Kosova, pa Muze të Arteve Moderne

  • 13 October 2017 - 08:48
Kosova, pa Muze të Arteve Moderne

Kosova do të mbetet edhe për një kohë të gjatë pa një Muze të Arteve Moderne. Më konkretisht, pa një objekt prestigjioz për prezantim të artit pamor në të. Për vite me radhë, zyrtarët e lartë në Ministrinë e Kulturës kanë premtuar se do ta bëjnë një vendim për objektet prestigjioze kulturore, por gjithçka vazhdon të mbetet vetëm në letër. Kështu, pritet që të ngjajë edhe për vitin që vjen. Zyrtarë të MKRS-së nuk janë përgjigjur gjatë ditës së djeshme për "Kosova Sot", nëse Ministria do të merret në të ardhmen me çështjen e këtij projekti. Përderisa për krijuesit dhe njohësit e zhvillimeve kulturore në vend, institucionet po tregohen të papërgjegjshme me premtime të mëdha e në fakt duke mos bërë asgjë për to. Nisur nga ky fakt, dhe hapësirave aktuale në Galerinë Kombëtare, shumë prej veprave monumentale të krijuesve tanë të artit pamor, që nga Mulliqi, Emra, Berisha e të tjerë, do të vazhdojnë të mbesin nëpër depot në Galerinë Kombëtare, ato private e më gjerë. Në raste të rralla, ato mund të shihen në ndonjë ekspozitë retrospektive.

Hajrizi: Imazhi i artit degradohet dhe izolohet ditë më ditë

Për Selam Hajrizi, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore evropiane, është për keqardhje që vendi ende nuk ka një objekt monumental për prezantim të artit pamor. Sipas tij, imazhi i Kosovës me mospasjen e një infrastrukture kulturore mbetet mjaft i zbehtë. "Kosovës absolutisht i duhet një Muze i Artit Modern i standardeve kulturore të nivelit evropian, që Kosova të ketë imazh artistik e imazh pozitiv në nivel ndërkombëtar përmes artit dhe kulturës", ka potencuar Hajrizi, duke shtuar se pa këtë infrastrukturë, kultura do të mbetet në një nivel tejet të dobët dhe të degraduar. Ndërsa ka thënë se imazhi i artit degradohet dhe izolohet ditë më ditë. "Muzeu i Artit Modern do t'u jepte vullnet dhe karakter pozitiv edhe artistëve tanë, të cilët janë në një periudhë tejet negative, duke mos mundur të shprehin talentin e tyre nëpër botë!", ka potencuar Hajrizi, në një prononcim për "Kosova Sot".

Aliu: Nevojat për këtë investim janë emergjente

Edhe kritiku dhe krijuesi pamor Bislim Aliu ka thënë se mospërmbushja e premtimeve të institucioneve për ndërtimin e një objekti të ri për artet pamore në vend, tregon edhe një herë neglizhenca e institucioneve karshi investimeve në infrastrukturën kulturore. Ai ka thënë se nevojat për këtë investim janë emergjente. "Institucionet me këtë veprim po tregohen mospërfillëse ndaj artit pamor në vend, por edhe kulturës në përgjithësi. Vendi më shumë se kurrë ka nevojë për një objekti të ri për artin pamor në vend, pasi objekti aktual i GKK-së nuk arrin të përballojë trendët e fundit të artit pamor, sidomos sa i përket ruajtjes dhe ekspozimit të përhershëm të veprave", ka thënë Aliu. Nisma për ndërtimin e një objekti të ri, për Galerinë Kombëtare, ose një Muze të Arteve Pamore në vend nisi që më 2006, u hartua edhe një projekt për këtë objekt. Por, gjithçka nisi të marrë tatëpjetën pas vitit 2008, duke ndërruar vendin e ndërtimit ku ishte paraparë të ndërtohet ky objekt, e aty u ndërtua Fakulteti i Edukimit. Që nga atëherë e deri më sot, vazhdimisht janë përfolur disa opsione, por deri më sot nuk ka një lokacion të caktuar për këtë objekt. Për me keq, gjithçka po shkon drejt dështimit të këtij projekti.

(Kosova Sot)