Korrupsioni po e GËRRYEN KULTURËN

  • 19 October 2017 - 10:31
Korrupsioni po e GËRRYEN KULTURËN

DEGRADIM PËR SHKAK TË KEQPËRDORIMIT TË PARASË PUBLIKE

Dan Ibrahimi: Kultura e financuar nga shteti te ne është segmenti më i korruptuar

"Për shkak të korrupsionit dalin projekte kulturore-artistike më të dobëta, të pamotivuara, që aplikojnë autorë me dorëshkrime cilësore letrare, humbje e besimit në secilin institucion, humbje e kritikës, servilitete, më pak gjallëri kulturore, më pak transparencë", ka thënë kritiku Avni Rudaku 

Korrupsioni, keqpërdorimi i parasë publike, klanet dhe favorizimet për qëllime përfitimi, po e dëmtojnë gjithnjë e më shumë shoqërinë kosovare. Sidomos duke dëmtuar skajshmërisht imazhin e shtetit dhe institucioneve të tij. Duke i lënë këto të fundit jashtë shumë prej evenimenteve evropiane dhe më gjerë, veçmas ato kulturore. Më e keqja është se korrupsioni po ndikon në zbehjen e vlerave kulturore, duke e ngritur kiçin dhe shundin në trend. Shumë prej institucioneve kulturore kombëtare po kalojnë momente të vështira si rezultat i klaneve dhe keqpërdorimit të parasë publike. Për komunitetin kulturor në vend korrupsioni po dëmton rëndë zhvillimet kulturore në vend. Kulturën dhe artin në vend po e largon gjithnjë e më shumë nga ajo evropiane dhe botërore, duke ia vështirësuar bashkëpunimet dhe shkëmbimet kulturore. Për më tepër, po zbeh dhe po largon talentet kulturore, të cilët po detyrohen të gjejnë alternativa jashtë vendit. Avni Rudaku, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se korrupsioni po dëmton rëndë edhe veprimtaritë kulturore në vend, sikurse çdo fushë në vend. 

Kultura po shkon drejt degradimit

Rudaku ka thënë se korrupsioni ka ndikuar në çdo gjë, duke filluar me shpërndarjen e vlerave të dobëta kulturore dhe artistike, meritat për njerëz e grupe më amatore në artet figurative, skenike, muzikore etj. "Kësisoj dalin projekte kulturore-artistike më të dobëta, të pamotivuara, që aplikojnë autorë me dorëshkrime cilësore letrare, humbje e besimit në secilin institucion, humbje e kritikës, servilitete, më pak gjallëri kulturore, më pak transparencë", ka thënë ai, duke shtuar se shumë aktivitete mbesin pa u mbështetur, sepse paraja ndahet në disa pjesë që nuk do të duhej. Sipas tij, korrupsioni demotivon shoqërinë në secilën fushë dhe në vendet me buxhet të ulët vetëm e thellon mungesën e investimeve dhe subvencioneve për kulturë. Edhe Dilaver Kryeziu, ekspert në etnokulturë dhe profesor universitar, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se korrupsioni po e dëmton rëndë kulturën në vend. Sipas tij, shumë prej veprimtarive në vend po degradohen dhe bastardohet si rezultat i përhapjes së korrupsionit, keqpërdorimit të parasë publike, klanizimit dhe favorizimeve të ndryshme. Sipas tij, një nga shkaqet që kultura po shkon drejt degradimit është edhe niveli joprofesional dhe drejtimi nga njerëz jo të duhur që po u bëhet institucioneve kulturore në vend. 

Miqtë e pushtetarëve i marrin mbi 70% të sponsorimeve

Dani Ibrahimi, shkrimtar, ka pohuar për "Kosova Sot" se korrupsioni i shtrirë horizontalisht dhe vertikalisht në institucionet tona ka bërë që jo vetëm të shkatërrojë qelizat e shtetit, duke penguar zhvillimin ekonomik, pavarësinë e gjyqësorit, pengimin e reformave të mirëfillta në segmente të ndryshme, po ashtu ka arritur ta degradojë edhe segmentin e kulturës. Ai ka pohuar se kultura e financuar nga shteti te ne është segment i korruptuar që dëshmon më së miri faktin që në financime miqtë e pushtetarëve i marrin mbi 70% të sponsorimeve dhe, siç ka thënë ai, na bëjnë horë pastaj me vlerat e tyre të dobëta edhe jashtë vendit edhe brenda. "Unë do të isha i lumtur të kisha dijeni për ndonjë sponsorim me vlerë në fushën e kulturës, por mjerisht nuk di. Edhe ashtu sistemi i korruptuar në Kosovë kulturës nuk i lejon gjithaq shuma të mëdha buxhetore, sepse ujqit e mëdhenj, mbretër të korrupsionit, kryesisht interesat i kanë në segmentet e tjera. Megjithatë edhe në kulturë, që nuk mund të jetë përjashtim, sistemi korruptiv ka bërë që artistët, shkrimtarët, sportistët të mos jenë të përkrahur në mënyrë joserioze", ka pohuar Ibrahimi. Po sipas tij, në këtë sistem vlerash të instaluar nuk kanë rëndësi projektet e artistëve dhe nevojat e tyre për të realizuar ato, por nevojat dhe interesa e zyrtarëve brenda atyre projekteve. 

(Kosova Sot)