Njohuri për gjithçka, pos për veten e tij

  • 12 November 2017 - 11:55
Njohuri për gjithçka, pos për veten e tij

SHKRUAN: DAVID HARE

Politikanët e pensionuar, marrë në përgjithësi, janë më atraktivë sesa politikanët në detyrë. Ata më nuk mund të bëjnë dëm. Disi, kur të bien nga pushteti, ata fillojnë që të duken më simpatikë dhe më të rëndësishëm. Gjatë mbamendjes sime, ndoshta vetëm Henry Kissinger nuk e kishte arritur këtë. Bile edhe George W Bush, presidenti i 43-të i SHBA-së, ka filluar që, për 1%, të duket më i mirë, kur krahasohet me presidentin aktual. Le t'i kthehemi Gordon Brown-it, për strategjinë e të cilit ka rëndësi që ai të shtiret se e ka shkruar librin "My Life, Our Times" pa dashje. Ai insiston se, edhe një herë, pa dashjen e tij, ishte vënë në qendër të vëmendjes. Edhe një herë ai thekson se sa e çmon privatësinë. Dhe, edhe një herë Brown ia del që të qetësohet, duke treguar pikëpamjen Browniane të historisë. Ai mburret se e kishte shpëtuar Britaninë nga anëtarësimi në eurozonë. Në anën tjetër, mohon përgjegjësinë për luftën në Irak, duke shtuar se po, vazhdimisht kishte financuar ushtrinë në Afganistan. Ai mburret se, në vitin 2009, kishte ftuar liderët botërorë për implementimin e një plani, të cilin e kishte përpiluar vet, i cili plan kishte shpëtuar ekonominë globale.

TJETËRSIMI NGA POLITIKA

Edhe pse insistimi i Brown'it te ajo se ai nuk kishte bërë gabime, mund të duket paksa qesharak, po ashtu është e vërtetë se një politikan, bile edhe një ish-politikan, i cili është i aftë të vërejë se çështja thelbësore në fillim të karrierës së tij ishte rënia e Britanisë, por që sot ajo është bërë mbijetim i Britanisë, tanimë është me milje përpara të gjithë politikanëve zyrtarë në Uestminster. Brown mendon dhe, mendon thellë. Dhe, marrë në përgjithësi, gjatë 30 viteve të fundit, ajo që ai ka parashikuar, është realizuar. Për dallim nga politikanët aktualë britanikë, ai me të vërtetë kupton se sa i thellë është tjetërsimi nga politika, i shkaktuar nga tronditja e dyfishtë i invazionit në Irak dhe dështimi i qeverisë konservatore për të marrë nën kontroll praktikat përgjegjëse për krizën financiare. Ai e di sa mashtruese ishte retorika konservatore, që keqinterpretonte një kolaps bankar global, duke e paraqitur atë si dështim të politikës laburiste në Britani. Ai mund të shohë se, dy referendumet e kësaj dekade - njëri rreth të ardhmes së Skocisë, e tjetri rreth Brexit-it - ishin pasoja direkte të mungesës së sinqeritetit politik gjatë dekadës paraprake. Brown kishte filluar ta studionte gazetarinë në Universitetin e Edinburgut dhe, përkundër asaj që ai e thotë këtë si shaka, është evidente se ai di të shkruajë goxha mirë. Kapitujt më të arrirë të librit të tij janë ata rreth krizës financiare, pastaj rreth kostos politike dhe njerë- zore të tentimeve për shtetndërtim në Afganistan. Armiqtë e tij më të mëdhenj - Nick Clegg, Mervyn King dhe Rebekah Brooks - me gjasë nuk do të mund ta lexojnë këtë libër, i cili shquhet për një saktësi hakmarrëse. Ky libër sjell edhe disa elemente qesharake, sikur p.sh. kur rrëfen sesi Silvio Berlusconi ishte munduar ta merrte numrin e telefonit të modeles Naomi Campbell në një samit të G20-tës.

KA DIÇKA DËSHPËRUESE NË INSISTIMIN E BROWN-IT

 Edhe pse, në një moment, ai prekë zemrën e lexuesit kur tregon se, për një vit pas vdekjes së parakohshme të së bijës, nuk mund të dëgjonte muzikë, ai thotë se nuk mund ta pranojë parimin se, për të qenë i suksesshëm në politikë, duhet të flasësh rreth çështjeve tuaja private. Për shkak se interesimi i tij kryesor ishte vënia e vendit në binarë, ai shpesh ishte cilësuar si 'jokomunikativ' dhe se i mungonte 'inteligjenca emocionale'. Ka diçka dëshpëruese në insistimin e Brown'it se, sikur t'ia kishte dalë ta 'mësonte' funksionimin e "Twitter"-it, çdo gjë do të kishte funksionuar. Është e qartë se ai kurrë nuk do ta pranojë të vërtetën e hidhur, se ai nuk kishte gjasa që të bëhej lider i laburistëve pas vdekjes së John Smith'it në vitin 1994. Në fakt, mbështetja partiake ndaj Brown'it ishte e vogël dhe ngritja e Blair-it ishte e paevitueshme. Por, Brown nuk është i aftë as që ta vlerësojë burimin real të vështirësive të tij, qoftë si pjesë e ekipit, apo si lider. Duket se këtë e kishte kuptuar më mirë njëri ndër aleatët e tij më të afërt, që kishte punuar me të për vite të tëra. Brown, thotë ajo, ishte sikur një aktor i cili mund ta shikojë dhe vlerësojë tërë filmin, me përjashtim të rolit dhe performancës së vet. Ajo vazhdon e thotë se Gordon Brown ishte personi më brilant që kishte njohur ndonjëherë, kur duhej të analizonte ndonjë problem që nuk kishte të bënte me të. Por, ai ishte edhe vlerësuesi më i keq i mundshëm kur flitej për vlerësimin e ndonjë ngjarjeje që kishte të bënte me të.

(Kosova Sot)