Izolimi totalitar i vendit, si konsekuencë e ksenofobisë

  • 23 September 2017 - 15:08
Izolimi totalitar i vendit, si konsekuencë e ksenofobisë

SHKRUAN: DEVOTSHMËRI KRASNIQI

ROMANI "LABIRINT", NJË LIBËR I VEÇANTË??

Brenda labirintit, i presin simbolet e jetës, si: dashuria, pasuria, armiqësia dhe fataliteti

E vërteta e hapjes së dosjeve, në roman, del që fletat janë të bardha, të zbrazëta. Bashkim Shehu, në këtë formë mundohet të qartësojë se ato nuk përfaqësojnë asgjë, asnjë krim, siç pritet. Kjo ulje deri tek hiçi siguron një paqe të përkohshme. Megjithatë, dosjet mbeten përherë mister
Bashkim Shehu, veprën e tij "Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve", e ka cilësuar vetë "roman labirint". E që kemi të bëjmë me një libër të veçantë, e dëshmon struktura e shkrimit. Shkrimtari i jep lexuesve liri të zgjedhin, që të lexojnë nga fillimi deri në fund ose nga fundi në fillim apo duke kërcyer nga një rubrikë tek tjetra. Autori-postmodern e krijoj trillimin e tij në stilin e fjalorit, duke e lidhur imagjinatën me shpjegimin. Për t'i dhënë këtij fiksioni kuptim. Si dhe për të zbuluar shumëkuptimësinë e imagjinatës. Fillimisht, na fton në lojë, duke na sqaruar rregullat, pastaj i shtrinë letrat e fatit në tavolinë. Sikur falltorët që mundohen të tregojnë të ardhmen. Lexueseve, u mbetet ta hapin letrën, që duan e t'i qasen asaj rruge, ku brenda labirintit, i presin simbolet e jetës si dashuria, pasuria, armiqësia dhe fataliteti. Libri i tij ndonëse trillim, të ngreh në mendime rreth dosjeve, në fund edhe ato janë letra të fatit të njerëzve, vetëm së të krijuara në kohën e Enver Hoxhës. Historia e Enver Hoxhës, në këtë vepër, e shfaq me tipare tiranike. Ka nga ata që e shohin si të tillë, ashtu sikurse ka nga ata që e shohin si të përsosur. Figurën e tij e përkufizon mungesa e empatisë.

ZHURMAT E SË SHKUARËS

Izolimi totalitar i vendit përshkruhet si konsekuencë e ksenofobisë dhe kultit të individit. Shpall Shqipërinë vend të parë ateist në botë, duke ia atribuuar qëllimin për ta kthyer krejt vëmendjen kah vetja, pa u brengosur për krijimin e "psikozës kolektive". Edhe për t'ia bërë me dije njerëzve në Shqipëri që ai tani kontrollon hapësirën, kohën, trupin dhe shpirtin e tyre. Kipsi - Hija e tij?A kishte Enver Hoxha, vërtetë një sozi sikur Stalini, Hitleri, Çaushesku ? Edhe nëse jo, si në këtë rrëfim, ai ka gëzuar shumë imitues. Por nga vdekja e tij e deri sot, asnjë kipc i tij apo sozi nuk ka mund të prezantohet. As nga ata që e urrejnë figurën e tij, as nga ata që e adhurojnë ende. Megjithëkëtë, autori arrin ta përshkruajë hijen e tij, e cila shtrihet deri tek ata që ndjekin edhe sot rrugën e tij, duke e idealizuar dhe imituar. Shkrimtari ironizon me ata, që e zbukurojnë imazhin e Enver Hoxhës edhe pas vdekjes së tij. Të tillët që mendojnë të ndërtojnë një muze për ta pavdekësuar kujtimin e tij. Një muze të pazakontë ku do të përfshihen zhurmat e shkaktuara nga Enver Hoxha në të gjallë të tij, që nga zhurma e hapave gjer tek ato të kruarjes së fytit, të kollitjeve, të gërhimave dhe absurditete të tjera. Personazhi fiktiv, Naun Gjika, i cili punon në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e shihte veten si zotërues të shpirtrave që ishin brenda mijëra e mijëra dosjeve. Madje edhe i atyre të të vdekurve. Pasojat nga puna e tij bëhen të dukshme me devijimet patologjike ku shfaq dëshirën të determinoj jetën dhe fatin e njerëzve sikur Enver Hoxha. 

