Oxhakëria shqiptare rrezikonte interesat e fuqive të mëdha, por edhe vetë Padishahut

  • 21 September 2017 - 08:52
Oxhakëria shqiptare rrezikonte interesat e fuqive të mëdha, por edhe vetë Padishahut

ROLI DHE RËNDËSIA E FISNIKËRISË SHQIPTARE NË KOHËN E PERANDORISË OSMANE

Xhufi: Në shumë raste fisnikëritë shqiptare të kohës nuk mbështetën luftën për pavarësi

"Njëra nga goditjet më të egra dhe më tinëzare të Portës së Lartë ndaj oxhakërisë shqiptare u bë në masakrën e Manastirit në gush të vitit 1831, ku u vranë në pabesi nga ushtria osmane 1000 bura të parisë shqiptare. Por nuk ishte e vetmja goditje. Goditjet e njëpasnjëshme dhe eliminimi i elitës shqiptare nga ana e Portës së Lartë në vitet e 40-ta të shekullit të 19-të përbëjnë vepër elitocidi ndaj popullit shqiptar", ka thënë osmanologu Nehat Krasniqi

Fisnikëria shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane që nga mesjeta deri në fund të shekullit të 19-të pati një rol shumë të madh në jetën ushtarake, shoqërore, ekonomike e kulturore, në trevat shqiptare. E mbështetur mbi themelet e fisnikërisë shqiptare paraosmane dhe e konsoliduar me shtrirjen e pushtetit osman, kjo fisnikëri apo oxhakëri shqiptare ndikoi shumë dhe pati rol vendimtar në zhvillimet e gjithmbarshme në trevat shqiptare. Por, pavarësisht rolit që pati në jetën perandorake dhe shërbimet ndaj Padishahut, kjo fisnikëri shqiptare u godit rëndë nga Porta e lartë nga gjysma e parë e shekullit të 19-të, duke u shpartalluar në fund të këtij shekulli, pasi kundërshtoi reformat osmane për centralizim të pushtetit. Edhe për faktin se Oxhakëria- fisnikëria shqiptare u rrit dhe u forcua aq shumë sa rrezikonte interesat e fuqive të mëdha të kohës, por edhe vetë Padishahut. Ndërsa elita e re shqiptare që u krijua pas shpartallimit të fisnikërisë së vjetër nuk pati ide dhe vizion se cila rrugë të ndiqet dhe shpeshherë u vu në shërbim të fuqive të ndryshme, edhe të atyre që kishin qëllime pushtuese ndaj shqiptarëve. Këto konkludime dolën të mërkurën, gjatë tryezës shkencore "Roli i oxhakërisë në historinë shqiptare", organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, ku u prezantuan kumtesa nga studiues të njohur.

Masakrimi i oxhakërisë shqiptare

Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze është ndriçimi i një pjese të popullit shqiptar, konkretisht kontributit të elitës shqiptare të kohës së Perandorisë shqiptare në jetën politike sociale e kulturore të shqiptarëve, që ndryshe, siç ka thënë Krasniqi, njihen edhe si oxhakëri, që simbolizon familjet e mëdha dhe të fuqishme shqiptare ose fisnikërisë aristokrate shqiptare. Sipas tij, me këtë aktivitet synohet të krijohet një mozaik sa më i qartë për të kaluarën e popullit dhe pasoja që pati vendimi i Perandorisë Osmane në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të për centralizim pushteti dhe zhveshjen e elitës shqiptare nga fuqia politike dhe deri diku edhe ekonomike, shkatërrimin e asaj elite të kohës, të shekullit 19."Po të kishte vazhduar ekzistenca e asaj elite e një lloj autonomie që atë kohë kishte, ka shumë mundësi që ajo elitë do të ishte kthyer pro interesave shqiptare", ka thënë Krasniqi, duke shtuar se oxhakëria shqiptare u shkatërrua nga Porta e lartë, pikërisht se rrezikonte interesat e fuqive të kohës, sidomos Rusisë, por që i konvenoi edhe vetë sulltanit. Ndërsa osmanologu Nehat Krasniqi, duke folur rreth rëndësisë së oxhakërisë shqiptare të Kosovës, në kumtesën e tij "Roli i oxhakërisë shqiptare të Kosovës në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit", ndër të tjera, ka thënë se e veshur me pushtet politik dhe ekonomik fisnikëria shqiptare e periudhës osmane ka qenë shtysa kryesore e zhvillimit politik, ekonomik e kulturor të vendit. Sipas tij, lindja e shtresës drejtuese nga radhët e popullsisë shqiptare lidhet me integrimin e shqiptarëve në jetën politike dhe shoqërore, administrative e fetare, të Perandorisë Osmane.

Fisnikëria shqiptare në kohën e Pavarësisë

Më tej Krasniqi ka thënë se shqiptarët pas gjysmës së shekullit të 15-të e më pas zunë pozita të larta ushtarake në Perandorinë Osmane, por edhe një pjesë zotëronte pasuri të madhe, duke u shquar edhe si investues të mëdhenj në vendlindje dhe themelues të shumë kasabave në atdhe. "Në fuqizimin e kastës drejtuese shqiptare, në fund të shekullin 16-të, rol të madh ka luajtur edhe nëna mbretëreshë, Valide Sullat Safia, nënë e Mehmetit të Tretë, bijë shqiptare nga Rezina e Gjakovës", ka thëna ai, duke shtuar edhe rolin e madh që kanë luajtur shqiptarët në administratën osmane. Duke vënë në pah edhe zhvillimin e qyteteve shqiptare, si rezultat i ngritjes së aristokracisë shqiptare, por ka shtuar se kjo oxhakëri u godit rëndë nga pushteti osman, me reformat e reja në gjysmën e dytë të shekullit të 19- dhe u shkatërrua, pas rezistencës kundër reformave centralizuese të sulltanit. "Njëra nga goditjet më të egra dhe më tinëzare të Portës së Lartë ndaj oxhakërisë shqiptare u bë në Masakrën e Manastirit, në gush të vitit 1831, kur u vranë në pabesi nga ushtria osmane 1000 bura të parisë shqiptare. Por, nuk ishte e vetmja goditje. Goditjet e një- pasnjëshme dhe eliminimi i elitës shqiptare nga ana e Portës së Lartë, në vitet e 40-ta të shekullit të 19-të, përbën vepër elitocidi ndaj popullit shqiptar. Me këtë elitocid shteti osman e vrau mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar brenda hapësirës shqiptare, me çka krijoi mundësi reale që trojet shqiptare të gllabërohen nga shtetet fqinje", ka thënë ndër të tjera Krasniqi. Kurse në kumtesën e tij "Paria e vjetër dhe protagonistë të rinj në luftën për Pavarësi", historiani Pëllumb Xhufi solli shumë të reja sa i përket kontributit të fisnikërisë shqiptare të kohës në luftën për pavarësi. Sipas tij, pati mjaft zhvillime dhe shumë raste kur fisnikëritë shqiptare të kohës nuk mbështetën luftën për pavarësi, apo atë e bënë kur u kërcënuan. Ndërsa ka çmuar rolin dhe kontributin e Ismail Qemalit dhe familjes së tij për luftën për Pavarësinë e Shqipërisë.

(Kosova Sot)