Krijues nga mbarë bota zbarkojnë në Prishtinë për identitetin evropian në letërsi

  • 23 September 2017 - 10:15
Krijues nga mbarë bota zbarkojnë në Prishtinë për identitetin evropian në letërsi

USHKK-JA BËN GATI PROGRAMIN PËR EDICIONIN E PESTË TË SIMPOZIUMIT LETRAR NDËRKOMBËTAR

"Identiteti evropian në letërsi është një temë e gjerë dhe një temë, që u përket edhe shqiptarëve, sepse ne jemi pjesë e Evropës. Letërsia shqiptare, që zhvillohet në trevat tona, duhet të njihet edhe në vendet e tjera evropiane e për këtë duhet përveç përkrahjes institucionale edhe takime të rregullta ndërmjet krijuesve tanë me ata të vendeve të huaja", ka thënë krijuesi dhe studiuesi Reshat Sahitaj

Javën e ardhshme, më 28 shtator, do të nisë Edicioni i Pestë i Simpoziumit Ndërkombëtar Letrar, i cili organizohet nga Unioni i shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptarë. Mbajtja e këtij aktiviteti do të rikthejë edhe një herë vëmendjen e shumë prej emrave të njohur botërisht të letërsisë, artit dhe kulturës në kryeqytetin kosovar. Ceremonia e hapjes së Simpoziumit të 5-të të Unionit do të bëhet në Bibliotekën kombëtare, duke filluar nga ora 10. Tema bosht e simpoziumi do të jetë 'Identiteti evropian në letërsi', ndërsa është paraparë edhe promovimi i librit mbi Adem Demaçin "Adem Demaçi i vlerësuar nga Evropa". Edhe ky edicion do të sjellë emra të njohur nga që kanë lënë dhe po lënë gjurmë në letrat e njohura botërore. Në fakt ky është edhe një nga qëllimet e themelimit të këtij aktiviteti, për të intensifikuar shkëmbimet kulturore të Kosovës me botën sidomos vendet evropiane. 

LETËRSIA SHQIPE, PJESË E ASAJ EVROPIANE

Krijuesi dhe studiuesi, Reshat Sahitaj, kryetar i USHKSH-së, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se tema për edicionin e sivjetmë të simpoziumit është "Identiteti evropian në letërsi". "Identiteti evropian në letërsi është një temë e gjerë dhe një temë, që u përket edhe shqiptarëve, sepse ne jemi pjesë e Evropës. Letërsia shqiptare, që zhvillohet në trevat tona, duhet të njihet edhe në vende të tjera evropiane e për këtë duhet përveç përkrahjes institucionale edhe takime të rregullta në mes të krijuesve tanë me ata të vendeve të huaja", ka thënë Sahitaj. Ai ka thënë se si produkt i këtyre takimeve të mbajtura në kuadër të simpoziumit, USHKSH-ja ka arritur të botojë jashtë Kosovës veprën e Ali Podrimjes "Harta e grisur" në greqisht dhe një tjetër përmbledhje me poezi në frëngjisht në Belgjikë, pastaj është botuar Gani Xhafolli në Francë dhe romani 'L'embuscade". Këto vepra, ka shtuar më tej ai, janë vlerësuar nga kritikët e huaj në vendet ku u botuan, që në bazë të këtyre vlerësimeve ne mund të jemi krenarë se në Kosovë zhvillohet letërsi e mirëfilltë. "Këto vepra nuk mjaftojnë në njohjen e letërsisë sonë jashtë Kosovës, sepse duhet ende autorë të rinj e të moshuar që të përkthehen në gjuhë të huaja. Kosova ka potencial artistik, Kosova ka talente, të cilët një ditë do të ngritën në majat më të larta të letërsisë botërore", ka potencuar ai. 

RËNDËSIA E SIMPOZIUMIT

Më tej Sahitaj ka thënë se Unioni i shkrimtarëve është themeluar me qëllim të promovimit të letërsisë sonë në botë, si dhe njohjet e zhvillimeve të letërsisë botërore në Kosovë. Sipas tij, përkthimi i veprave të shkrimtarëve botërorë në gjuhën shqipe ose anasjelltas është pozitive dhe ka ndikim te lexuesit tanë, mirëpo ardhja e tyre në Kosovë krijon relacione të përhershme miqësore dhe shkëmbime reciproke. "Krijuesit e rinj dhe të moshuar shqiptarë, si dhe lexuesit kanë një privilegj që të njihen drejtpërdrejti me autorë të vendeve të ndryshme, të cilët gjatë qëndrimit të tyre shkëmbehen informata mbi të arriturat kulturore", ka pohuar ai. Sahitaj ka kujtuar se gjatë katër edicioneve të kaluar në Simpoziumin e unionit kanë marrë pjesë mbi pesëdhjetë krijues nga mbarë bota, duke filluar nga Parisi, djepi i kulturës dhe i letërsisë, Spanja, Gjermania, SHBA, Gjermani, Zvicra, Belgjika, Rusia, Greqia. Pasi, siç ka thënë ai, simpoziumi shkencor është ngjarja më serioze dhe ndër më të rëndësishmet që organizohet jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trevat shqiptare, pasi aty zhvillohen debate mbi të arriturat e letërsisë në botë, ku herë pranohen teoritë e kritikëve të tjerë e herë kundërshtohen, duke dhënë mendime të ndryshme. "Fatkeqësisht këtë vit do të ndihet mungesa e shumë prej pjesëmarrësve të rregullt të këtij simpoziumi. Pavarësisht mungesës së disave, kësaj radhe do jetë prezent kritiku dhe shkencëtari i njohur nga Moska, Sergey Ivanov, e disa të tjerë, por për shkaqe ekonomike tejet minimale këtë vit e kemi reduktuar numrin e mysafirëve nga bota", ka pohuar ai. Ndërsa, ka thënë se sikurse fqinjët e saj, edhe Kosova duhet të mburret dhe të lobojë për krijuesit e saj, sidomos për çmimin NOBEL, ku tashmë me iniciativë të Unionit kandidat për këtë çmim për vitin e kaluar ishin Adem Demaçi, për paqe dhe Rexhep Qosja për letërsi. "Ne edhe këtë vit kemi aplikuar me Demaçin dhe Qosjen për 'Nobel 2017', mirëpo këtë vit kemi qëndruar në heshtje, ngase institucionet tona nuk ndihmuan as një cent për publikimin e veprave të tyre në gjuhë të huaja", ka potencuar ai. Sahitaj ka kujtuar edhe mospunën e institucioneve për të lobuar për trashëgiminë dhe kulturën shqiptare, duke kujtuar propagandën serbe kundër Kosovës në UNESCO. 

(Kosova Sot)