Dimri i vitit 1877, fatal për popullsinë SHQIPTARE TË SANXHAKUT TË NISHIT

  • 22 November 2017 - 09:13
Dimri i vitit 1877, fatal për popullsinë SHQIPTARE TË SANXHAKUT TË NISHIT

Dimri i viti 1877 dhe 1978 ka qenë fatal për popullsinë shqiptarë të Sanxhaku të Nishit. Gjunjëzimi i Perandorisë Osmane përballë Rusisë Cariste në ato vit, do të sjellë edhe krijimin e shteteve satelite ruse dhe zgjerimin e tyre në drejtim të trojeve shqiptare. E mposhtur ushtria Perandorake turke, do të lë pambrojtje popullsinë shqiptarë në kufi me Principatën Serbe, e cila e 'trimëruar' nga Rusia do të nisë pushtimin e territoreve shqiptare, duke spastruar etnikisht territore të pafundme në Sanxhakun e Nishit dhe përreth tij, duke bombarduar fshatra të tëra, duke vrarë civilë, fëmijë e pleq, pa ndonjë arsye. Shumë prej atyre që arritën t'i shpëtojnë barbarisë serbe vdiqën gjatë ikjes për shkak të të ftohtit të madh që mbretëroi në atë dimër fatal për shqiptarët e Sanxhakut të Nishit. Pavarësisht se historianët dhe institucionet tona kanë sjellë dëshmi mbi ato zhvillime, në gjuhë të huaja pothuajse mungojnë fare. Gjë që përbën një 'disfatë' karshi falsifikimeve serbe të asaj periudhe.

Arkivi Shtetëror i Kosovës i ka mbledhur të gjitha tapitë e pronave të banorëve

Në një prononcim për "Kosova Sot", studiuesi dhe eksperti i arkivistikës, Jusuf Osmani, pasardhës i familjeve muhaxhirë nga Sanxhaku i Nishit, ka thënë se, pavarësisht botimeve që janë bërë për tragjedinë e shqiptarëve, gjatë viteve 1877/78, historiografia shqiptare ende ka borxh për ndriçimin sa më të hollësishme të atyre ngjarjeve dhe pasimin e së vërtetës. Ai ka kujtuar se institucionet kanë bërë shumë pak, me përjashtim të Arkivit Shtetëror që, sipas tyre, ka mbledhur dhe ruan tapitë e pronave të banorëve të Sanxhakut të Nishit. Më keq ka thënë ai, qëndron puna te përkthimi në gjuhë të huaj i monografie apo studimeve historike për këto ngjarje. Osmani ka thënë se historiografia shqiptare nuk ka bërë sa duhet që përkthimin dhe botimin në gjuhët e huaj për këto tragjedi. Më herët, sipas tij, ishte përgatitur kompleti i librave të Sabit Ukës, që japin shumë informacione mbi ato ngjarje, por ka humbur. Në gjuhën turke është botuar vetëm vëllimi i parë, nga librat e tij. " Po, nuk është punuar në atë drejtim pothuajse hiç. Unë nuk kam hasur deri tash në ndonjë botim serioz në gjuhën angleze që pasqyron tragjedinë e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit, vetëm atë çfarë është shkruar në librin e Malkolmit. Nuk është duke u punuar në këtë drejtim", ka thënë arkivisti Osmani, duke shtuar se botimet në gjuhë të huaj do të kishin një rëndësi të shumëfishtë për çështjen shqiptare, sidomos edhe sot, ku pretendimet e serbëve ende janë të mëdha. Ndërsa ka thënë se studiuesit dhe institucionet tona duhet të bëjnë shumë më shumë për ndriçimin e atyre ngjarjeve. "Si pjesëtar i atyre familjeve të ndjekura me dhunë, mendoj se historiografia dhe institucionet tona shqiptare nuk kanë bërë shumë me dokumentimin e këtyre ngjarjeve. Aspak nuk jam i kënaqur. Me përjashtim, Arkivi Shtetëror i Kosovës i ka mbledhur të gjitha tapitë e pronave të banorëve të Sanxhakut të Nishit", ka pohuar Osmani.

Historiografia shqiptare ka dhënë kontribut mbi ndriçimin e të vërtetës historike

Kurse në një prononcim për 'Kosova Sot", historiani Fitim Rifati ka kujtuar botimet e shumta që studiuesit shqiptarë kanë realizuar për dhunën dhe dëbimin që kanë kryer serbët ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit gjatë dimrit të viti 1877/78. Rifati ka thënë se historiografia shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë çështjes së masakrave serbe ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit dhe dëbimit të tyre nga ushtritë serbe në dimrin e viti 1877/87, duke përmendur edhe autorët më të njohur që janë marrë me këtë çështje, si Sabit Ukën, apo edhe botimet e realizuara nga institucionet shkencore shqiptare. "Konsiderojmë se historiografia shqiptare ka dhënë kontribut mbi ndriçimin e të vërtetës historike rreth kësaj ngjarje tragjike të popullit shqiptar. Një studim i zgjeruar dhe i mirëfilltë, i cili do të bazohej në radhë të parë në dokumentet e administratës osmane e rrjedhimisht edhe në dokumentet diplomatike, burimeve dhe memoareve, do të ndriçonte edhe më këtë ngjarje historike", ka thënë Rifati.

(Kosova Sot)