Clinton fajëson të gjithë, me përjashtim të vetes, për humbjen që pësoi nga trump

  • 24 September 2017 - 17:09
Clinton fajëson të gjithë, me përjashtim të vetes, për humbjen që pësoi nga trump

 

Me gjasë, sikur edhe të gjithë ata që kanë të ngjarë që ta lexojnë këtë kritikë, mua më erdhi keq kur Hillary Clinton humbi zgjedhjet nëntorin e kaluar. Por, tani ka edhe një arsye shtesë për keqardhje: në një moment kur ka kohë sa të dojë, gruaja e cila ishte aq e kualifikuar që të ishte një presidente e aftë dhe mendjendritur, me të shpejtë ka shkruar, apo ka mbikëqyrur shkrimin e një libri aspak reflektiv, i cili është kombinim i filozofive të tepërta rreth asaj pse ajo i humbi zgjedhjet. Hutimi i saj mund të kuptohet lehtë, por a nuk mund të priste, para se të fillonte të bënte para nga dështimi dhe ta rilansonte 'brendin' e saj me një turne mbarëkombëtar të librit? Maksima (apo pallavra) e Bill Clintonit ishte "E ndjej dhembjen tuaj", një frazë të cilën ai nuk e thoshte në ndonjë zonë përmbytjesh apo tërmetesh, por në një klub nate në Menhetën, kur ishte shqetë- suar nga një aktivist i Aids-it. Ekuivalenti i Hillary's nuk është ofrimi i dhembshurisë, por një kërkesë për dhembshuri nga të tjerët: ajo dëshiron që ne ta ndjejmë dhembjen e saj - tronditjen e natës së zgjedhjeve, ankthin se i duhej që të ballafaqohej me një turmë armiqësore me rastin e inaugurimit të Trumpit dhe nga fakti se i duhej ta dëgjonte atë që të fliste rreth kërdisë sociale në një fjalim të cilin George W Bush e përshkroi si 'mut të përçudshëm'.

NJË RRËFIM KLASIK I ARROGANCËS

Figurave publike iu pëlqen që të na thonë se janë duke na shërbyer deri në fund të fundit, neve, njerëzve të vegjël, votuesve dhe konsumatorëve të tyre dhe Clinton e bën këtë gjë, sikur ta kishte në mend shëndetin tonë emocional, e jo atë të sajin. "Ndoshta kjo do t'iu ndihmojë edhe juve", thotë ajo kur përshkruan se si e kishte shëruar mjerimin e saj me "Chardonnay", me frymëmarrje alternative - herë me njërën e herë me tjetrën birë të hundës dhe me anë të mesazheve që i merrte me e-mail nga prifti i saj. Më pas, ajo shikohet në pasqyrë dhe shton: "Nuk ma merr mendja që ndokush nga ata që do ta lexojnë këtë libër, shumica prej tyre, do të ballafaqohen ndonjëherë me humbjen e zgjedhjeve presidenciale". Kjo deklaratë është e ngjashme me atë që e thotë Trump: "Unë jam president, e ti jo"! Ky është një rrëfim klasik i arrogancës. Clinton e veshur sikur personifikim i Amerikës, me veshje të njëpasnjëshme, të stilizuara nga Ralph Lauren, me ngjyrë të kuqe, pastaj të bardhë dhe blu, gjatë tri debateve të saj TV me Trumpin dhe, natën e zgjedhjeve ajo kishte planifikuar që ta shpallte fitoren në një skenë të formësuar sikur harta e SHBA-së. Ajo tregon sesi kishte planifikuar që, me rastin e udhëtimit të saj të parë në Uashington, si presidente, ta vishte kostumin ngjyrë rozë. Bile, ajo kishte blerë edhe një shtëpi nga fqinjët e saj, ku parashikonte se do të rrinin ndihmësit e saj, të Shtëpisë së bardhë. Është krejt në rregull kur ajo vazhdimisht përsërit "E dua Amerikën", sikur të mos ishte fakti që ajo urren gjysmën e votuesve amerikanë, të cilët nuk ia dhanë votën. I tërë ky triumfalizëm tregohet pa fije pendimi. Në vend të pendimit apo ndjenjës së përgjegjësisë, faji hedhet te të tjerët - James Comey për shkak se 'e kishte bërë të madhe' punën e emailave të saj; Bernie Sanders për shkak se kishte ndarë votat e progresivëve; i urryeri Julian Assange për shkak të WikiLeaks-it; si dhe ata miqtë e ngushtë të Putinit dhe Trumpit për shkak të energjisë së tyre 'të errët'. Kushdo që e ka kundërshtuar, akuzohet se një gjë të tillë e kishte bërë për shkak të mizoginisë.

