kosovare

Kinematografia kosovare vazhdon të jetë pak tërheqëse për shikuesit. Pavarësisht se produksioni filmik në vend vazhdon të rritet, filmi kosovar nuk zgjon ndonjë interesim. Skenarët e dobët, regjia që lënë shumë për të dëshiruar, dhe loja e aktorëve janë një nga shkaqet pse filmi ka mbetur i bllokuar brenda 'mureve' kosovare. Bile një nga arsyet bazë është mungesa e skenarëve të mirë, ku tregimet që dalin nga to janë jo të trajtuara si duhet dhe mjaftë të varfra. Këtë pohim e mbështesin dhe kineastët tanë, sipas ta cilëve kinematografia jonë po kalon një krizë të thellë e të vazhdueshme, duke mos arritur të marrë rrugën e duhur siç e kanë vendet e rajonit. Për më tepër, kanë thënë ata, kjo kinematografi ka rënë në një letargji, e cila nuk mund t'i kalojë as vitet e 70-ta, kur ka funksionuar "Kosovafilmi".

Të dhënë pas kopjimit të skenarëve

Në një prononcim për "Kosova Sot", kritiku i filmit, Ilir Muharremi, ka thënë se për fat te keq ne ende nuk kemi një kinema cilësore. Faji, ka thënë ai, është te skenarët e dobët, sepse, siç ka vazhduar ai më tej, regjisorët shkruajnë vetë, luajnë vetë e bëjnë edhe kostumografinë vetë. Pra, që të gjitha vetë. "Ne kemi shumë tema dhe duhet vetëm të dimë si t'i trajtojmë, t'i shtrijmë përmes personazheve dhe kompozicionit dramatik. Dialogjet janë shumë të zbehta, të dobëta dhe pa interes. Personazhet s'kanë kurrfarë biografie në film. Nuk dimë t'i ndërtojmë, t'i thellojmë ", ka thënë Muharremi. Sipas tij, në Kosovë si skenaristët, ashtu edhe regjisorët lakmojnë shumë pas kopjimit të skenarëve dhe regjisë. E keqja, ka shtuar më tej ai, që tani duan të marrin çmime. "Këtu i marrin, sepse manipulojnë komisionin. Por, në Evropë as në rreth të ngushtë s'mund të afrohen. Bosnja diti ta trajtojë mirë temën e luftës në filmin 10 minutash. Ne nuk dimë as luftën e as heronjtë t'i paraqesim. Ne dimë vetëm t'i shëmtojmë. Kemi regjisorë, që e shëmtojnë realitetin, nuk janë të aftë ta zbukurojnë, sepse arti zbukuron", është shprehur Muharremi.

Kurdisja e projekteve

Kurse regjisori Mahir Musliu ka thënë për "Kosova Sot" se kinematografia jonë po kalon një krizë të thellë e të vazhdueshme, sepse, siç ka potencuar ai, nuk po arrin të marrë rrugën e duhur siç e kanë vendet e rajonit. "Madje ajo ka rënë në një letargji, e cila nuk mund t'i kalojë as vitet e '70-ta, kur ka funksionuar 'Kosovafilmi', e që njihet si një epokë e ndritshme e kinematografisë sonë. Kineastët nuk po mund që në mënyrë të pavarur të xhirojnë e realizojnë projekte filmike, kurse financat që ndan shteti janë të kapura nga një klan dhe strukturë keqbërësish e keqpërdoruesish të financave filmike në QKK", ka pohuar ai, duke shtuar se aty thuaja se në çdo konkurs fitojnë emra të njëjtë, të cilët kanë përfituar mjete disa herë, por që me veprat e tyre nuk kanë arritur ta dëshmojnë e promovojnë kinematografinë identitare. Edhe atëherë kur i ndajnë, ka pohuar ai, i ndajnë disa mjete sa për ta bërë rendin, kurse pjesën tjetër i harxhojnë, siç ka thënë Musliu, duke u sorollatur nëpër shtete të botës. "Pra, menaxhmenti, i cili udhëheq QKK-në tërë vitin angazhohet sesi t'i kurdisë projektet, sesi të gjejë anëtarë servilë e të manipulueshëm, që u nënshtrohen interesave të tyre. Ata nuk e kanë hallin si ta zhvillojnë filmografinë në vend. Neve disa të tjerëve na i kanë mbyllur dyert e këtij institucioni dhe na kanë futur nëpër lista të zeza. Kjo është e vërteta", ka thënë regjisori Musliu.

(Kosova Sot)

19 orë e 34 minuta më parë