SHTATORET E MONUMENTET PA MIRËMBAJTJE, I MBULON PLUHURI E GLASAT

  • 14 October 2017 - 10:38
SHTATORET E MONUMENTET PA MIRËMBAJTJE, I MBULON PLUHURI E GLASAT

KRIJOHET IMAZH I KEQ PËR KRYEQYTETIN

"Fatkeqësisht, te ne mirëmbajta është shumë në nivel të ulët dhe nuk mirëmbahen. Si shembull mund ta marrim përmendoren 'Heroinat', ku tashmë ka filluar të dëmtohet dhe shumë medaljone të vendosura janë prishur", ka thënë kritiku i artit Ilir Muharremi, duke shtuar se disa prej shtatoreve dhe monumenteve janë jashtë çdo standardi artistik dhe duhet të hiqen nga hapësirat publike, sepse si të tilla, ka thënë ai, as që duhet të mirëmbahen

Prishtina nuk shquhet si qytet për numër të madh të veprave të artit në hapësirat e saj publike. Kryesisht janë disa përmendore, ndonjë bust apo shtatore të personaliteteve vendore dhe të huaja. Por, edhe ato pak shtatore, buste apo vepra të tjera arti vazhdojnë të trajtohen keq, dhe pothuajse kanë mbetur pa përkujdesje. Pluhuri mbi to, kokat e glasaritura nga zogj të ndryshëm, hapësirat përreth tyre të papastra, janë ajo çfarë mund të shohim nga shtatoret, përmendoret apo bustet në Prishtinë. Si mos më keq gjendet shtatorja e Metush Krasniqit, busti i Henry Dunantit, apo edhe ajo me e reja në kryeqytet, "Heroinat". Një situatë e tillë është për keqardhje dhe po i përcjell për shumë vite duke krijuar edhe një imazh të keq për kryeqytetin, por edhe për vendin, duke hedhur poshtë pretendimet institucionale për nderim të veprës së atyre që dhanë për kombin dhe të mirën e njerëzimit. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës lidhur me këtë çështje. Ndërsa, ekspertë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend mirëmbajtjen e monumenteve në kryeqytet e cilësojnë alarmante dhe të dhimbshme.

ASNJËRA NUK MIRËMBAHET SI DUHET

Mustafë Halili, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ish- zyrtar komunal për kulturë në Komunën e Prishtinës, në një prononcim për "Kosova Sot', ka thënë se lënia pa mirëmbajtje e shtatoreve apo busteve në hapësirat publike në kryeqytet është për keqardhje. Sipas tij, asnjë përmendore, përkatësisht shtatore, nuk është duke u mirëmbajtur si duhet dhe fatkeqësisht kanë mbetur nën mëshirën e kohën. "Unë kam dëgjuar se ekziston njëfarë agjencie pranë zyrës së kryeministrit për mirëmbajtjen e monumenteve dhe përmendoreve, por nuk di më shumë. Por, një gjë mund të them se monumenti i Skënderbeut, pas vendosjes i është dhënë nën menaxhim, si pasuri, Komunës së Prishtinës, për të tjera nuk di, por asnjëra nuk është e mirëmbajtur sa duhet", ka thënë Halili, duke shtuar se me mirëmbajtjen e tyre duhet të merret Ministria e Kulturës në bashkëpunim edhe me komunat në vend. Halili ka thënë se secila komunë duhet të kujdeset për përmendoret në territorin e saj. Kurse sa i përket kostos financiare, Halili mendon se ajo duhet të mbulohet nga MKRS-ja, bile, ka thënë ai, nëse nuk mund të gjendet ndonjë zgjidhje në mes komunave dhe MKRS-së, kjo e fundit të gjejë institucione të specializuara për mirëmbajtjen e monumenteve.

DISA PREJ SHTATOREVE DHE MONUMENTEVE JANË JASHTË ÇDO STANDARDI ARTISTIK

Edhe Ilir Muharremi, kritik i artit pamor, gjendjen aktuale të përmendoreve në kryeqytet e konsideron shqetësuese. Muharremi ka thënë se çdo shtatore duhet të mirëmbahet, pasi, siç ka thënë ai, për një vepër arti në hapësirë publike ka rëndësi shumë hapësira dhe vendi ku vendoset, por edhe mirëmbajtja. "Fatkeqësisht, te ne mirëmbajta është shumë në nivel të ulët dhe nuk mirëmbahen. Si shembull mund ta marrim përmendoren 'Heroinat', ku tashmë ka filluar të dëmtohet dhe shumë medaljone të vendosura janë prishur", ka thënë Muharremi, duke shtuar se disa prej shtatoreve dhe monumenteve janë jashtë çdo standardi artistik dhe duhet të hiqen nga hapësirat publike, sepse si të tilla, ka thënë ai, as që duhet të mirëmbahen.

(Kosova Sot)