Historia e njeriut 14000 vjet të vjetër

  • 17 October 2017 - 22:36
Historia e njeriut 14000 vjet të vjetër

KRITIKË E FILMIT "THE MAN FROM EARTH: HOLOCENE"

Njëri ndër filmat më origjinalë të zhanrit të fantazisë shkencore të viteve të 2000-ta është bërë me vazhdim të papritur, në formë të filmit "The Man From Earth: Holocene", me të cilin regjisori-skenaristi dhe producenti Richard Schenkman vazhdon filmin interesant të vitit 2007 me buxhet të vogël, "The Man From Earth". Edhe një herë në rolin kryesor paraqitet David Lee Smith si një njeri me pamje të rëndomtë, por i cili, në të vërtetë, është 14,000 vjet i vjetër.

Ngjarja kryesisht zhvillohet në një dhomë të mbushur me shkencëtarë

Filmi i ri kuptohet më së miri nëse së pari shikohet ai i vjetri (nëse një gjë të tillë nuk e keni bërë ende), skenarin e të cilit e kishte shkruar Jerome Bixby, që ka dhënë kontributin e tij edhe në seritë "Star Trek" dhe "Twilight Zone". Statusi i volitshëm i filmit të parë do t'ia sigurojë edhe filmit të ri një numër të madh shikuesish në kinema. Pasi që, në qershor, pati premierën në Festivalin e Los Anxhelesit, "Dances With Films", filmi fillon që të jepet në një numër të kufizuar kinemash të premten, në Pasadena dhe Nju-Jork. Po e themi edhe një herë se, ata që janë të njoftuar me ngjarjen e filmit të parë, e kanë më lehtë që t'i kuptojnë elementet praktike dhe filozofike të filmit "Holocene", i cili kurrë nuk na e jep një shpjegim se si njeriu i cili e quan veten "John Young" (Smith) ia ka dalë që të mbijetojë që nga Epoka e Kromanjonit. Aspektet e tilla të rëndësishme diskutohen gjerësisht në filmin e parë, ngjarja e të cilit kryesisht zhvillohet në një dhomë të mbushur me shkencëtarë.

Mësuesi i pëlqyer i religjionit

Schenkman, i cili përsëri ka bërë regjinë, është munduar që filmi i ri ta ketë një fillim sa më të qartë, por sa ia ka dalë në këtë drejtim, kjo është diçka tjetër. Kur e shohim Young-un për herë të parë, ai është një mësues shumë i pëlqyer i religjionit komparativ në një kolegj në Çiko, Kalifornia. I admiruar nga shefi i tij, Gil (Michael Dorn), ai duket se është i kënaqur edhe me të dashurën Carolyn (Vanessa Williams). Por, heroi i këtij filmi, me qëllim që të mos zbulohet sekreti i tij, një herë në dekadë i shkëputë thuajse të gjitha lidhjet. Ai është duke u përgatitur për këtë fazë, kur katër studentë të tij - Isabel (Akemi Look), Tara (Brittany Curran), Liko (Carlos Knight) dhe Philip (Sterling Knight) - gradualisht bashkojnë copëzat e mozaikut, për të arritur deri te një e vërtetë e pabesueshme. Rolet në këtë film i luajnë: Cast: David Lee Smith, Akemi Look, Vanessa Williams, Sterling Knight, William Katt, Michael Dorn, John Billingsley, Brittany Curran, Carlos Knight, derisa regjinë e ka bërë Richard Schenkman, i cili po ashtu ka ndihmuar edhe në skenar dhe është njëri prej producentëve. 

(Kosova Sot)