Poetika e ekzistencës së luhatur

  • 24 September 2017 - 10:38
Poetika e ekzistencës së luhatur

SHKRUAN: PREND BUZHALA

Rrahim Sadiku, me afro dyzet vëllimet e tij në poezi, romane, tregime, dramaturgji, në letërsinë për fëmijë, apo në publicistikën historike, dokumentare a me monografitë e tij; ka arritur që t'i shoqërojë pothuajse të gjitha kthesat historike, kombëtare e shoqërore, që janë zhvilluar prej viteve '70 e këndej, të prijë dhe të ecën dorë për dore, qoftë si pjesëtar e drejtues lëvizjesh, qoftë si i burgosur politik, apo si luftëtar i lirisë. Veprimtari shpesh ia lë shkrimtarit që të ligjërojë e shkruajë për çështjet e problematikën e një kohe, porse shpesh e shpesh veprimtari e shkrimtari kanë se çka t'i japin e marrin njëri-tjetrit. Në kuadrin e kësaj letërsie personale, Rrahim Sadiku ka mbi pesëmbëdhjetë vepra për të rritur, ku hyjnë romani i parë "Ngjarje në kohë të pakohë" (1996), apo vepra romanore trevëllimëshe "Shtetthasit" (2011), apo dy romanet tjera "Legjendë moderne" (2013) dhe "Përtej kufirit të vdekjes" ( 2014).

