Shtëpitë e vjetra mezi rrinë në këmbë, Komuna dështon - Kulturë - Kosova Sot
Shtėpitė e vjetra mezi rrinė nė kėmbė, Komuna dėshton

Shtėpitė e vjetra mezi rrinė nė kėmbė, Komuna dėshton

MOSKUJDESI I DUHUR PËR TRASHËGIMINË KULTURORE NË KRYEQYTET

Ardiana Qorraj: Përgjatë 17 viteve janë bërë investime vetëm në dy apo tri monumente të vjetra
\"Se sa kujdesen institucionet përgjegjëse të nivelit komunal (Prishtina) dhe atij qendror (MKRS) tregon ajo se licencimi obligues i personave dhe ndërmarrjeve sipas ligjit ende nuk është bërë, ndërhyrjet janë bërë nga persona që nuk posedojnë licenca nga institucioni që u ka dhënë punë", është shprehur eksperti Ylber Vokshi

Trashëgimia kulturore në kryeqytetin kosovar vazhdon të jetë në një gjendje aspak të mirë. Përjashto dy tri monumente deri më sot, institucionet fare pak kanë kthyer kokën nga shumë prej monumenteve që gjenden në lagjet e vjetra të Prishtinës, sidomos shtëpitë karakteristike qytetare. Shumë prej tyre mezi rrinë në këmbë, disa janë tjetërsuar, kurse nuk munguan as 'masakrimet' gjatë renovimeve, sikurse rasti me Hamamin. Kësaj i kanë kontribuar edhe paqartësitë dhe hapësira ligjore, të cilët vetëm viteve të fundit u është bërë zgjedhja. Zyrtarë të institucioneve që merren me mbrojtjen e monumenteve kanë pohuar gjendje jo të kënaqshme në të cilën gjenden një pjesë e mirë e monumenteve të trashëgimisë në kryeqytet. Ndërsa kanë pohuar se kjo vjen si rezultat i mungesës së investimeve. 

Problemet me renovimet

Ardiana Qorraj, ushtruese e detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për mbrojtjen e monumenteve të Kulturës, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se gjendja e monumenteve në kryeqytet nuk është shumë e kënaqshme, marrë parasysh se janë bërë investime, siç ka thënë ajo, vetëm në dy apo tri monumenteve për gjatë 17-vjetësh. Ndërsa një numri i monumenteve janë lënë anash. Kësaj gjendje, sipas saj, i kanë kontribuar edhe problemet me renovimet, sikurse me hamamin apo Xhaminë e Çarshisë. E për këtë të fundit, Qorraj ka thënë se janë duke punuar që sa më parë të rinisin punimet për përfundimin e renovimit të mbetur peng për vite me radhë. "Janë lënë anash pjesa tjetër e monumenteve që janë shtëpi po ashtu me vlera, si objekti ku vepron Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve e institucionet tjera". Ndërsa ka thënë se tashmë janë sqaruar edhe përgjegjësit dhe siç ka pohuar ajo përgjegjës për kujdesin dhe investimet në trashëgiminë kulturore të kryeqytet janë institucionet e trashëgimisë, konkretisht MKRS-ja, e cila ndan buxhetin për trashëgiminë Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve që ka mbarëvajtjen dhe implementimin e projekteve të restaurimit dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë për rajonin e Prishtinës.

Vokshi: Është i pranueshëm trajtimi që po i bëhet trashëgimisë kulturore

Në anën tjetër, për njohës të fushës së trashëgimisë kulturore situata që po kalon trashëgimia kulturore në kryeqytet, sidomos monumentet, është për keqardhje. Ylber Vokshi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se është tërësisht i papranueshëm trajtimi që po i bëhet trashëgimisë kulturore nga vetë shoqëria, që sipas tij është një tregues mes tjerash, se nga kush dhe si po formësohet shteti kosovar, duke e neglizhuar në thelb të kaluarën e tij shumëshekullore. Më tej Vokshi ka thënë se qasja ndaj problematikës shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në kryeqytet, duke përmendur edhe veprimet abuzive në të kaluarën dhe keqpërdorimin e mjeteve të shumta materiale, që ishin dhënë për renovimin, restaurimin apo konservimin e objekteve të trashëgimisë, të cilat me vite nuk janë përfunduar ende, siç janë Hamami i kryeqytetit, Xhamia e Gurit e shumë monumente tjera, për të cilat, siç ka thënë ai, janë dhanë para të mëdha nga Komuna dhe Ministria e askush nuk ka dhënë llogari për atë çka ka ndodhur me ato."Se sa kujdesen institucionet përgjegjëse të nivelit komunal (Prishtina) dhe atij qendror (MKRS) tregon ajo se licencimi obligues i personave dhe ndërmarrjeve sipas ligjit ende nuk është bërë, ndërhyrjet janë bërë nga persona që nuk posedojnë licenca nga institucioni që u ka dhënë punë. Pasojat janë evidente në shumë objekte të trajtuara ku kemi dëmtime të vlerave artistike dhe historike me përdorimin e materialeve jo adekuate etj.", ka pohuar ai. Vokshi ka shtuar se një çështje që brengos shumë në këto vite është ndërhyrja në kompetencat ndërmjet pushtetit qendror dhe ati lokal që është e pajustifikueshme, e pakuptueshme nga të dyja palët, në vend që të ishte e kundërta. Nga këto, raporte ka thënë ai, më së shumti pësojnë asetet, të cilat duhet trajtuar e që kanë mbetur peng i këtyre raporteve. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të komunës së Prishtinës lidhur me angazhimin e tyre rreth trashëgimisë së kryeqytetit. 

(Kosova Sot) 

19 orë e 40 minuta më parë