Rrëfimi për gjykatësen e Gjykatës së Lartë, e specializuar për rastet ligjore familjare

  • 14 September 2017 - 16:04
Rrëfimi për gjykatësen e Gjykatës së Lartë, e specializuar për rastet ligjore familjare

KRITIKË E FILMIT 'THE CHILDREN ACT'

Shpëton jetën e Adamit, duke urdhëruar kryerjen e transfuzionit

Fituesja e çmimit 'Oskar', Emma Thompson, e ndan ekranin me aktorin e ri, të talentuar, Fionn Whitehead, në këtë dramë ligjore dhe morale, të bazuar në një roman të shkrimtarit Ian McEwan
Nuk është sekret se femrat në Hollivud e kanë më të vështirë të gjejnë role komplekse, të pasura, pasi që ta bëjnë një moshë të caktuar. Kjo ishte e vërtetë përgjatë tërë historisë së Hollivudit dhe sot situata është vetëm lehtazi më e mirë, gjë që shpjegon pse aktoret fituese të çmimeve, sikur Jessica Lange ose Sally Field, kthehen në televizion, apo në teatër, për të gjetur mundësi frymëzuese. Gjendja mund të jetë pak më e ndryshme në Angli; britanikët nderojnë damat e tyre të mëdha, sikur Judi Dench dhe Maggie Smith. Emma Thompson natyrisht se është shumë më e re sesa dama Maggie dhe dama Judi, por as ajo nuk ka pasur ndonjë gamë të pasur të roleve gjatë dekadës së fundit. Thompson ka pasur mjaft fat që ta ketë një karrierë tjetër si romanciere dhe si skenariste. Megjithatë, na mungon prania e saj në rolet filmike, ku edhe e ka vendin. 

Sprova e besimit të saj religjioz

Nëse edhe nuk arrin asgjë më shumë, filmi "The Children Act", i cili do ta ketë premierën e vet botërore në Toronto, e zbut këtë situatë. Në dramën që zhvillohet në Londër, të përshtatur nga një roman i njohur i Ian McEwanit, Thompson luan rolin e një gjykatëseje të Gjykatës së Lartë, e cila specializohet për rastet ligjore familjare. Dhe, ajo sjell atë që duhet të jetë njëri prej performimeve më të nuancuara dhe prekëse në tërë karrierën e saj. Filmi dallohet edhe për faktin se sjell një aktrim superior të një aktori tjetër, të ri, Fionn Whitehead (që e njohim nga filmi i Christopher Nolanit, "Dunkirk"). Por, roli i tij është një rol i fuqishëm mbështetës (dytësor) derisa Thompson paraqitet thuajse në çdo skenë. Me dy performanca të këtij kalibri, filmi e ka të sigurt një sukses te shikuesit, si dhe kritikëve edhe pse tema e tij paraqet një sfidë të madhe komerciale. Ky film është në kërkim të një distributori amerikan dhe meriton ta gjej një të tillë, i cili do t'ia jepte shtytjen e duhur dhe të merituar për të cilën ka nevojë. Personazhi i Thompsonit, Fiona Maye, shpesh merr role torturuese familjare, të cilat do ta vinin në sprovë edhe vet Solomonin. Në fakt, në sekuencën fillestare, ajo ballafaqohet me një dilemë solomoniane, me rastin e binjakëve të ngjitur, ku po të mos ndahen, që të dyve iu kërcënohet vdekja, e nëse ndahen, do të mbijetojë vetëm njëri. Rastet e tilla sprovojnë besimin e saj religjioz dhe familjar, por Akti britanik i fëmijëve i vitit 1989, i cili ia jep filmit titullin, autorizon gjykatën që të veprojë si agjent dhe mbrojtës i fëmijëve, në rastet e tilla të vështira.

Vendimi i mjekëve

Pjesa qendrore e filmit e sjell atë te rasti i Adam Henry-t (Whitehead), i cili gjendet në spital dhe vuan nga leukemia. Mjekët besojnë se një transfuzion i gjakut do ta shpë- tojë jetën e tij, por Adam dhe prindërit e tij janë dëshmitarë të Jehovait dhe religjioni i tyre ua ndalon përzierjen e gjakut. Meqë Adam ka vetëm 17 vjet, ai nuk konsiderohet i rritur, prandaj nuk mund të vendosë për veten e tij edhe pse thotë se ndanë bindjet fetare të prindërve të tij. Fiona merr mendimin e mjekëve si dhe atë të prindërve të Adamit, por më pas ajo merr vendimin jokonvencional që ta vizitonte Adamin në spital, ku ajo sheh se ai ishte një djalë inteligjent dhe kishte të njëjtin pasion me të, atë për muzikën. Duke matur çështjet mjekësore dhe religjioze, ajo në fund vendosë që ta shpëtojë jetën e Adamit duke urdhëruar kryerjen e transfuzionit. Por, këtu as për së afërmi nuk mbaron ngjarja. Pas lirimit nga spitali, Adam kërkon Fionan, meqë dëshiron të bëhet më i afërt me gruan e cila ia ka shpëtuar jetën. nuk ka nevojë që të thuhet se, një gjë e tillë shkakton probleme për të dy ata. Fiona kishte vendosur që të mos kishte fëmijë, kështu që raporti me Adamin ia zgjon disa pendime thellë të mbuluara rreth vendimeve të saj jetësore. Ekziston edhe një ngjarje paralele e filmit, e cila ka të bëjë me martesën problematike të saj me Jack-un (Stanley Tucci), një profesor universitar. Por, kjo pjesë e filmit është shumë më pak interesante sesa ndërveprimi midis Fionës dhe Adamit. Tucci është një aktor i mirë, por ai këtu ka ngecur me një pjesë, e cila zakonisht iu ndahet femrave në një film; ai paraqitet në rolin e një ndihmësi të dashur dhe të frustruar, të cilit thjesht nuk i jepet mjaft material saqë ta krijojë një personazh substancial. Filmi është përshtatur me mençuri nga vetë McEwan dhe Richard Eyre (Iris, Notes on a Scandal dhe Stage Beauty) ka bërë një punë të mirë në regjinë e disa skenave. Një performancë muzikore, e cila mbaron me një thyerje nga Fiona, është realizuar sidomos mirë. Por, regjisori bën edhe disa keqllogaritje, të cilat e dëmtojnë filmin. Edhe pse muzikën thuhet ta ketë bërë kompozitori veteran Stephen Warbeck, pjesa më e madhe e muzikës aktualisht është marrë nga Bach. 

(Kosova Sot)