Diplomacia kulturore NË GJUMË DIMËROR

  • 20 October 2017 - 10:19
Diplomacia kulturore NË GJUMË DIMËROR

Institucionet kosovare kanë dështuar në konsolidimin e diplomacisë kulturore për të prezantuar kulturën dhe artin kosovar para audiencës evropiane. Njëkohësisht për të sjellë po ashtu edhe vlerat botërore para publikut dhe duke e larguar edhe më shumë popullin kosovar me popujt e tjerë, e po kështu lënë gjithnjë e më larg vlerave ndërkombëtare. Në fakt qëllimi i diplomacisë kulturore është e kundërta, ofrimi dhe shkëmbimi i vlerave kulturore mes popujve. Krijuesi Reshat Sahitaj, njohës i zhvillimeve kulturore evropiane dhe ekspert në diplomacinë kulturore, në një prononcim për "Kosova Sot" ka thënë se që nga paslufta e këndej institucionet tona janë marrë më shumë me folklorizëm kulturor sesa me kulturë të mirëfilltë. Ministria e Kulturës, ka thënë ai, është e koncentruar vetëm në disa aspekte mediatike për të cilat bëhet një zhurmë për gjëra jo të mirëfillta , ndërsa ka thënë se mbeten në heshtje dhe pa përkrahje letërsia dhe teatri, që institucionet tona i kanë neglizhuar skajshmërisht duke i përkrahur me shuma simbolike që nuk dalin as për një kafe e jo për të zhvilluar aktivitete letrare.

Sahitaj: Në një vend ku nuk ka letërsi dhe teatër aty nuk ka shtet

Sahitaj ka thënë se madje është për t'u habitur që ministrat e Kosovës nuk marrin pjesë në asnjë promovim të librave apo të premierave të ndryshme në teatër. Më tej Sahitaj ka thënë se mospjesëmarrja e zyrtarëve shtetërorë në evenimente të ndryshme kulturore në vend tregon varfërinë shpirtërore dhe intelektuale të tyre. Krijuesi Sahitaj ka pohuar se mospërkrahje materiale dhe morale e personaliteteve politike letërsisë dhe teatrit janë indikacione se në Kosovë mungon edukata e leximit dhe e përcjelljes se shfaqjeve tona në TKK. "Nga kjo mungesë e edukatës Kosova gjithnjë e më shumë po zhytet drejt vetëshkatërrimit të imazhit të shtetit, sepse në një vend ku nuk ka letërsi dhe teatër aty nuk ka shtet. Në një vend ku nuk respektohen shkrimtarët dhe komuniteti artistik aty nuk ka zhvillim kulturor", ka potencuar Reshat Sahitaj, kryetar i USHKSH-së.

Kosova është mbrapa rajonit

Sipas Sahitajt, është për keqardhje në një shtet kur ministri i kulturës nuk shkon në promovime të rëndë- sishme dhe premiera të shfaqjeve autoriale, pasi në atë shtet nuk ka perspektivë. Kështu që, ka shtuar ai, në atë shtet ku nuk respektohet dhe nuk vlerësohet iniciativa për kandidatët për çmim 'Nobel', ai shtet nuk është shtet normal, por shtet mafioz."Kurrë Ministria e Kulturës nuk na ka ndihmuar me asnjë cent që dy vjet që aplikojmë për çmim 'Nobel' dhe kandidatët tanë ishin në garë. Të mos e ndihmosh këtë iniciativë ndërkombëtare për çmimin më prestigjioz në botë është antikombëtarizëm e jo neglizhencë. Shpresoj që ministri i ri do të vlerë- sojë këto iniciativa në dobi të përmirësimit të imazhit kulturor të shtetit tonë", ka thënë Sahitaj. Ndërkaq dramaturgu Naser Shatrolli ka thënë se është konstatuar se Kosova është mbrapa rajonit e kjo i bie që qenka në listën rajonale dhe do të ishte e mundur të zërë hapin rajonal në aspektin diplomatik kulturor. Sipas tij, termi kulturë do të zbërthehej nga diapazoni dhe prizmi i një përgjegjësie sa diplomatike po kaq edhe politike, por gjithnjë i yndyrosur, nuancuar me nota dhe gjuhë të një kulture që do të ishte e përafërt ose tërësisht e një artisti që ka bazë krijimtarinë dhe filozofinë krijuese në sistemin e tij diplomatik. Kurse për shkrimtarin Fatmir Halimi, për çalimin e kulturës sonë në rajon dhe në përgjithësi, fajin e ka diplomacia politike, e sidomos ministria e Punëve të Jashtme.

 (Kosova Sot)