< Projektligji për Kinematografinë KTHEHET NË PIKËN ZERO - Kulturë - Kosova Sot
Projektligji pėr Kinematografinė KTHEHET NĖ PIKĖN ZERO

Projektligji pėr Kinematografinė KTHEHET NĖ PIKĖN ZERO

NDOSHTA DO TË FUTET NË PLANIN LEGJISLATIV PËR VITIN 2018

Amendamentimi i Ligjit për Kinematografinë shihet si një mundësi për të shtyrë përpara zhvillimet kinematografike në vend

Producenti Avni Abazi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se puna praktike e filmbërjes në terren, por edhe në administratë, ka dëshmuar që ligji aktual për kinematografi ka nevojë që të plotësohet, të përmirësohet dhe disa nene të shtohen

Kosova është ende larg miratimit të Ligjit të ri për Kinematografinë në vend. Pavarësisht 'përpjekjeve' të shumta që janë bërë deri më tani nga ana e Ministrisë së Kulturës për t'i sjellë vendit një Ligj për Kinematografinë dhe qartësim të çështjes së "Kosovafilmit", deri më tani gjithçka është kthyer në zero. Kjo është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës. Madje, ende nuk është e sigurt nëse ky projektligji do të hyjë në Planin Legjislativ për vitin 2018. Në anën tjetër, miratimi apo amendamentimi i Ligjit për Kinematografi shihet si një mundësi për të shtyrë përpara zhvillimet kinematografike në vend, por edhe për të zgjidhur mjaft çështje të lëna pezull lidhur me fushën e filmit në vend.

Diskutime me personat kompetentë

Samir Hoxha, këshilltar i lartë politik i ministrit, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Projektligji për Kinematografinë ishte proceduar në Qeverinë e Republikës në fillim të vitit 2015 dhe i njëjti pat ka kaluar në Qeveri, pastaj ishte përcjell për miratim në Kuvend. "Komisioni Parlamentar për Kulturë e ka shqyrtuar projektligjin dhe në fund e ka proceduar për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Me kërkesën e ish-ministrit ky projektligj është tërhequr nga Kuvendi në vitin 2016, me arsyetimin që i njëjti duhet të shqyrtohet dhe të konsultohet edhe më shumë", ka thënë ai, duke shtuar se në procedurën e rregullt për hartimin dhe procedimin e akteve ligjore, nëse një projektligj tërhiqet me kërkesën e propozuesit, i njëjti kthehet prapë te propozuesi i aktit. Hoxha ka thënë se MKRS-ja do të diskutojë me personat kompetentë brenda ministrisë dhe institucioneve vartëse për këtë projektligj dhe pas konsultimeve me ta do të vendosim për përfshirjen ose jo të këtij projektligji në Planin Legjislativ për vitin 2018. 

Ligji aktual për kinematografi ka nevojë që të plotësohet

Regjisori Mahir Musliu ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se një ligj për kinematografi, nëse në të janë përfshirë nevojat e komunitetit artistik në vend, do t'u bënte mirë zhvillimeve kinematografike. Por, ka thënë ai, është shumë e rëndësishme se çka përmbajnë nenet e këtij (projekt) ligji. "Pra, ana përmbajtjesore dhe juridike në mënyrë ligjore garanton zhvillim të kinematografisë, stimulim të kineastëve, të cilëve do t'u japë zemër dhe shpresë. Më këtë ligj besoj se është zgjidhur edhe puna e kinemave dhe Kosovafilmit, që dikur i ka shërbyer kinematografisë. Pra, të gjitha këto paluajtshmëri, të cilat në kohërat e mëhershme kanë qenë në funksion të zhvillimeve kinematografike, kam shpresë se ky ligj i ka paraparë. Pa përfshirjen e këtyre që i përmenda, ky ligj nuk do të kishte asnjë vlerë, toka e 'Kosovafilmit' do të shndërrohej në ndonjë depo të materialit ndërtimor, kurse kinematë në qendra tregtare. Shumë ka rëndësi prona për të cilën lutën të mos këtë mbetur në duart e AKP-së. Ndërsa producenti Avni Abazi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se puna praktike e filmbërjes në terren, por edhe në administratë, ka dëshmuar që Ligji aktual për Kinematografinë ka nevojë që të plotësohet, të përmirësohet dhe disa nene të shtohen."Nuk jam i sigurt nëse do të duhet të bëhet ligji i ri, por qëndroj mbrapa pohimeve që gjithsesi duhet ta rishikojmë ligjin e tanishëm. Normal që këto ndryshim- plotësime duhet të bëhen nga MKRS-ja, por është i nevojshëm edhe presioni i artistëve", ka thënë Abazi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)  

2 orë e 38 minuta më parë