Komuna e Prishtinës la Diasporën pa aktivitete kulturore në verë

  • 19 September 2017 - 08:28
Komuna e Prishtinës la Diasporën pa aktivitete kulturore në verë

Komuna e Prishtinës e mbylli këtë verë me një thatësi kulturore, me pak aktivitete e pa bujë. Vera e sivjetme në kryeqytet nuk solli ndonjë aktivitet të rëndë- sishëm, që do të linte gjurmë, posaçërisht kur dihet se gjatë muajve të verës, Prishtina frekuentohet nga një numër i bashkatdhetarëve nga bota e jashtme, por edhe vizitorë dhe turistë të huaj. Verat e viteve të fundit po kalojnë me fare pak aktivitete kulturore. Si në secilën fushë të jetës, edhe kulturën e ka kapluar politika dhe nuk po e lë të lirë. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot" njerëzit e komunitetit kulturor në vend. Sipas tyre, shumë prej qytetarëve që vizitojnë kryeqytetin, më shumë sillen nëpër kryeqytet, sidomos në sheshet kryesore nuk kanë mundësi të shohin aktivitete të rëndësishme kulturore.

Njerëzit nga Diaspora kthehen pa parë gjë

Ramadan Thaçi, krijues, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se verat e viteve të fundit po kalojnë me fare pak aktivitete kulturore. Ai ka thënë se në secilën fushë të jetës, edhe kulturën e ka kapluar politika dhe nuk po e lë të lirë. "Përveç aktiviteteve tradicionale të ndonjë festivali filmi ose seminari ndërkombëtarë të gjuhës shqipe, i pari i krijuar vite më herët, ndërsa i dyti i themeluar decenie më herët nga intelektual dhe patriot, të cilët ndoshta nuk jetojnë më, aktivitete kulturore të reja nuk ka. Ndoshta dikush mund të mburret dhe t`i quajë aktivitete kulturore ndonjë manifestim për nder të ditëve të caktuara përkujtimore, por ato nuk janë të tilla", ka thënë ai, duke shtuar se Komuna e Prishtinës një ndër komunat me të mëdha me banorë, me institucione të kulturës, me monumente të kulturës, do të duhej të jetë prijetare e manifestimeve kulturore të përhershme dhe për t`u bërë tradicionale. Duke marrë për bazë, siç ka potencuar ai më tej faktin, se pjesën më të madhe intelektuale, të krijuesve dhe artistëve të të gjitha fushave, e cila jeton dhe vepron në territorin e saj, institucionet e kulturës së Komunës së Prishtinës duhej të ndiheshin të privilegjuara dhe krenare në shfrytëzimin e këtij kapitali intelektual. "Vera është koha e pushimeve, dhe të gjithë vijnë në Prishtinë, vjen Diaspora, pjesa më krenare dhe e çmuar e popullit tonë, ndërsa kthehen nga kanë ardhur pa ndonjë manifestim të mirëfilltë kulturor dhe argëtues për ta kujtuar dhe komunikuar me krenari në shtëpitë e tyre deri në verën e ardhshme", është shprehur Thaçi. Sipas tij, institucionet e kulturës janë bërë institucione politike boshe dhe monotone, prandaj deri të vijë një kohë e njerëzve të kulturës do të kemi vetëm vera të nxehta dha pa manifestime kulturore. Andaj, sipas tij, këto vitet e fundit mund t`i quajmë "verat pa kulturë".

Investimet joadekuate në aktivitete

Ndërsa për shkrimtari Dan Ibrahimi, arsye pse për vite me radhë po kemi vera pa kultura, vjen si rezultat i mungesës së politikave kulturore dhe keqmenaxhimit kulturor. Bile, siç ka thëna ai, kjo thatësi fillon me pranverën. "Arsyet janë investimet joadekuate në aktivitete organizatorësh, që nuk i kanë primare aktivitetet, por xhepat. As komuna dhe as ministritë nuk i kontrollojnë mënyrat e zbatimit të projekteve. Që të ketë gjallëri kulturore, do të duhet që mjetet e ndara, aq sa ndahen të mos u ndahen më këtyre lapërdharëve të pangopshëm të disa shoqatave, klubeve kulturore të provuara tashmë", ka pohuar ai. Kurse Ilir Muharremi, kritik arti dhe profesor i artit në UP, në një prononcim për "Kosova Sot" ka thënë se institucionet komunale duhet të jenë më të kujdesshme për ta bërë kryeqytetin një vend më atraktiv dhe tërheqës për vizitorët. "Edhe gjatë verës duhet të ketë shumë aktivitete, veçanërisht kur po vijnë të huajt, të cilët veç sillen nëpër shesh", ka thënë kritiku Muharremi. Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet pse ka pasur një verë të thatë kulturore gjatë ditës së djeshme.

(Kosova Sot)