Institucionet në gjumë për zhvillimin e turizmit kulturor

  • 10 October 2017 - 09:49
Institucionet në gjumë për zhvillimin e turizmit kulturor

Turizmi kulturor në vend vazhdon të mbetet jashtë vëmendjes së institucioneve. Përderisa vendet e rajonit janë duke bërë hapa gjigantë në promovimin e këtij sektori, i cili përveç dobisë ekonomike u ndihmon këtyre vendeve të promovojnë trashëgiminë kulturore, Kosova ka shumë punë për të bërë. Shumë asete të trashëgimisë kulturore, pasuria e madhe etnokulturore dhe ajo e gastronomisë, ende mbeten një pasuri e izoluar, të cilën e 'shijojnë' fare pak njerëz. Krejt kjo si rezultat i punës së paktë që është bërë nga institucionet, edhe pse vitet e fundit janë parë hapa drejt zhvillimit të këtij sektori, por jo sa duhet nga MKRS-ja dhe institucionet e tjera. Situatë e njëjtë pritet të ndodhë edhe në vitet në vijim. Në një prononcim për "Kosova Sot", Ylber Vokshi, ekspert në trashëgiminë kulturore, ka thënë se këta 18 vjet institucionet nuk e kanë trajtuar si duhet turizmin kulturor, qoftë nga MKRS-ja ose dikasterët e tjerë qeveritarë.

Pa kontroll shtetëror

Vokshi ka thënë se pak është punuar në promovimin e turizmit kulturor nga ana e MKRS-së, përkundër asaj, se siç ka thënë ai, Kosova ka shumë çfarë t'i ofrojë botës në këtë fushë. "Kosova është një territor me civilizim të vjetër, duke filluar nga antika deri në ditët e sotme, e pasur me monumente kulturore të ndërtuara, me zakone dhe rituale pagane dhe fetare, të kultivuara me shekuj. Është mëkat i madh që të mos shfrytëzojmë tërë atë pasuri kulturore të trashëguar nga shekujt e kaluar", ka thënë eksperti Vokshi, duke shtuar se mungon një ombrellë (MKRS), një sinkronizim, siç ka thënë ai, në mes të sektorit shtetëror dhe atij privat që së bashku të prezantojnë dhe të zhvillojnë kapacitetet e shumta të turizmit kulturor që i ka ky vend. E tëra, ka vazhduar ai, më tej po zhvillohet në mënyrë stihike, pa kontroll shtetëror, i cili i ka mekanizmat për të vepruar, por pushteti aktual as që është i interesuar të veprojë në mungesë të përfitimeve individuale e besa edhe diturive

Pak është bërë për zhvillimin e turizmit kulturor në vend

Partneriteti publiko-privat, sipas Vokshit është shans i mirë për të pasuruar ofertën e turizmit kulturor, është kjo mundësi e madhe që të kenë përfitime materiale të dy sektorët dhe të promovohet trashëgimia e shumtë që e kemi."Duhet pasur shumë kujdes me e përcjellë bashkëpunimin me legjislacion adekuat, i cili na mungon, për të mos na ndodhur abuzime apo keqpërdorime me vlerat historike, si në disa shtete të regjionit apo rasti i Vushtrrisë te ne", ka pohuar ai. Ndërsa ka thënë se në kohët e fundit si duket ka filluar të ndryshojë qasja ndaj kësaj fushe e për këtë e kemi përgatitjen dhe hapjen e një segmenti të parkut arkeologjik në Ulpianë për vizitorët vendorë dhe turistëve të huaj të interesuar. "Kjo iniciativë uroj që të jetë fillimi i ndryshimeve pozitive, pasi vendimmarrësit tanë duhet kuptuar se zhvillimi i turizmit kulturor ndihmon në ngritjen ekonomike, aq të domosdoshme për shtetin, por nga mosdija dhe mos interesimi i atyre që vendosin e kemi situatën konfuze, ku investimet shtetërore për të krijuar parakushtet me u zhvilluar turizmi kulturor mungojnë", ka pohuar Vokshi për "Kosova Sot". Ndërsa shkrimtari Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se përjashto rastet e izoluara, siç është Prizreni, pak është bërë për zhvillimin e turizmit kulturore në vend. Sipas tij, janë lënë jashtë nga MKRS-ja shumë segmente në interes të vendit tonë, pastaj të vet turistëve dhe gazetarëve që do t' i distribuonin bukuritë e rralla dhe unike të Kosovës. "Me një interesim pak më të madh ky angazhim dhe interesim do të vilte edhe para të mira, siç janë bjeshkët e Rugovës, Bajgora (Piceli sidomos), lumi Mirusha, Prekazi me tri apo katër kullat e epopeve të lavdishme, Çiçavica e shumë të tjera", ka thënë ai, duke shtuar se ministria duhet urgjentisht të bëjë doracakë dhe katalogët me këto bukuri. Tahiraj ka shtuar se institucionet duhet të bëjnë shumë për të vënë në shërbim turizmin kulturor, duke investuar në infrastrukturë, që vizitorët të kenë qasje jo vetëm në ato regjione që tashmë kanë nisur të presin vizitorë, por edhe pjesë tjera si, Bardhi, Kalaja e Harilaqit, pastaj në Vuqak të Drenasit dhe pa lënë anash tjera objekte. Pavarësisht insistimit, gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga MKRS-ja rreth objektiva të saj për turizmin kulturor.

(Kosova Sot)