Situata aktuale po i gërryen artistët kosovarë

  • 21 November 2017 - 09:01
Situata aktuale po i gërryen artistët kosovarë

Artistët kosovarë të filmit dhe të teatrit janë duke kaluar periudhë mjaft të vështirë të ushtrimit të profesionit. Sigurimi i një vendi pune pas përfundimit të akademisë bëhet me mund të madh, në shumë raste, edhe jashtë profesionit dhe shpeshherë edhe me 'kompromise' të dhimbshme për vetë artistët. Ngecja e zhvillimeve kulturore dhe politikat e dobëta kulturore që zbatojnë institucionet janë ndër faktet kryesore që kanë krijuar një 'krizë' mbijetese për artistët e filmit dhe të teatrit në vend. Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend dhe artistë të skenës dhe filmit, situata aktuale që po i gërryen artistët kosovarë, duke i vënë përballë ekzistencës jo vetëm profesionale. Sipas tyre, artistët kosovarë duke mos qenë në gjendje të gjejnë një vend pune apo angazhim detyrohen të punojë punë që s'kanë lidhje me profesionin, e herë-herë edhe kompromise të pafavorshme për ta.

Fakulteti i Arteve, një uzinë e prodhimit të kuadrove pa perspektivë

Në një prononcim për "Kosova Sot", Enver Morina, gazetar dhe njohës i zhvillimeve kulturore, ka thënë se artistët e teatrit dhe të filmit në Kosovë po kalojnë një nga periudhat më të vështira të ekzistencës. Sipas tij, gjithë këto vështirësi vijnë për shkak të ambientit dhe politikave të gabuara që ndiqen nga institucionet kur është në pyetje zhvillimi kulturor, konkretisht arti skenik dhe filmi."Nëse ka pasur ndonjëherë teatër dhe film, ka pasur në vitet shtatëdhjeta. Besoj se dhe sot duhet të ketë. Po pse atëherë e jo sot? Sepse atëherë ka pasur një sistem, organizim dhe rregull që kanë ndikuar në avancimin e artit në vend", ka thënë Morina. Edhe Mahir Musliu, regjisor, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se një pjesë e madhe e artistëve të filmit dhe të teatrit mezi e sigurojnë ekzistencën. Fakulteti i Arteve, ka thënë ai, është bërë një uzinë e prodhimit të kuadrove pa perspektivë."Televizionet, e veçanërisht televizioni publik, nuk ua hapin dyert që ata të punësohen dhe të shprehin talentin e tyre. Teatrot kanë një numër simbolik të aktoreve që punojnë me paga, kurse pjesa tjetër sorollaten rrugëve për ta siguruar mbijetesën", ka thënë Musliu, duke shtuar se kjo shtresë shoqërore nuk ka institucione bazë ku mund të drejtohen për punësim të rregullt dhe se disa honorarë që i marrin nëpër projekte private, shfaqje e filma, janë nomade dhe afatshkurtra, të cilat nuk garantojnë mirëqenie, sigurim shëndetësor dhe stazhin e punës, sikur ta zëmë punëtorët e arsimit, shëndetësisë, shërbyesit civilë, policet etj.

Klanet e veshura me petkun kulturor

Kurse Naim Berisha, aktor në trupën rezidente të Teatrit Kombëtar dhe nënkryetar i Sindikatës së punëtorëve të këtij teatri, ka thënë për "Kosova Sot" se gjendja profesionale dhe financiare e artistëve të teatrit dhe filmit në Kosovë është shumë e rëndë, për shkak të dy faktorëve kryesorë. Së pari, sipas tij, vjen mungesa e fokusimit të shtetit në zhvillimin e politikave kulturore dhe investimit më të madh në këtë fushe dhe së dyti luftën e pakompromis të klaneve të veshura me petkun kulturor, të cilat, ka potencuar më pas Berisha, kanë për qëllim zhdukjen e artistëve të vërtetë dhe promovimin e antiartistëve dhe antivlerave, ngase këto klane vetëm kështu mund të mbijetojnë."Sot më shumë se kurrë artisti i vërtetë është i persekutuar, sidomos në aspektin profesional të shpërfaqjes së talentit dhe vlerave te tij artistike. Ngase, ka vazhduar aktori Berisha, atij i pamundësohet të dalë mbi sipërfaqe."Këtij artisti të persekutuar i mbeten vetëm dy opsione, ose të ndërrojë profesion e të bëhet kamerier, ose të kërkojë gjetjen e një rruge të re, për ta shpërfaqur talentin e tij jashtë vendit. Fatkeqësisht, kjo është e dhimbshme, por tashmë është një fakt", ka thënë Berisha. Më tej ai ka thënë se kjo gjendje e tillë, ku njerëzit e paverifikuar dhe me vlera të dyshimta i udhëheqin institucionet, që kanë të bëjnë me këto lëmi, ka kontribuar që artistët kosovarë të vijnë deri në këtë pikë të pashpresë."Ky trend do të vazhdojë të manifestohet në këtë mënyrë, derisa ne si shoqëri të jemi këmbëngulës në instalimin e sistemit të vlerës në këtë vend", ka thënë Berisha.

(Kosova Sot)