Anglia e rreth 1500 vjetëve më parë në roman

  • 08 October 2017 - 14:40
Anglia e rreth 1500 vjetëve më parë në roman

SHKRUAN: SKEDA NEIL GAIMAN

F antazia është mjet i rrëfyesit. Është mënyrë e të folurit rreth gjërave, të cilat nuk janë dhe nuk mund të jenë krejtësisht të vërteta. Ajo është një mënyrë për t'i bërë metaforat tuaja konkrete dhe, në njërin drejtim, fantazia kalon në mit dhe në alegori, në drejtimin tjetër. Dikur, shumë vite më parë, një përkthyes francez kishte vendosur që libri im "Stardust" ishte alegori, e bazuar te dhe rreth librit të John Bunyan'it, "The Pilgrim's Progress" (gjë që nuk ishte e vërtetë), dhe disi tepër lirshëm e përktheu librin tim me fusnota. Kjo më bëri paksa të turpshëm që të flisja rreth alegorisë dhe shumë të turpshëm rreth përmendjes së librit "The Pilgrim's Progress." Kazuo Ishiguro është një romancier i jashtëzakonshëm, si për kualitetin e punës së tij, por edhe për faktin se ai asnjëherë nuk e shkruan dy herë romanin e njëjtë, apo as edhe llojin e njëjtë të romanit. Në librin e tij "The Buried Giant", të shtatin dhe më të riun, ai fillon me një gjuhë të qartë, avash-avash, duke përshkruar Anglinë e rreth 1500 viteve më parë, në një roman i cili është po aq sa mirë i bërë, po ashtu edhe i çuditshëm. Një pjesë e bizaritetit vjen nga terreni mesjetar: Ky është një roman rreth një çifti të moshuar që shkojnë nga njëri fshat te tjetri, në një ngjarje që zhvillohet në një Angli gjysmë-historike të shekullit të gjashtë, apo të shtatë, ku britanikët dhe saksonët ishin në një luftë të përgjakshme. Britanikët ishin shtyrë në perëndim, derisa saksonët kontrollonin Anglinë lindore, por saksonët dhe britanikët jetojnë krah për krahu në një muzg postArthurian, në një kohë mitike të viganëve, shpirtrave dhe dragonjve, kryesisht dragoit Querig, i cili dominon gjysmën e dytë të librit, në të cilën një personazh duhet ta vrasë atë aq shumë, aq sa një tjetër ka nevojë ta mbajë atë në jetë. Bizaritetet tjera vijnë nga personazhet, ku shumë prej tyre navigojnë në rrugën e tyre përgjatë rrëfimit, pa marrë parasysh sa të përgjumur dhe të pasigurt mund të duken ata.

PROBLEMET ME KUJTESËN

Çifti i moshuar janë Axl dhe Beatrice - "Ndoshta këta nuk ishin emrat e tyre të vërtetë, por për ta lehtësuar, kështu do t'iu referohemi atyre" - të cilët fillojnë që të jetojnë në një fshat i cili keqtrajtohej nga britanikët e tyre. Axl dhe Beatrice e duan njëri-tjetrin thellësisht dhe përkujdesen për njëri-tjetrin sa më shumë që munden. Beatrice ka një dhembje, për të cilën thotë se nuk është asgjë serioze. ata kanë arritur një moshë kur memoriet e tyre janë bërë të pabesueshme, kur emrat, fytyrat, bile edhe ngjarjet, ka kohë që janë harruar. Por, problemet me kujtesën dhe ngjarjen nuk janë vetëm të tyre, meqë që të gjithë njerëzit në komunitetin e tyre, bile edhe ata në fshatrat fqinje, britanikë dhe saksonë, duket të kenë vështirësitë e njëjta. Është një mjegull e cila i vjedh memoriet: të mirat, të këqijat, memoriet rreth fëmijëve të humbur, grindjeve dhe plagëve të vjetra. Dhe, memoriet janë të çmueshme. Ato na bëjnë ata që jemi. Sikur që thotë Beatrice: "Nëse kështu e kujton ti këtë ngjarje, Axl, atëherë po e lëmë që kështu kishte ndodhur. Me këtë mjegull mbi ne, çdo kujtim është i vlefshëm dhe duhet ta mbajmë me fuqi atë". Përkundër kësaj mjegulle, Beatrices i bie ndërmend që kanë një djalë të rritur, të cilin e kanë lënë anash në një fshat të afërt dhe se duhet të shkojnë për ta parë atë. Çifti niset për udhë dhe takojnë Wistanin, një luftëtar sakson i cili kishte shpëtuar një djalë nga viganët. Pasi sheh Wistanin, Axl-it fillon t'i kujtohet e kaluara e tij, kur ai ishte njëfarë ushtari. Djali i shpëtuar, Edwin, i kafshuar nga një përbindësh, është në rrezik në fshatin e tij sakson dhe, djali e luftëtari i bashkohen çiftit të vjetër në udhëtimin e tyre deri te fshati i djalit.

 NË QENDËR TË LIBRIT ËSHTË NJË REBUS FILOZOFIK

Katër udhëtarët takojnë Sir Gawainin, nipin e vdekur të Mbretit Arthur, i cili tani është kalorës antik me veshje të ndryshkura hekuri. Ai ka një mision, një të kaluar dhe shumë sekrete, sikur që edhe Wistan ka një mision, një të kaluar dhe sekrete. Udhëtarët vizitojnë një manastir me sekretet dhe rreziqet e tij, por ata mbijetojnë dhe zbulojnë në fund burimin e mjegullës së harresës. "The Buried Giant" është një libër melankolik, prandaj edhe mjegulla e cila është shtrirë gjithandej, është melankolike. Aty ka aventura, luftime me shpata, tradhti, ushtri, përbindësh të vrarë, por këto gjëra thuhen disi në distancë, pa e përshpejtuar pulsin e librit. Armiqtë vriten, por vdekjet kurrë nuk janë triumfuese. Në qendër të librit është një rebus filozofik, që në fillim shprehet nga një grua e moshuar, të cilës burri i kishte ikur në një ishull mistik, ku asaj nuk i lejohej që të shkonte. Vetëm ato çifte të cilat mund t'ia dëshmojnë barkëtarit se dashuria e tyre është e përkryer dhe e vërtetë, pa zemërim, xhelozi apo turp, mund ta kalojnë ujin së bashku, në të njëjtën barkë, duke shkuar në ishull. Deri në kapitullin e fundit Ishiguro nuk e zgjidh misterin: Kush janë, në të vërtetë, Axl dhe Beatrice? Çka kishte ndodhur me djalin e tyre? Ku janë duke shkuar ata? Dhe, nëse atyre me të vërtetë iu kujtohet se kush janë, a do të jenë më pas në gjendje që ta duan njëri-tjetrin në të njëjtën mënyrë?

(Kosova Sot)