Politikanët me dituri të cunguar, nuk dinë të shkruajnë libra

  • 18 November 2017 - 08:43
Politikanët me dituri të cunguar, nuk dinë të shkruajnë libra

Personalitetet e njohura botërore, sidomos ato politike, zakonisht pas përfundimit të karrierës politike përmbledhin dhe botojnë autobiografitë e tyre. E, këto botime përtej biografisë ofrojnë shumë të dhëna me rëndësi historike, sidomos kur shkruhen për zhvillime të rëndësishme. Sikurse Vinston Çurçilli, Bill Klinton, Mihail Gërbaçovi, etj. Por, me pak përjashtime, këtë nuk e bëjnë politikanët apo personalitetet tona, pavarësisht se periudha kur ata kanë qenë të kyçur në periudha të rëndësishme historike. Për studiuesit dhe njohësit e zhvillimeve socio- kulturore në vend, politikanët tanë kanë mjaft defekte për të barë një punë ta madhe pas karrierës politike, siç bërë Çurçilli, apo ndonjë tjetër. Analfabetizmi, mosprofesionalizimi, korrupsioni e shumë e shumë të këqija të tjera i bënë ata që të mos i hyjnë një pune të tillë. Për fat të keq, kemi shumë botime të tilla, kur kujtimet dhe ngjarjet janë shkruar jo siç kanë ndodhur.

PËR T'U MARRË ME POLITIKË KËRKOHET NJË MISHËRIM I AFTËSIVE PROFESIONALE

 Shkrimtari dhe studiuesi Ardian Haxhaj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se pjesa më e madhe e atyre që janë marrë dhe merren me politikë te ne janë analfabetë funksionalë, të cilët, sipas tij, gjatë karrierës së tyre nuk kanë mundur dhe nuk munden ta bëjnë mirë as një 'laver mini'. Prandaj, ka shtuar ai, edhe më mirë që nuk shkruajnë. "Së pari, ata as që dinë të shkruajnë, domethënë nuk dinë se si formulohen kujtimet dhe si strukturohen në një libër të kujtimeve. Edhe në qoftë se u shkon mendja të shkruajnë, atëherë duhet ta gjejnë ndonjë skriptman për t'ia hartuar kujtimet e mbushura me bëma të mëdha, sa nuk do t'i hante as qeni", ka pohuar Haxhaj. Duke kujtuar Vinston Çurçillin, ai ka thënë se kur t'i lexosh kujtimet e tij kupton se për t'u marrë me politikë dhe me procese të ndërlikuara që i kërkon secili proces politik dhe historik, kërkohet një mishërim i aftë- sive profesionale, intuitës ndaj situatave të vështira që u duhet dhënë zgjidhje, përgatitjeve teknike për veprimtari menaxheriale, pastaj kërkohet dituri, pse jo edhe akademizëm deri në specializim etj., etj. "E, kur ta lexosh aty-këtu ndonjë kujtim të politikanëve shqiptarë, e sheh se vendi ynë nuk është rastësisht në listën e vendeve dhe popujve më të prapambetur, më të dështuar, më të kriminalizuar, më të poshtëruar në Evropë", ka pohuar shkrimtari Haxhaj.

 NË ENTET SHTETËRORE JANË VENDOSUR NJERËZ PA KURRFARË KUALIFIKIMI

Edhe shkrimtari Ismet Tahiraj ka thënë për "Kosova Sot", se arsyeja pse kemi kaq pak kujtime nga politikanët tanë është sepse ata kanë qenë ose janë me dituri të cunguar, pastaj të paarsimuar ose, siç ka thënë ai, kanë ardhur në pushtet me aksionet e tyre famëkeqe ndaj vëllezërve të vet. Sipas tij, tek ne vitet e 70-ta kanë filluar të dalin kuadro me shkollë të lartë e më vonë me fakultete. E keqe tjetër e saj, tij, është se në entet shtetërore janë vendosur njerëz pa kurrfarë kualifikimi. Ai ka përmendur disa personalitete që janë marrë me jetëshkrimin e tyre apo atë çfarë ata kanë bërë apo janë ballafaquar gjatë karrierës së tyre. Por, sipas tij, jo siç kanë bërë politikanët e vendeve të tjera, të cilat kanë shkruar për përparimin e popullit të tij në secilën sferë. "Edhe pse ka politikanë që kanë punuar për popull pa hile, nuk kanë ditur ose nuk kanë guxuar t'u rreken këtyre temave e lëre më ata që ishin në ballë të qeverisjeve, në aksionet e armëve, tepricat e drithit", ka thënë ai, duke shtuar se shumë prej veprimeve të këqija, që politikanët kanë bërë gjatë karrierës së tyre, u kanë 'pamundësuar' atyre rrëfimin e përvojave të tyre për publikun.

(Kosova Sot)