Ëndrra për t'u bërë shef kuzhine

  • 20 November 2017 - 16:23
Ëndrra për t'u bërë shef kuzhine

KRITIKË E FILMIT 'ALMOST FRIENDS'

Freddie Highmore luan rolin e një të riu, i cili ëndërron që të bëhet shef i kuzhinës, në dramën romantike të regjisorit Jake Goldberger

Në mënyrën e tij zigzage, filmi "Almost Friends" prek temat serioze të plakjes. Mosfunksionimi prindëror, shtatzënësia adoleshente dhe trauma emocionale janë disa prej pikave më të rëndësishme të ngjarjes së këtij filmi, të regjisorit/skenaristit Jake Goldberger, për të cilin ky është filmi i tretë (pas filmit 'Don McKay' dhe 'Life of a King'). Kemi të bëjmë me një dramë komike, e cila disa herë është 'e butë', por në të shumtën e rasteve është tepër amorfe. Ka momente të zgjuarsisë dhe ndjeshmërisë, të shpërndara nëpër tërë skenarin, por ato nuk kanë ndikim akumulues për shkak të regjisë jo shkëlqyese dhe mungesës së përgjithshme të urgjencës.

Talenti i të riut 

Edhe pse aktorët krijojnë momente bindëse, ka shumë gjëra që nuk janë bindëse në rrëfimin rreth Charlie-t (Freddie Highmore), një njëzet e sa vjeçar, i cili ka një zell të madh që të bëhet shef i kuzhinës. Janë personazhet e tjera ato që flasin rreth talentit të tij dhe, është e qartë që diçka e ka prishur, penguar, ambicien e tij, por nuk ka dëshmi bindëse në këtë drejtim.  Për dallim nga performimi i tij në filmin "The Good Doctor", apo edhe në atë me titull "Bates Motel", performanca e Highmore'it në këtë film do pak kohë derisa të bjerë në 'brazdë'. Duke dashur që të bisedojë me nxënësen e shkollës së mesme, Amber (Odeya Rush), në kafenenë ku ajo punon, Charlie është tepër hezitues dhe fillon që të belbëzojë. Por, më pas, ai ia arrin që ta tejkalojë këtë pengesë. Ekziston njëfarë kimie jo e theksuar trupore midis tij dhe një ish- aktori tjetër fëmijë, të famshëm dikur, Haley Joel Osment, i cili paraqitet me rolin e Benit. 

Puna në kinema

Derisa ëndrrat për ta pasur restorantin e vet i ka lënë anash, Charlie punon si asistent i menaxherit në një kinema, duke dalë me shoqen e tij gjuhëmprehtë, Heather (Rita Volk), dhe i turpëruar që ende vazhdon të jetojë me të ëmën (Marg Helgenberger) dhe burrin e saj të dytë (Gary Moore). Ata bëjnë një jetë të rehatshme dhe vartësia e njerkut të Charlie-it merr një domethënie të re, pasi që i ati i Charlie-it, të cilin ai nuk e kishte parë për një kohë të gjatë, Howard (Chris Meloni), vjen papritmas në qytet, sikur një mot i ligë. Ai është kumarxhi dhe rrenacak. Prania e Howard'it sikur e zgjon Charlie-n nga gjumi i tij dimëror, sikur që ndikon edhe thellimi i miqësisë së tij me Amberin. Xixat që shfaqen midis tyre, komplikohen nga lidhja e saj e kahershme me Bradin (Taylor John Smith).

(Kosova Sot)