< Tregu i librit unifikohet përmes panaireve mbarëkombëtare - Kulturë - Kosova Sot
Tregu i librit unifikohet pėrmes panaireve mbarėkombėtare

Tregu i librit unifikohet pėrmes panaireve mbarėkombėtare

BASHKËPUNIMET KULTURORE NË MES TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË

Qarkullimi i librit shqip në mes shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar

"Libri është ai që ka fuqinë madhështore t'i bëjë bashkë njerëzit me shije të ndryshme dhe mendime të kundërta nga tjetri. Edhe nga ky Panair, që do të fillojë tash, presim të kontribuojë në afirmimin e librit shqip, sjelljen e autorëve të mëdhenj në shqip si dhe promovimin e autorëve të rinj", ka thënë shkrimtari Bujar Meholli, duke shtuar se Panair i Tiranës duhet t'i kushtohet tërësisht librit dhe jo përfitimeve materiale apo ngjashëm që do ta nxirrnin nga petku kulturor

Nesër në Tiranë hapet Edicioni i 20-të i Panairit të Librit, një aktivitete ky i rëndësishëm për veprimtarinë botuese shqiptare, jo vetëm në Tiranë. Janë diku afër 100 botues që do të marrin pjesë në këtë edicion të Panairit, dhe afërisht 20 prej do të jenë nga Kosova. Një rasti i mirë ky për të unifikuar tregun e librit shqip, në gjithë hapësirë shqiptare. Lexuesit shqiptarë nga Shqipëria kanë një rast të mirë të njohin shkrimtarët shqiptarë që krijojnë jashtë shtetit shqiptarë. Duke e bërë kështu këtë panair, por edhe panairet të tjera shqiptare të librit në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, një rast të mirë për unifikim të tregut të librit dhe rrëzimin e barrierave të deritashme. Megjithatë, qarkullimi i librit shqip në mes shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar, sidomos në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Bujar Meholli ka thënë se Panairet e librit sikurse ky i Tiranës, çdo herë janë mundësi e mirë për promovimin e krijuesve të rinj, gjegjësisht afirmimin e tyre.

Presin rezultate

Meholli ka thënë se bashkëpunimet dhe shkëmbimet në fushën e librit në mes Kosovës dhe Shqipërisë janë te mirëseardhura, pasi, siç ka thënë ai, vetëm kështu afrohemi më shumë me njëri-tjetrin. "Pra, libri është ai që ka fuqinë madhështore t'i bëjë bashkë njerëzit me shije të ndryshme dhe mendime të kundërta nga tjetri. Edhe nga ky Panair që do të fillojë tash, presim të kontribuojë në afirmimin e librit shqip, sjelljen e autorëve të mëdhenj në shqip si dhe promovimin e autorëve të rinj", ka thënë Meholli, duke shtuar se Panair i Tiranës duhet t'i kushtohet tërësisht librit dhe jo përfitimeve materiale apo ngjashëm që do ta nxirrnin nga petku kulturor. Ngase, ka potencuar më pas ai, vetëm me Panaire dhe organizime të tilla dedikuar librit, kultura jonë kombëtare do të zhvillohet dhe do të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane. Ndërsa, Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se bashkëpunimet, e sidomos Panairi i Librit në Tiranë, kanë një rëndësi shumë të madhe për promovimin e punës së botuesve. "Tirana, si kryeqytet i kulturës mbarëkombëtare, ka një rëndësi shumë të madhe. Sivjet kemi Panairin e 20-të me radhë dhe padyshim presim një rezultat të mirë", ka pohuar Zeneli.

Bashkëpunimi librar më keq se sa duhet

Por, pavarësisht pritjeve dhe objektivave bashkëpunime librare dhe qarkullimi i librit shqip në mes të Kosovës dhe Shqipërisë lë shumë për të dëshiruar. Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Dan Ibrahimi ka thënë për "Kosova Sot", se qarkullimi i librit shqip në mes të dy shteteve shqiptare nuk është aspak i kënaqshëm. Mandej, siç ka thënë ai, në kuadër të zhvillimeve të përgjithshme kulturore e në këtë rast edhe veprimtarisë botuese qarkullimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë lë për të dëshiruar dhe është në një masë sa për t'u evidentuar. " Por, jo më shumë. Bile, edhe ajo pjesë e librit që qarkullon në këto dy relacione, sidomos nga Kosovës në Shqipëri, nuk lë për t'u vlerësuar pozitivisht, sepse gjithmonë kemi vetëm ca autorë që kanë një miqësi, ndoshta 30- 40- vjeçare, që kanë këtë fat, por të tjerët nuk e kanë mundësinë që të njihen dhe t'u ofrohen lexuesve qoftë në Shqipëri, ose Kosovës", ka thënë Ibrahimi.

(Kosova Sot) 

12 orë e 15 minuta më parë