Aksionet e mëdha në një botë paralele

  • 21 October 2017 - 14:59
Aksionet e mëdha në një botë paralele

KRITIKË E FILMIT "THOR: RAGNAROK"


Regjisori Taika Waititi sjell një dozë të mirëseardhur të auto-parodisë


"Edhe pse nuk do të themi kushedi çka, filmi "Thor: Ragnarok" pa dyshim se është më i miri nga tre filmat 'Thor'. Në vend që të marrin seriozisht ndonjë gjë nga ajo që ndodh, bashkë-skenaristët Eric Pearson, Craig Kyle dhe Christopher L. Yost nuk kanë hezituar që të bëjnë lojë të pafundme me fjalë".


Hej, adhurues të librave komikë, ja edhe një film tjetër rreth Thor-it, gjë që nënkupton vetëm një gjë: thuajse ka ardhur koha për një film tjetër "Avengers"! Derisa jeni duke pritur, "Disney" dhe "Marvel Studios" shpresojnë që të fitojnë edhe një gjysmë miliardi dollarë nga shikuesit me këtë film i cili sjell zotin e vetëtimës, me një ngjarje tjetër konfuze, në të cilën pjesa më e madhe e aksionit zhvillohet në një botë paralele, për të cilën juve, si shikues, nuk ju ha palla. Edhe pse nuk do të themi kushedi çka, filmi "Thor: Ragnarok" pa dyshim se është më i miri nga tre filmat 'Thor'. Në vend që të marrin seriozisht ndonjë gjë nga ajo që ndodhë, bashkë skenaristët Eric Pearson, Craig Kyle dhe Christopher L. Yost nuk kanë hezituar që të bëjnë lojë të pafundme me fjalë. Skenari sikur tallet me ngjarjen e filmit, me dizajnin e produksionit, me lokacionin dhe aventurat e kaluara. Derisa dy filmat paraprakë "Thor" ishin epika të errëta të betejës, me regji të Kenneth Branagh dhe Alan Taylor, filmi më i ri është e qartë që është konceptuar më shumë si një komedi. Kjo qasje përshtatet për mrekulli me personalitetin e regjisorit Taika Waititi.


FITUES TË ÇMIMEVE 'OSKAR' NË FILM

Ngjarja e këtij filmi, e treguar shkurtimisht, është kjo: një njeri i pamposhtur me një çekiç, rol që nuk luhet nga askush tjetër, pos aktorit karizmatik Chris Hemsworth (aq madhështor në filmin "Rush" dhe në filmin e vitit të kaluar, "Ghostbusters"). Në ndërkohë, Waititi është një regjisor me merita: një aktor-regjisor i vogël nga Zelanda e re, i cili për një dekadë ka bërë filma të pavarur me buxhet të vogël (ku shumë prej tyre janë paraqitur në festivalin "Sundance"), i cili ia ka dalë që "Avenger"-in më të mërzitshëm të "Marvel"-it ta bëjë me personalitet, edhe pse ky personalitet nuk ka ndonjë gjë më shumë sesa një stoicizëm të fortë. "Ragnarok" ia del që t'i vejë dy filmat paraprakë njërin kundër tjetrit, sikur që risjell përsëri në skenë vëllain problematik, të vogël, të Thorit, Loki (Tom Hiddleston), i cili në njëfarë mënyre ndihmon në parandalimin e apokalipsit të filmit "Thor: The Dark World", duke bërë të gjithë (me përjashtim të shikuesve) që të mendonin se ai vdiq si hero. Dhe, ky film ka angazhuar edhe një fitues tjetër të çmimit Oskar, respektivisht një aktore, Cate Blanchett e cila paraqitet në rolin e Helas, motrës së madhe të Thorit, të cilin ai kurrë nuk e kishte ditur se e kishte dhe e cila tani kthehet që ta realizojë një profeci antike ("Ragnarok"), e cila paralajmëronte një betejë epike që rezulton me vdekjen e shumë zotave dhe me shkatërrimin e botëve të tyre. E veshur me kostume karakteristike, Blanchett duket sikur ndonjë Keqbërëse e ditëve të fundit dhe na bën me dije se si do të ishin dukur aktoret Marlene Dietrich apo Barbara Stanwyck, në rolin negativ femëror të filmave të bazuar te librat e "Marvel"-it. Gjatë takimit të saj të parë me vëllezërit, ajo demonstron fuqinë e saj të jashtëzakonshme duke shtypur çekiçin e famshëm të Thorit dhe duke e syrgjynosur atë në një planet të largët, derisa ajo fillon shkatërrimin e Asgardit

.
GOLDBLUM NË FAKT ËSHTË GJËJA MË E MIRË RRETH KËTIJ KAOSI

Duke rrezikuar përzierjen e universeve DC dhe Marvel, Asgard është njëri nga ato vende që, sikur planeti origjinal i Supermanit, Kripton, ekziston që të shkatërrohet dhe, sfida e regjisorit Waititi me filmin "Ragnarok" është se si ta përmbush një profeci dhe megjithatë t'i japë asaj një hepiend. Ju mbetet juve, shikuesve, që të vlerësoni se sa sukses ka ai në këtë drejtim, meqë, dorën në zemër, sa më pak kohë e kaluar në Asgard, duket të jetë, aq më mirë. Ky është një vend që ka rëndësi vetëm për Odin (Anthony Hopkins). Sido që të jetë, nuk është ndonjë dëm i madh që Hela është e lirë të shkaktojë kaos në Asgard, derisa Thor dhe Loki janë të ngujuar në Sakaar, i cili është njëfarë vendi ndërgalaktik i mbeturinave, ku heronjtë detyrohen që të konkurrojnë në elaborimin e betejave të gladiatorëve. Jeff Goldblum del në rolin e të ashtuquajturit "Grandmaster" (Mjeshtër i madh), një perandor i dobë- suar i cili duket të ketë marrë këshilla grimi nga Padmé Amidala. Goldblum në fakt është gjëja më e mirë rreth këtij kaosi, meqë ai në mënyrë evidente tallet me marrëzinë e filmit, ku në këtë drejtim atij pa kursim i ndihmon Tessa Thompson, e cila luan rolin e një renegateje të llojit Han Solo, e cila në fillim e zen Thorin, e më pas i ndihmon atij që të ikë nëpërmes 'bythës së dreqit' (kjo është shprehja që përdorë filmi).  

(Kosova Sot)