LIBRI PËRMBAN EDHE NJË KONKLUDIM TË ARSYESHËM RRETH TRUMP-IT

Përkundër këtyre akuzave, analiza e saj e humbjes sqaron faktin pse masat nuk ishin 'nxehur' pas saj. Në vend të rikuperimit, Clinton është përcaktuar për riaktrimin e një të kaluare të largët. Libri i saj përmban kujtime nga fëmijëria e saj, kur kishte luajtur bejsboll, rreth takimit të saj të parë me Billin, pastaj kujtime rreth lindjes së Chelsea's dhe me të arriturat e saj të mëvonshme në karrierë. Midis tjerash, ajo e përshkruan veten edhe si një ish sekretare e shtetit, e cila kishte bërë gati "një milion milje udhëtim". Nuk ka dyshim se ajo ka arsye për të qenë krenare, por a e shpjegon kjo atë që ndodhi më 8 nëntor? Kur vjen puna te llogaridhënia, ajo zhytet në një fantazi rreth në të ardhmeje alternative. Ajo jep detaje rreth ligjeve të cilat do t'i kishte çuar përpara, duke e sjellë edhe fjalimin që e kishte përgatitur ta mbante pas fitores, por që nuk iu dha rasti ta mbante, fjalim i cili mbaron me fjalët: "Amerika është vendi më madhështor në botë dhe duke premtuar se "Ne do ta bëjmë Amerikën edhe më madhështore" - fjali të cilat duken sikur të ishin marrë nga goja e Trump-it. Në libër, ajo përmend edhe supremacistin e bardhë, Dylann Roof, i cili vrau adhuruesit në një kishë në Çarllstaun, si dhe faktin që të afërmit e viktimave të tij i kishin thënë: Ne ta falim. Më pas, ajo e pyet veten se çka mendon rreth votuesve të Trump-it, të të ashtuquajturve "të mjerë". Ajo përgjigjet:"Kjo është e komplikuar", duke thënë se i falë për shkakun se nuk kishin ditur çka kishin bërë. Shumë flet edhe një rikujtim i shkurtër rreth së kaluarës: Bill dhe Hillary ishin mysafirë në dasmën e Trump-it me Melanian. Hillary tregon se ata nuk i kishin çuar çiftit asnjë dhuratë. "Ne nuk ishim miq. Atëherë pse vendosëm që të shkonim? Pamë se Bill do ta mbante një fjalim në atë zonë, gjatë fundjavës, prandaj shkuam vetëm sa për t'u tallur". Ky koment nxjerr në dritë të keqe jo vetëm Trump-in, i cili i kishte ftuar Clintonët vetëm për shkak të statusit të tyre, por edhe për vetë çiftin Clinton. Libri përmban edhe një konkludim të arsyeshëm rreth Trumpit, për të cilin Hillary thotë se "dukej sikur as që donte të bëhej president", për dallim nga ajo, që e donte një gjë të tillë më shumë sesa vetveten. Është e vërtetë se ai tani shijon faktin që është zgjedhur, por duket se ai nuk kishte kuptuar se do të ishte president për katër vjet. Kishte paramenduar një mbrëmje finale, sikur të shout të tij "The Apprentice". I çmendur nga një pozitë false në të cilën gjendet, i burgosuri i një realiteti i cili nuk është aspak i ngjashëm me reality TV; Trump duket se është përqendruar ta gjejë një mënyrë që ta shkarkojnë. Përkundër apelit të Clintonit për simpati, është Trump ai i cili, falë librit të saj, mu dhimbs për disa momente.

(Kosova Sot)