Cate Blanchett: Artistëve është duke iu mbyllur goja

  • 18 November 2017 - 19:15
Cate Blanchett: Artistëve është duke iu mbyllur goja

"MANIFESTO" ËSHTË NJË THIRRJE ARTISTIKE PËR T'I RROKUR ARMËT NË EPOKËN E TRUMPIT

Skenari i këtij filmi është përpiluar nga më shumë se 50 manifesto të artistëve nga shekulli i kaluar

Ja ku e keni aktoren Cate Blanchett të tillë sikur nuk e keni parë ndonjëherë më parë: si një plak me mjekër, që flet me një theks skocez të njeriut të dehur, duke thënë: "Ne e glorifikojmë revolucionin me zë, si motorin e vetëm të jetës. I glorifikojmë vibracionet e shpikësve, të vjetër, apo të ri, meqë ato bartin flakadanin e revolucionit!" Më pas Blanchett shihet në rolin e një vejushe të pikëlluar, më pas një gazetare e lajmeve në studio, duke biseduar me një reporter, i cili qëndron në shi, me një çadër në dorë. Edhe reporterja është Blanchett. Nuk vonon e ajo shihet si një nënë në vitet 1950, që lutet para drekës së Ditës së falënderimeve. Këto nuk janë skena nga filma të ndryshëm të kësaj aktoreje, por që të gjitha vijnë nga filmi i saj më i ri, "Manifesto", që vjen me regji të aktorit dhe regjisorit gjerman Julian Rosefeldt. Skenari i këtij filmi është përpiluar nga më shumë se 50 manifesto të artistëve nga shekulli i kaluar dhe i recituar nga 13 personazhe të ndryshme, që të gjitha të luajtura nga Blanchett. Duke pirë çaj bashkë me Rosefeldtin në një hotel të Londrës, duke diskutuar ide të mëdha. "Në rend të parë, a kemi të bëjmë me film?", fillon Blanchett. "Ajo vazhdon që ta bëjë këtë pyetje", thotë Rosefeldt. "Gjëja mahnitëse", thotë Blanchett, "është se të gjitha këto vlerësime qëndrojnë në teori, por kur fillon të performosh, atëherë ngecë në ngjashmëritë midis këtyre manifestove: ngjashmëritë ritmike, ngjashmëritë energjetike dhe intelektuale".

BLANCHETT ËSHTË NDARË DHE KËNAQUR NGA KJO PUNË

Rosefeldt e plotëson atë: "Ka shumë momente 'merre këtë' dhe 'në djall me këtë'. Shumë prej këtyre manifestove ishin shkruar kur artistët kishin vetëm 20, apo 21 vjet. Ato tani mbajnë emrat e artistëve të njohur, por asokohe ata ishin vetëm njerëz të rinj, të zemëruar". Blanchett vazhdon: "Por, e dini, ajo që admiroj, pa marrë parasysh a ka në manifest ndonjë gjë që personalisht më duket neveritëse, ka diçka fisnike dhe të guximshme rreth posedimit të guximit që të përkushtoheni ndaj ndonjë gjëje. Mendoj se artistët e kuptojnë se duhet të investosh në gjëra".Blanchett nuk ka dyshim se ka investuar në këtë film. Ata e bënë filmin "Manifesto" për vetëm 11 ditë në lokacionet në dhe rreth Berlinit, gjë që nënkuptonte ta luaje pijanecin plak në mëngjes dhe gazetaren e lajmeve në mbrëmje, më pas të përgatiteshe për theksin e personazheve të tjera, në dhomën e hotelit. Edhe vetëm të mësuarit përmendësh i tërë atyre teksteve ishte sfidë në vetvete. Ata përdornin 'suflerë' të ndryshëm teknologjikë, në formë të smartfonëve, mikrofonave të fshehur dhe tabelave të mëdha të kartonit. Por, përkundër kësaj, duket se Blanchett është ndarë e kënaqur nga kjo punë. Ajo dhe Rosefeldt u takuan për herë të parë në vitin 2010, pasi që u prezantuan nga një mik i përbashkët, në hapjen e ekspozitës së Rosefeldt'it në Berlin. Ideja për filmin "Manifesto" lindi në vitin 2013, derisa Rosefeldt ishte duke punuar në "Deep Gold", një homazh 20- minutësh ndaj regjisorit Luis Bunuel.

IDETË PROVOKATIVE

Gjatë kërkimeve të tij, Rosefeldt hasi në dy manifesto të shkruara nga shkrimtari futurist francez dhe koreografi Valentine de Saint-Point. "Mendova: kjo është interesante... manifeste", rikujton ai. Manifestet janë shkruar nga artistët në tërë botën, përgjatë historisë edhe pse ky film përqendrohet te artistët evropianë dhe amerikanë. Por, bota ende rikujton shpirtin revolucionar të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Marx dhe Engels botuan Manifestin e Partisë Komuniste më 1848 në Londër, ku më pas marksizmi ndikoi edhe në lëvizjet artistike. Për të kuptuar se sa seriozisht merreshin dikur këto shkrime, të themi se "Futurist Manifesto" ishte botuar në ballinë të gazetës franceze "Le Figaro". Në pyetjen se a e ka arti ende atë potencial, që të jetë revolucionar, Rosefeldt mendon se e ka. Ai thotë se, të gjitha tekstet që i kanë përdorë në film, e kishin një gjë të përbashkët: se kanë rrezikuar ta thoshin një gjë që, thuajse është e pamundur që të realizohet. Terreni politik ka filluar që të shkas kah populizmi dhe përsëri kah elitizmi, thotë Rosefeldt, duke shtuar se çdo populist dëshiron zvogëlimin e buxhetit për kulturë dhe edukim, për shkak të një arsyeje të thjeshtë: ata kanë nevojë për mendje të marrosura, me të cilat mund të manipulojnë më lehtë". Blanchett pajtohet me këtë: "Është kjo shprehja e "elitizmit", ku idetë provokative janë karakteristikë e të edukuarve, por që tentohet të mbahen të ndara nga të paedukuarit. Për këtë shkak zëri i artistëve sot është duke u heshtur dhe pse diskursi social dhe politik aktual është aq i thjeshtë", përfundon ajo. Filmi "Manifesto" do të fillojë që të jepet në kinema më 24 nëntor. 

(Kosova Sot)