I ÇMENDURI ËSHTË KONSIDERUAR NJERI I SHENJTË

Bashkim Shehu e kërkon origjinën për admirimin e Enver Hoxhës, duke u përpjekur të gjejë sqarim për këtë edhe nga besëtytnitë. Edhe e arrin këtë konkludim : " Gjithsesi, në epoka të ndryshme, i çmenduri është konsideruar njeri i shenjtë, mistik që frymon (komunikon) drejtpërdrejt me Zotin (sikur se ka pasur edhe besëtytni që e lidhnin me qoftëlargun, dreqin) dhe fjalës e tij i kushtohej vëmendje e veçantë, sidomos përçartjeve e kllapive të tij, për të cilat mendohej se fshiheshin të vërteta të paarritshme nga vdekatarët e tjerë." ??Personazhi, Anahanëm Bagirova, specialiste e artit dhe arkitekturës mesjetare pasqyron lidhjen e Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik si dhe prishjen e këtij raporti. Personazh tjetër është Festim Diamanti, ish-oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ishte nga njerëzit më të besuar të ministrit, fshehtazi shpresonte ta zinte vendin e Naun Gjikës. Por duke i acaruar marrëdhëniet me atë, zhduket. Po kudo i shfaqej Naun Gjika. Pra, të ishe pjesë e sistemit do të thoshte të mos kishe mundësi të liroheshe më nga ai, qoftë fizikisht ose shpirtërisht. Mariana Kastrati, e ka rolin e gazetares. Vritet për shkak të shkrimit të lirë. Sepse mediat i kontrollon sistemi, e jo fjala e lirë. Kështu ndëshkoheshin ata që dilnin mbi normat e partisë dhe etikës shoqërore, e kur veprimi i tyre shpallej imoral. Juri Kvasnjikov, paraqitet me një natyrë me komplekse si fëmija sekret i Anahëm Bajgores kur raporti Bashkim Sovjetik- Shqipëri u prish. Pra ai figuron si agjent sekret i Bashkimit Sovjetik. Romeo G. dhe dashuria e tij Xhulieta janë pasardhësit që i vuajnë armiqësitë politike paraardhëse. Ambicia e tij si gazetar e shtyn Romeon të bëj shkrime për dosjet, por të cilat nuk kanë sukses. Lajmi për Juri Kvasnjikov i sjell pasoja fatale, së pari duke ja vrarë të dashurën e më pastaj duke ia mveshur fajin këtij. Edhe vrasja e Marianës i adresohet po këtij. Për të mos mjaftuar kaq, atë e cilësuan në shtyp si agjent të huaj kundër Shqipërisë. Siç kuptohet nga Romeo një pushtet i tillë, ishte në gjendje të merrte gjithçka prej teje, ta prishte jetën, t'i rrëmbente personat e dashur.? Përfundimisht, a duhen të hapen dosjet? Apo jo? Pse kanë mbetur te mbyllura? Për t'i mbajtur peng ca njerëz e për të manipuluar me ata? Çfarë pasoja bartin? Sigurisht, që vetëm me hapjen e dosjeve mund të marrë fund ky debat. Mirëpo, autori ka një tendencë të vazhdueshme për t'i bindur lexuesit që këto dosje vijnë nga njerëz të tillë dhe janë modifikuar e përshtatur sipas dëshirës së pushtetit, e që kështu nuk përfaqësojnë ndonjë të vërtetë. Madje, ai, shton që ngjajnë me trillin, duke e përforcuar këtë përmes krahasimit të dosjeve me botet paralele, që pasqyrojnë shumëkuptimësinë. E vërteta e hapjes së dosjeve, në roman, del që fletat janë të bardha, të zbrazëta. Bashkim Shehu, në këtë formë mundohet të qartësoj se ato nuk përfaqësojnë asgjë, asnjë krim, siç pritet. Kjo ulje deri tek hiçi siguron një paqe të përkohshme. Megjithatë dosjet mbeten përherë mister.

(Kosova Sot)