Filmi kosovar, ende larg Kanës, Berlinit apo Venecias

  • 25 September 2017 - 09:37
Filmi kosovar, ende larg Kanës, Berlinit apo Venecias

Filmi kosovar i metrazhit të gjatë vazhdon të jetë jashtë festivaleve prestigjioze evropiane dhe më gjerë. Më përjashtime të rralla, filmat kosovarë vazhdojnë ende nëpër festivale të rangut më të ulët, pa ndonjë shkëlqim dhe në shumë raste sa për të qenë prezentë në ndonjë festival filmi. Shkak për këtë është cilësia e filmave, duke filluar prej rrëfimit, aktrimit, deri te përgatitja teknike. Pavarësisht përparimeve që janë bërë në fushën e kinematografisë në vend, sidomos rritja e mbështetjes për filmim nga institucionet, kinematografia kosovare vazhdon të mbetet shumë prapa asaj që sot zhvillohet në rajon. Kjo tregon edhe dështimin e filmave për të qenë pjesë e eventeve të mëdha evropiane, si festivali i Kanës, Berlinit, Venecias, apo ndonjë tjetër.

Skenarë të përsëritur, me emra të përsëritur

Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se festivalet e këtij rangu, si ai në Berlin apo Kanë, kërkojnë filma që mbajnë vulën autoriale dhe që në vete përfaqësojnë vlera të larta artistike. Kinematografia jonë, sipas tij, ende nuk ka arrirë këtu. Ai ka shtuar se ka tema e ide, të cilat që 18 vjet përsëriten nga autorë të ndryshëm. E vërteta, ka potencuar më tej Musliu, është se publiku dhe juritë nëpër këto festivale dëshirojnë që në ekranin e kinemasë të shohin film të jashtëzakonshëm, ose atë që nuk është trajtuar në mënyrë të zakonshme. Pra, ka thënë më tej regjisori Musliu, "edhe në qoftë se skenari është i parë ndonjëherë ai duhet trajtuar ndryshe", ka pohuar ai, duke shtuar se, "Unë mendoj se kinematografia jonë është e zhytur edhe në plagjiat, ku skenarët vetëm kopjohen dhe u ngjitet një emër i një autori tjetër. Duhet të ndryshohet kursi i të bërit film, duhet lënë hapësirë gjeneratave në ardhje që ta dëshmojnë veten, se nëse vazhdohet me përsëritjen e emrave të njëjtë do të kemi edhe gjendjen e njëjtë, suksesi do të na mungojë. Skenarë të përsëritur me emra të përsëritur", ka thënë regjisori Musliu. Ndërsa ka shtuar se nëse nuk çlirohet QKK-ja nga kapja dhe fondet të shkojnë nëpër emra të njëjtë, nëse nuk kemi ngritje të buxhetit për kinema e kinematografi rezultatet do të jenë modeste për të mos thënë dëshpëruese.

Koha për kinema bashkëkohore

Kurse krijuesi dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, Bujar Meholli ka thënë se në metropolet e mëdha të botës industria e filmit është një faktor ekonomik shumë i rëndësishëm. Filmi, ka thënë ai, është ai që arrin t'i marrë shikuesit dhe kështu t'i shpjerë në një botë ëndrrash, ku kapërcehet çdo kufi... Por, pse filmat tanë vazhdojnë të mbeten ende larg nga festivalet prestigjioze botërore? "Me muzikë apo arte pamore kohëve të fundit kemi arritur të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar, mirëpo kjo fatkeqësisht nuk mund të thuhet edhe për kinematografinë kosovare, e cila duhet ta rrisë produksionin filmik, t'i gërshetojë vlerat dhe stilin ashtu siç kërkojnë festivalet e mëdha, në mënyrë që të arrijë prezantim të denjë", ka thënë Meholli. Ndërsa ka potencuar se këtu barra bie direkt edhe mbi institucionet tona, të cilat nuk bëjnë sa duhet për filmbërësit kosovarë dhe mjetet që u sigurojnë ata lënë shumë për të dëshiruar. Megjithatë, sipas tij, edhe këta të fundit mendoj se duhet të reflektojnë. E kam fjalën për tematikën! Meholli ka thënë më tej se ka ardhur koha të kapërcejmë temën e luftës apo gjakmarrjes. "Duhet të kemi një kinema bashkëkohore; të bëjmë, fjala vjen, një film komedi apo të lëvrojmë ndonjë temë krejtësisht të re. Një romancë, do të ishte fantastike", ka potencuar ai. Po sipas tij edhe filmi i metrazhit të gjatë ka ngecur tek ne dhe realizimi i tij është bërë tejet i vështirë, derisa skenari mbetet gjithashtu një nga pikat më të dobëta të filmit kosovar. Kinematografia jonë, ka thënë në fund Meholli duhet të prodhojë filma sa më shumë, si dhe nga secili syresh të sjellë një vlerë shoqërore.

(Kosova Sot)