1. Romani "Legjendë moderne", i Rrahim Sadikut, e ngre pyetjen thelbësore: a i nevojitet edhe kohës së sotme Njeriu Idealist, personazhi idealist? Autori, nëpërmes personazhit të Arsim Gashit, protagonist i të gjitha lëvizjeve kombëtare e luftarake të periudhës më të re, zbret në rrafshin e realitetit të sotëm, përkatësisht të rrjedhave shoqërore, njerëzore e kombëtare të Kosovës së pasluftës. "Arsimi ishte i zëshëm, kritik ndaj dukurive negative, reagonte ndaj çdo gjëje që nuk i pëlqente. Vuajtjet, burgu dhe plagët kishin lënë mundësi për gërryerje nervash brenda trupit të tij të drobitur", rrëfen në veten e tretë narratori i romanit. Arsimi veçohet nga zërat krrokatës të kohës, por që merret në sulm pikërisht për shkak të qëndrimit të tij kritik ("Si shumë po na fryhet me atë thjeshtinë e tij të pështirë ky Arsimi - tha Kryelegeni. U mundova ta bindja se nuk guxonte të shkonte ashtu hapur kundër nesh e të mos takohej askund me ne, po as që deshi të më dëgjonte.") Të nëntëmbëdhjetë kapitujt e romanit, mbajnë tituj shënjues, të një diskursi të larmishëm (Legjendat, Apatridët, Dy gogëlaçët, Kuptimi i demokracisë, Kthimi fitimtar i kisëve, Ditë të politizuara, Vizita, Dukuri, Kungulleshka, Shëtia, Konspiracioni, Historia e historisë, Nisma, Përgatitja, Në Qytetin e Stacionit, Simpoziumi, Të themi ditë e zakonshme, Gabimi dhe Nisesos). Lexuesit të prozës së Sadikut do t'i kujtohet i njëjti qëndrim artistik nga disa romane të përparshëm, e njëjta poetikë e larmisë së ligjërimit romanor dhe e shfrytëzimit të diskurseve dokumentare, që pleksen natyrshëm në procedimin e tillë postmodern të prozës. Vepra hyn në radhën e atyre krijimeve që mbajnë qëndrim kritik ndaj fenomeneve e dukurive çorientuese, degraduese e fluksit shpërbërës të vlerave të mirëfillta të së kaluarës liridashëse. Së këndejmi, në skenën e romanit, si në atë shoqërore, shfaqet një botë e ekzistencës së luhatur, e psiko-mendësive të gjymtuara moralisht e të ngjyrosura në mënyrë groteske, e përfaqësuar nga personazhe si Thatani, Kryelegeni, Kungulleshka, Pakurrizi, Sidhelpra, Dardolecja, Përpakekëpuca, Safit heroi, Kazani, Taxhmedini, alias Altini, Sherafedini, alias Trimi e Hysamedini, alias Betimi dhe shumë dina e ina të tjerë... Fenomenet që thjerrëzohen në brendinë e veprës, janë ato të përditshmërisë sonë, por janë edhe universale. Feonmei shkon përtej një qëndrimi kritik, duke zbuluar dhe atë karakterologjinë e aposur që e pjell dhe e prodhon realiteti ynë: "Jo rrallë disa nga ata i thoshin se marrja me pushtetin e me pushtetarët i ishte bërë obsesion dhe se po i ngacmonte ata edhe kur nuk kishin punë me të. Për të bërë jetë të qetë e me perspektivë në vendin për të cilin kishte dhënë diçka, i thanë, duhej të tregohej shumë më fleskibil. Madje e këshilluan t'i harronte ata që kishin shkuar lart e që nuk takoheshin më ndokund me të askund. I thanë të mos merrej me ta, të shikonte punën dhe jetën e vet e të merrej me shkrime, të cilat, falë Zotit e të drejtës për fjalën e lirë, nuk mund t'ia ndalonte kush. Arsimi qeshi." Tashmë shkalla e etikës zbret kah zeroja, kur garda e tillë e sulmuesve, në vend që të preokupohen me shëndoshjen e sëmundjeve kanceroze të shoqërisë, shkon edhe më tej; të tillë janë Doktori, Thatani, Kryelegeni, Kungulleshka, Pakurrizi, Sidhelpra, Dardolecja, Përpakekëpuca, Safit heroi, Kazani e do të tjerë, që nuk flisnin kurrë, "po që ua kryenin punët të tjerëve edhe me vetëm një shenjë. Ata ishin garda vepruese e këtij vendtubimi dhe dukej se edhe natyra sikur i kishte krijuar të ishin me ata njerëz e t'u shërbenin si duhet atyre." Pothuajse, kushtimisht, të gjithë kapitujt mbajnë emërtime satirike dhe dëshmojnë një lexim satirik të realitetit, një mënyrë autoriale, me fakturë moderne, e leximit krijues të kësaj situate, një shtresim i ri gjuhësor-satirik në të ballafaquar me këtë situatë. Romani trajton probleme të mprehta etike; ku vazhdimisht dëgjohen zëra të çakorduar, të ndrydhur, të vjelë, agresivë; si në një kor të përzier, në të cilin shquhet një zë që prish ritmin, tempin e melodinë e jetës, kurse spektatorët rrudhin krahët në fillim dhe pa dashas hetojnë se janë pjesë e atij kori, në të cilin dirigjenti herë rri i fshehur herë duket haptas, ose nuk duket fare. Kjo gardë e një realiteti vlerash të shprishura, vepron në një hapësirë jermi, të dehur; Personazhi kritik i Arsimit që përfaqëson vetëdijen e zgjuar dhe etike, gjendet në rrugët e kërkimit të bashkëbiseduesit, bashkëveprimtarit. Prandaj, dhe shtresa romanore që ndërlidhet me këtë ndërthurje kohësh, dhe kur zbret në kohën tonë, sikur e thur skepsën e një sizifiane shoqërore-kombëtare: "Nuk shkoi shumë kohë e titimtarët filluan të ndiheshin të sunduar mu kur në dukje e kishin tërë pushtetin në duar. Duke i kërkuar mangësitë, e panë se ishin shumë të mangët, prandaj i mbështetën të gjithë ata që kishin sunduar dikur e që pranonin të sundonin edhe tash, me pushtetin e tyre mbi kokë, sa për sy e faqe. Edhe Thatani ishte një nga ata që kishin rreth e rrotull ata që dikur i kishin pasur armiq, ata të cilët dikur kishin qenë ndjekësit e tyre, gjykatësit e tyre...'Nisesos po ndodh kështu me ne e ndër ne, nisesos' - qeshi me hidhërim Arsimi." Por, megjithatë, triumfon një ligjërim komentues, i matur, objektiv dhe çlirues: "Historia e atyre ditëve të përgjakshme, të frytshme e të frikshme, po edhe e njerëzve të guximshëm, kishte mbetur prapa, tri dekada larg. Reflektimi i tyre në të sotmen ishte madhështor dhe tragjik. Madhështor në brendinë e atyre që ishin pjesë e tyre, tragjik në trajtimin që u bëhej nga ata që kishin mundësi vendimmarrjeje." Si te shumicën e veprave të tij, edhe ky roman ka një veçori të përbashkët me to, e që mund të quhet DRAMA E KOHËVE, apo Njeriu në ballafaqim me kohët apo Njeriu në krizën e vetëdijes së kohëve që i jetuam e përjetuam; janë si përjetim përvojash kolektive e individuale, nga njëra anë dhe si drama të individit në zigzaget e prapaskenat misterioze të shoqërisë nga ana tjetër. 2. E pra, edhe protagonisti i këtij romani përfaqëson Vetëdijen e Dyfishtë kritike: me kokrrën e pjekur të ndërgjegjes për spastrimin nga iluzionet dhe utopitë dhe me personifikimin e këtij protagonisti si Vetëdije e Zgjuar e kohës, qëndrimi kritik i të cilit ngërthen shumë dhembje, klithma, urti, përplasje dramatike, për ta zgjuar njeriun t'i ndryshojë rrjedhat e historisë. Prandaj, edhe romani "Ngjarje në kohë të pakohë" që stigmatizon ndërgjegjet e sëmura të kohës, të cilët njollosnin betejën për shkollën shqipe gjatë viteve '90; edhe koha e pasluftës; i shërbejnë autorit që edhe më spikatshëm ta profilizojë qëndrimin e tij kritik, nga njëra anë, por edhe t'i japë rrugëzgjidhjet, nëpërmes këtyre vetëdijeve të zgjuara, nga ana tjetër, sikundër është romani trevëllimësh "Shtetthasit". Në secilën kohë sheh se u mungon shumë qarqeve e shtresave drejtuese të shoqërisë vlerësimi i njerëzve të çmuar apo i vizioneve largpamëse e vepruese.

(Kosova Sot)