"E pathëna" në veprën artistik

  • 12 November 2017 - 08:23

SHKRUAN: MR. BISLIM ALIU

Dihet mirëfilli se pikësynimi i çdo krijuesi është shpërfaqja e tij sensitive në veprën artistike, por në anën tjetër, është edhe kreativiteti dhe intimiteti i tij artistik, për të qenë sa më e bindshme shpërfaqja e tij përmbajtësore. Zaten, ky format i piketimeve, të krijuesit të mirëfilltë, sigurisht do t'i cimbiste ndjenjat dhe imagjinatën e çdo shikuesi. Ndaj, mu për këtë, vetëm krijuesi do të vendosë për shkallën e kryerjes ose të moskryerjes të veprës artistike.

Shpeshherë dëgjojmë nëpër galeritë tona ku organizohen ekspozita individuale dhe kolektive, por në anën tjetër, edhe në kritikën tonë artistike, dëgjojmë mendime dhe kundërshti, për disa vepra artistike të ekspozuara, për të cilat vizitorët me ngulm shprehen: "Kjo vepër është e mbaruar tërësisht" ose për ndonjë tjetër, "Kjo vepër është e pakryer". Pra, mendimet e shikuesve, ndonjëherë duhet t'i marrim seriozisht, meqë nuk duhet veprat dosido që të ekspozohen, pa u bindur thellësisht se vepra është e gatshme që të ekspozohet. Pra, vepra të përfunduara konsiderohen ato vepra, kur krijuesi në detaje e ka përfunduar shpërfaqjen në atë vepër artistike. Kurse, vepra të papërfunduara konsiderohen ato vepra, kur krijuesi nuk e ka kryer veprën artistike. Ndaj, për këtë shpërfaqje, në mendimin teorik, po përdoret koncepti "E pathëna". Në lidhje me këtë, mund të na shfaqet edhe një dilemë; Mund të jetë ndonjë vepër e përkryer dhe e shpërfaqur në detaje, megjithatë, ajo mund të jetë e pakryer dhe e papërfunduar, meqë asaj i mungon ideja artistike dhe shpërfaqja emocionale. "E pathëna në veprën artistike është një pauzë e domosdoshme, sugjestive dhe shprehëse, një element i nevojshëm për të nxjerrë në pah kontraste ose shumëkuptimësi të elemente përbërëse" ( J. Mato).

NË DISA VEPRA "E PATHËNA" ËSHTË PENGESË E RAVIJËZIMIT ARTISTIK OSE QËLLIMISHT E PATHËNË?

Ndodh ndonjëherë, që në disa vepra artistike, "e pathëna" mund të shfaqet e qëllimshme. Dhe, sigurisht, kjo e pathënë, e shtie shikuesin që të angazhohet maksimalisht, që me memorien e vet, ta zbërthej këtë të pathënë dhe ta komentojë në mënyrën e vet. Megjithatë, mund të konstatojmë, se çdo e pathënë nuk është mungesë e shprehjes. Zaten, kjo më së miri vërehet në portretin "Mona Liza" të Leonardo Da Vinçit. Ajo fshehtësi, ose ajo "e pathënë" nuk është pse Leonardo nuk ka ditur ose nuk ka mundur ta thotë, por ai qëllimisht e bëri, në mënyrë që shikuesi vetë, me ndjenjat e veta ta kuptojë, por edhe ta përjetojë këtë fshehtësi ose këtë të "pathënë" të ravijëzuar. Ç'e shtyri Leonardon, që në veprën e tij ta përcaktojë dendur si fshehtësi në nivelin më të lartë? Këtë fshehtësi marramendëse dhe këtë të "pathënë" fshehtësie, a thua në çfarë shkalle të përcaktimit do ta kuptojnë shikuesit? Dhe, a thua, pse këtë fshehtësi, në shkallë aq të lartësuar nuk e gjejmë në asnjë vepër tjetër? Këto dhe shumë pyetje të tjera mund të bëhen gjatë vëzhgimit të portretit "Mona Liza" të Leonardo Da Vinçit. A thua, ç'e shtyri piktorin fenomenal dhe të madhërishëm të shprehet në mënyrën më specifike për të mos e treguar këtë fshehtësi të lartë shpirtërore dhe tejet ndjesore? Sigurisht me këtë fshehtësi marramendëse, piktori Leonardo ka dashur ta aktivizojë imagjinatën e shikuesit, për ta kuptuar atë që piktori e la të papërfunduar. Ndaj, ky moment i ravijëzimit shpirtëror, që gjithmonë e cimbisë ndjenjat dhe shpirtëroren e çdo shikuesi, është pa dyshin sensualja dhe intimiteti më i lartësuar dhe më rrezativ i piktorit piedestal. Ai dhe vetëm ai, mundi dhe diti ta paraqesë atë fshehtësi marramendëse, por edhe atë të "pathënë" tejet sensitive, e cila vazhdimisht e cimbisë në mënyrën më të lartë atë shpirtëroren dhe ndjenjën më të lartë të shikuesit. Zaten, kjo e pathënë në portretin e tij e kuptojmë në lloj-lloj mënyra. Dhe, mu për këtë kemi lloj-lloj mendimesh e konstatimesh për kë fshehtësi marramendëse! Kjo fshehtësi idealizuese më së miri vërehet te buzët dhe te sytë e saj që mund ta interpretojmë në mënyra të ndryshme. Sigurisht, gjendja e syve, e paraqet edhe gjendjen shpirtërore të njeriut. Dhe, a thua, sytë e Mona Lizës, çfarë mendojnë? Kjo, sigurisht, varet nga ne; pra çfarë ne mendojmë , gjatë kohës kur atë e shikojmë. Dhe, pa dyshim, për këtë është thënë disa herë në shumë vështrime të kritikave, se "e pathëna" nuk është mungesë shprehjeje. Ajo ndoshta, ndonjëherë flet vetë. Megjithatë, përkundër kësaj dukurie, të papërcaktuar dhe të papërfunduar, është vetë artisti, që vendos për kryerjen ose për moskryerjen e veprës artistike.

