Bordet, vende për punësimin e partiakëve dhe joprofesionistëve

  • 09 October 2017 - 08:28
Bordet, vende për punësimin e partiakëve dhe joprofesionistëve

Mijëra euro harxhohen çdo muaj nga buxheti i shteti për të paguar anëtarët e bordeve drejtues të institucioneve kulturore. Gjithë kjo para publike jepet me qëllim për mbarëvajtje dhe zhvillim të këtyre institucioneve, edhe për të shtyrë zhvillimet kulturore në shumë fusha. Megjithatë, gjithë ky buxhet harxhohet kot, pasi Bordet Drejtuese të këtyre institucioneve nuk kanë dhënë ndonjë rezultat në zhvillimet kulturore në vend, para së gjitha të institucionit për të cilin janë emëruar. Duke u shndërruar thjesht në mekanizma parazit sa për të zhvatur paranë publike. Një mendim të tillë kanë shprehur njohës të zhvillimeve kulturorë në vend. Sipas tyre, Bordet Drejtuese të institucioneve, jo se janë promotorë të zhvillimeve në kulturë, por janë thuajse penguesit kryesorë në këto zhvillime. Duke i bërë kështu këto borde më shumë si vend për rehatim të militantëve.

'Vend pune' për të papunët

Më e keqja është se nëpër këto borde emërohen njerëz që nuk sjellin 'prob leme' për zyrtarët ministrorë dhe klane të caktuara, të cila jo rrallëherë kanë ditur të fusin në dorë institucione të caktuara. Avni Rudaku, studiuesi dhe njohës i institucioneve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot" tha se Bordet Drejtuese janë shndërruar në vend për rehatim të militantëve partiakë, të të dëgjueshmëve dhe joprofesionistëve. Rudaku ka thënë se Bordet janë sinonim i të papunëve të paguar me shuma të majme; jofunksionale, improvizuese, pa ndonjë rezultat mikpritës. Sipas tij, Bordet shpesh përbëhen nga profesionistë të dobët që nuk punojnë, bashkë edhe me profesionistë të mirë, por që u figuron emri për para, se nuk kanë sens përgjegjësie për punën në borde. Bordet janë të politizuara, ose janë miq me njëri-tjetrin, ose rivalë. "E vetmja gjë që bëjnë është shpesh deklarative, e thatë dhe jo aq me përmbajtje. Takimet janë joserioze, pa përkushtim dhe pa ndjenjë të lartë të detyrës. Bordet në shumicën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike janë bërë sinonim i 'Prontos', partiakizimit, improvizimit, mungesës së meritokracisë dhe shumave marramendëse", ka thënë Rudaku, duke analizuar punën që bëjnë Bordet e institucioneve kulturore në vend.

'Mashat' e ministrave

Kurse regjisori Sunaj Raça ka thënë se janë bërë shumë vërejtje për punën e Bordeve Drejtuese në institucionet kulturore, dhe që janë të sakta. Pasi, sipas tij, vërejtjet ishin për mospunën e tyre profesionale dhe për klanizimin e institucionit të cilin e drejtojnë. "Kjo ndodh pasi Bordet janë komplet të politizuara dhe janë instrument i ministrave dhe i partive në pushtet për të manipuluar me punën e institucioneve", ka thënë ai, duke shtuar se derisa anëtarët e Bordeve do të emërohen njerëz të afërt me partitë politike në pushet dhe derisa anashkalohen profesionistët, nuk do të ketë institucione të shëndosha dhe me vlerë. Kurse Argjend Hasani, krijuesi dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot"se Bordet Drejtuese në institucionet e kulturës, fatkeqësisht, jo se janë promotorë t? zhvillimeve në kulturë, por janë thuajse penguesit kryesorë në këto zhvillime. "Krejt kjo vjen si pasojë e politizimit të kulturës me emërimin e "komisarëve" partiakë. Prandaj, lirisht mund të konkludohet se në këto Borde të institucioneve të kulturës emërohen mu ata që kanë fare pak të bëjnë me kulturën", ka pohuara Hasani.

(Kosova Sot)