Kërkohet ligj për MUZETË NË VEND

  • 17 October 2017 - 09:00
Kërkohet ligj për MUZETË NË VEND

Muzetë në vend vazhdojnë të përballen me sfida nga më të ndryshmet, që nga gjendja e tyre jo e mirë, neglizhenca institucionale deri te mosrespektimi i rëndësinë së tyre nga institucionet. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" njohës të fushës së trashëgimisë kulturore në vend, konkretisht muzeologjisë. Përderisa vendet në rajon tashmë kanë bërë shumë përparime në fushën e muzeologjisë dhe po merren me procesin e digjitalizimit të tyre, muzetë kosovarë kanë mbetur shumë prapa, të varfër, me gjendje aspak të mirë dhe më renovime të stërzgjatura dhe pa vëmendje të duhur të institucioneve. Andaj, sipas ekspertëve, duke u nisur nga gjendja aktuale e tyre dhe nga rëndësia që po marrin sot muzetë, vendit i duhet një muze i veçantë. Ndërsa zyrtarë të MKRS-së kanë thënë për "Kosova Sot" se MKRSja po punon për koncept- dokumentin për muzetë.

Praktika e shteteve të tjera

Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se muzetë e paktë ekzistues në Kosovë janë në gjendje jo të dëshirueshme, trajtimi i tyre është i neglizhuar nga organet përgjegjëse të nivelit qendror dhe lokal, duke mos e respektuar rëndësinë e tyre fundamentale për të dokumentuar prezencën tonë shumë shekullore në këto hapësira. Muzetë, ka thënë ai, ruajnë dëshmitë e së kaluarës sonë dhe ia ofrojnë atë vizitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Vokshi ka thënë se përkrahja materiale për funksionimin e tyre si dhe financimi i zgjerimit të rrjetit të muzeve në të dy nivelet në këto vite ishte simbolike, çka është për çdo kritikë. Andaj, ka thënë ai, ka trajtim joadekuat të personelit të kualifikuar që punojnë dhe veprojnë në këto institucione shtetërore, si nga stimulimi material ashtu edhe pajisja me mjete aktuale për të pasuruar veprimtarinë komplekse muzeale."Duke u nisur nga nevojat reale, si dhe nga praktika e shteteve të tjera, mendoj se Kosovës i duhet një ligj i veçantë për muzetë, ku duhej të definoheshin në detaje detyrat, obligimet, funksionimi dhe llojet e muzeve në nivel qendror (shtetëror) dhe lokal (komunal). Një vend të veçantë duhet pasur edhe muzetë privatë që deri më tani nuk ka qenë praktikë te ne, e që janë treguar domosdoshmëri e kohës", ka thënë Vokshi. Ai ka shtuar se ka shumë çështje që duhet definuar në atë ligj, si: menaxhimi, administrata, ofrimi i shërbimeve, siguria e tyre, financimi, përfitimet, bashkëpunimi ndërkombëtar etj."Vëllimi i madh i materies tregon domosdoshmërinë e një ligji të veçantë për muzetë, pasi legjislacioni aktual për muzetë nuk e mbulon fushën komplekse të muzeve", ka pohuar Vokshi.

Mungesa e kuadrit profesional

Kurse Bashkim Lajçi, etnolog, shef i Degës së Etnologjisë në Institutit Albanologjik, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se funksionimi i muzeve në vend është mjaft i brishtë, nga të gjitha aspektet, edhe nga aspekti i komunikimit të këtyre institucioneve në mes vete, por edhe nga aspekti i komunikimit me ekspozitën muzeale, por edhe në raport me vizitorët! "Arsyet për një gjendje të këtillë janë të ndryshme, megjithatë mungesa e mjeteve materiale, mungesa e kuadrit profesional, nuk do mend se janë arsyet kryesore! Nisur nga kjo gjendje, mendoj se edhe nevoja për një ligj të muzeve, me të cilin do të rregullohej funksionimi i zinxhirit të muzeve në vend, është më së e domosdoshme!", ka thënë Lajçi. Edhe Zanita Halimi, eksperte në fushën e trashëgimisë dhe kryetare e Këshilli Drejtues të Muzeut të Kosovës ka thënë se vendit i duhet një ligji i veçantë që do të rregullonte funksionimin dhe fushën e muzeologjisë. Sipas saj, një ligj për muzetë në vend është më se i domosdoshëm, sepse me anë të këtij ligji jo vetëm se dihet funksioni dhe veprimtaria, por edhe ana tjetër organizative, që do të ndihmonte jo vetëm Muzeun e Kosovës, por edhe muzeve tjerë nëpër komuna kosovare. Më tej ajo ka thënë se, përveç kësaj, një ligj i tillë do t'u hynte në ndihmë edhe koleksionistëve privat të cilat kanë artefakte jashtëzakonisht interesante, por nuk janë të inventarizuara, por edhe aderuar. Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë thënë për "Kosova Sot", se ministria po punon, por ta bërë vendin me një ligj të tillë. Samir Hoxha, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se në planin e punës së MKRS-ja për vitin 2017 është i planifikuar edhe koncept-dokumenti për muzetë, i cili i paraprin projektligjit.

(Kosova Sot)