Thesari i trashëgimisë kosovare, "I BURGOSUR" NË SERBI

  • 17 November 2017 - 09:12
Thesari i trashëgimisë kosovare,

Shteti serb vazhdon të 'provokojë' institucionet kosovare me keqpërdorimin e artefakteve të marra nga Muzeu i Kosovës gjatë luftës. Për më shumë se një muaj Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve ka hapur ekspozitë me artefakte, duke përfshirë edhe ato të marra në Kosovë, gjoja për të përkujtuar edhe një herë praninë serbe në Kosovë. Në fakt nuk është hera e parë që shteti serb mban apo hap ekspozita të tilla politike në dëm të Kosovës. Duke treguar kështu një koordinim të mirë të saj për të njollosur imazhin e shqiptarëve. Për fat të keq institucionet kosovare janë treguar të pafuqishme për të përballuar ofensivën serbe, edhe pse botërisht dihet rreth artefakteve kosovare që Serbia i mban jashtë çdo norme ligjore ndërkombëtare. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së nëse kjo e fundit ose të paktën qeveria janë duke bërë ndonjë lëvizje sa i përket çështjes së thesarit të trashëgimisë kosovare që mbahet në Serbi. Përderisa njohës të zhvillimeve kulturore në vend qetësinë e institucioneve shtetërore, kur është në pyetje çështja e pasurisë kulturore, e shohin si të papërgjegjshme.

Duhet angazhim serioz për kthimin e tyre

Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kurrsesi nuk mund të arsyetohen sjelljet e organeve tona shtetërore, të cilat që 18 vjet po sillen indiferentë për kthimin e atyre 1244 artefakteve që Serbia i ka marrë para luftës dhe janë të vendosura në të ashtuquajturin Muzeu i Prishtinës në Beograd. Sipas tij, ata ekzemplarë me vlerë të madhe të trashëgimisë të luajtshme, si tregues autoktonë të së kaluarës arkeologjike dhe etnologjike të Kosovës, ende janë peng i Beogradit, falë neglizhencës tonë, pasi me të gjitha konventat ndërkombëtare ato duhet kthyer në vendin burimor. Së fundi, ka shtuar Vokshi, edhe me Planin e Ahtisarit ceket qartë se ato duhet të kthehen brenda 120 ditëve, një gjë e tillë kurrë nuk është bërë. "Serbia ende është duke i mbajtur në Beograd dhe po i shfrytëzon për qëllime propagandistike, posaçërisht në kohën e fundit me disa ekspozita në Paris dhe në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd, ku i prezanton si trashëgimi vetëm serbe e ne turpshëm heshtim", ka thënë Vokshi, duke shtuar se ka pasur dhe ka mekanizma juridikë ndërkombëtarë për t'i aktivizuar për kthimin e tyre, por ato kurrë nuk janë bërë nga ana e shtetit tonë. Por, ka potencuar më tej ai, vetëm me vendosjen e disa posterëve në kuadër të një fushate sensibilizuese në vitin 2009 apo me ndarjen e buxhetit për këtë qellim në vitin 2014, ose me parashikimin e 50 mijë eurove për vitin 2018 nuk mund të kthehen ato. "Duhet angazhim serioz në këtë drejtim, pasi ka pasur raste të ngjashme gjatë historisë si vonshme, si kërkesa e Kroacisë apo rasti i Egjiptit, të cilëve u janë kthyer artefaktet e marra ose të vjedhura nga ish- kolonizatorët, siç është rasti ynë me Serbinë", ka thënë eksperti Ylber Vokshi.

Kthimi i artefakteve kosovare parashihet edhe me Pakon e Ahtisarit

Ndërsa Bashkim Lajçi, etnolog, shefi i Degës së Etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se, ndonëse dukuria e përvetësimit të vlerave kulturore tashmë është e njohur në botë, rasti i përvetësimit të vlerave tona kulturore, nga ana e Serbisë, është një akt i cili edhe pas 20 vjetësh akoma nuk ka epilog. Ai ka thënë se akoma vazhdojnë të mbahen peng padrejtësisht nga ana e Serbisë mbi 1200 artefakte etnologjike dhe arkeologjike. "Dhe, duke pasur të gjitha argumentet në anën tonë, është e pakuptimtë neglizhenca e institucioneve tona dhe mospuna e tyre në kthimin e këtyre artefakteve në Kosovë. Nëse institucionet tona nuk bëjnë përpjekje të shfrytëzojnë mekanizmat e ndryshëm juridikë ndërkombëtarë, as pranimi eventual në UNESCO nuk do të ndihmonte për kthimin artefakteve që mbahen peng nga shteti fqinj", ka thënë Lajçi. Fundja, ka pohuar ai, kthimi i artefakteve kosovare parashihet edhe me Pakon e Ahtisarit, dokument kornizë për Pavarësinë e Kosovës. Kurse shkrimtari Dan Ibrahimi ka pohuar për "Kosova Sot" se institucionet tona janë treguar pasive dhe të painteresuara, sikur ajo të mos ishte fare pasuri e Kosovës.

 (Kosova Sot)