 PËR TA KUPTUAR VEPRËN ARTISTIKE, KËRKOHET NDJESIM I LARTË ARTISTIK E ESTETIK

 Dihet mirëfilli, se pikësynimi i çdo krijuesi (artisti) është shpërfaqja e tij sensitive në veprën artistike, por në anën tjetër, është edhe kreativiteti dhe intimiteti i tij artistik, për të qenë, sa më bindshëm shpërfaqja e tij përmbajtjesore. Zaten, ky format i piketimeve, të krijuesit të mirë- filltë, do t'i cimbiste ndjenjat dhe imagjinatën e çdo shikuesi. Ndaj, mu për këtë, vetëm krijuesi do të vendosë për shkallën e kryerjes, ose për të treguar të pathënën në veprën artistike. Dihet mirëfilli se jetojmë dhe veprojmë në një kohë moderne, kur krijuesi, mund ta shprehë lirshëm mendimin e vet. Në anën tjetër, edhe shikuesi mund ta kuptojë në mënyrën e vet veprën artistike. Krijuesi dhe shikuesi, shpeshherë, mund të mos jenë në një vijë të kuptueshmërisë. Megjithatë, secili e ka mendimin e vet, në atë që e sheh dhe në atë si e kupton shpërfaqjen dhe ndjesimin e lartë të krijuesit në veprën artistike. Sido që të jetë, arti është art, dhe këtë artistikë shprehimore, por edhe atë ndjesore, që përpiqet vazhdimisht ta shprehë krijuesi, me ndjesimin dhe me intimitetin më të lartë kreativ e artistik, vetëm ai, e din, kur vepra artistike është e përfunduar (mbaruar) për ta prezantuar para shikuesve. Mirëpo, dilema më e madhe e shikuesit është, nëse vepra artistike nuk është përfunduar në tërësi, e shikuesi duhet që edhe atë të pathënë (pa mbaruar) ta analizojë e ta kuptojë me imagjinatën e vet. Pra e "pathëna", në veprën artistike, mund të jetë urë lidhëse, në mes krijuesit dhe shikuesit, megjithatë, ndonjëherë, mund të jetë udhë ndarëse në mes tyre. Kjo udhë ndarëse, ndonjëherë, mund ta kanalizojë shikuesin në ujërat e turbullta, dhe ta dërgojë në udhën e pakuptimë- sisë, dhe, për këtë, shikuesi ndonjëherë , bënë edhe pyetje në moskuptimësinë e veprës artistike, si; "Unë asgjë nuk po kuptoj nga kjo vepër artistike" ose "Çka ka dashur krijuesi të tregojë me këtë vepër artistike të papërfunduar"?!

(Kosova Sot)