Rishikimi i historisë kombëtare mbi bazën e fakteve

  • 13 September 2017 - 10:11
Rishikimi i historisë kombëtare mbi bazën e fakteve

DUHET TË HAPEN ARKIVAT E PLUHUROSURA PËR TË VARROSUR PROPAGANDËN

Ahmeti: Duhet të merret një hap i tillë në nivel institucional dhe mbarëkombëtar

"Gatishmëria ekziston në forma të ndryshme, ku institucionet përkrahin projekte hulumtuese shkencore, siç bie fjala projekti Historia e Kosovës të Institutit të Historisë dhe projekti Fjalori Enciklopedik i Kosovës i Akademisë së Shkencave të Kosovës, përmes së cilave mund të ketë hapësirë për rishikim, por në librat e historisë për shkollën fillore dhe të mesme nuk ka ekzistuar gatishmëri serioze e Ministrisë së Arsimit deri sot, e cila është përgjegjësja kryesore në këtë segment", ka thënë historiani Selim Bezeraj

Debatet e ashpra, që po zhvillohen lidhur me figurën e Skënderbeut, kanë rikthyer edhe një herë në opinionin e gjerë debatin mbi rishkrimin apo rishqyrtimin e historisë shqiptare. Pas rënies së komunizmit dhe zhvillimeve të reja teknologjike-informative në mbarë botën, hapjes së arkivave vazhdojnë të dalin në dritë shumë dokumente e fakte për historinë shqiptare, të cilat ose ishin mbajtur të fshehta në arkivat e ndryshme apo nga vetë komunistët si shqiptarë, ashtu edhe jugosllavë për të mos 'lënduar' kredon komuniste. Shumë prej dokumenteve sillnin diçka të panjohura për publikun shqiptar, në shumë raste me mjaft interesa historike, sidomos ato për mesjetën në vend. Duke ngritur edhe një herë nevojën për një rishikim të historisë kombëtare gjithnjë të mbështetur mbi faktet. Pavarësisht, kundërshtimeve për rishikim, hezitim, shumë prej historianëve shprehën se një rishkrim, apo shqyrtim i historisë kombëtare duhet të bëhet. Pra, gjithnjë mbi bazën e fakteve dhe të dëshmive të reja.

Ka mundësi të ketë rishqyrtim të historisë bazuar në arkiva

Për më tepër, një rishikim i historisë do t'ua mbyllte gojën apo do ta linte jashtë loje, një pjesë të mirë të opinionistëve, analistëve apo pseudointelektualëve dhe historianëve, të cilët mohojnë apo bastardojnë periudha të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, etninë, deri tek heronjtë kombëtarë. Apo edhe duke shtrembëruar qëllimisht faktet dhe të dhë- nat historike. Për historianët tanë një rishikim apo rishqyrtim i historisë kombëtare duhet të bëhet, dhe siç kanë thënë ata për "Kosova Sot" ka një vullnet për këtë, sidomos nga profesionistët. Historiani Selim Bezeraj, profesor në Fakultetin e Historisë, Dega e Historisë, në një prononcim për "Kosova Sot" ka thënë se një rishikim i historisë sonë kombëtare është më se i nevojshëm dhe ka mundësi të bëhet në suaza të dëshmive arkivore të reja, që po dalin në dritë. Por, ai kërkesën për rishkrim të historisë e quan të gabueshme dhe që, siç ka thënë ai, mund të sjellë keqkuptime. "Nuk e preferoj ta përdor fjalën rishkrim, ngase apriori është gabim dhe do të sillte keqkuptime, por konsideroj se fjala rishikimrishqyrtim i historisë shqiptare në përgjithësi është më se i nevojshëm dhe ka mundësi të bëhet në suaza të dëshmive arkivore, të cilat sot për sot janë publikuar si risi me të dhëna të bollshme, që dëshmojnë të kundërtën e asaj se çfarë është shkruar deri më sot në historinë shqiptare dhe atyre, të cilat do të gjurmohen", ka thënë prof. Bezeraj.

Nuk ka ekzistuar gatishmëri nga Ministria e Arsimit

Më tej Bezeraj ka thënë se ka një disponim në forma të ndryshme, që do të sillte deri tek shqyrtimet e nevojshme, por jo deri më sot nga Ministria e Arsimit për të rishikuar tekstet shkollore. "Gatishmëria ekziston në forma të ndryshme, ku institucionet përkrahin projekte hulumtuese shkencore, siç bie fjala projekti Historia e Kosovës të Institutit të Historisë dhe projekti Fjalori Enciklopedik i Kosovës i Akademisë së Shkencave të Kosovës, përmes së cilave mund të ketë hapësirë për rishikim, por në librat e historisë për shkollën fillore dhe të mesme nuk ka ekzistuar gatishmëri serioze e Ministrisë së Arsimit deri sot, e cila është përgjegjësja kryesore në këtë segment", ka thënë Bezeraj. Edhe historiani tjetër, Nuridin Ahmeti, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës tha se do të duhej të merrej një hap i tillë në nivel institucional dhe mbarëkombëtar. "Gjithnjë duke pasur parasysh edhe kontributin, që mund të japin edhe studiuesit e huaj, që merren me historinë tonë. Rishikimi duhet dhe mund të bëhet vetëm mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve", ka thënë ai, në një prononcim për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)